“Tani po flemë!”…Dhe nuk u zgjuan më kurrë. Ky ishte mesazhi i fundit i dy vëllezve nga Kosova, të cilët tërmeti i 26 nëntorit i zui në gjumë dhe më pas u nxorrën të pajetë nga rrënojat e hotel “Tropikal”, ku qëndronin për të punuar.
Babai i Shemsedinit dhe Isait, Sabri Abazi ka rrëfyer për mediat shqetësimin më të madh të dy djemve të tij.
Të dy ata i druheshin frikës që të mos vdisnin të dy bashkë në një aksident dhe për këtë arsye nuk udhëtonin asnjëherë bashkë.
Por fatkeqësisht tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit, i mori të dy bashkë.
Ata u nxorrën nga rrënojat e hotelit, ku familja Abazi nga Gjilani kishin 15 vite që kalonin aty pushimet e verës.
Isai kishte mbetur i papunë dhe për të mos e lënë vetëm, vëllezërit guxuan të bëjnë të parin udhëtim të gjatë, të dy në të njëjtën makinë.
Babai tregon për “Express” se familja i kishte drejtuar sytë nga dy djemtë të cilët punonin mekanikë, dhe ishte pikërisht kjo arsyeja pse ata kishin marrë rrugën në Durrës, për punë.
Djali i vogël i familjes, Isai, më 28 nëntor do të festonte ditëlindjen. Babai i ka blerë edhe dhuratën. Kthen sytë mënjanë të mos e tregojë veten, dhe fillon të rrëfejë kujtimet që ka me djemtë nga hoteli i pushimeve të verës që tashmë u kthye në tragjedi për familjen.
“Për 10-15 vjet kemi bërë pushimet familjarisht tek Hotel Tropikal.
Por këtë verë nuk ma bënte zemra të shkoja, mendova për situatën ekonomike, nuk doja t’i shpenzoja djemtë, dhe nuk shkova. Isa më 30 nëntor kishte ditëlindjen, ja kam blerë edhe dhuratën.
Më telefonuan para se të flinin, dhe më uruan natën e mirë. I pyeta a jeni mirë? Mirë thanë, kemi gjetur edhe materialet (të punës)”, na tregon babai.
Sabriu, i cili humbi djemtë e xhaxhait në këtë tragjedi, eshtë rritur me Isain dhe Shemsedinin në këtë lagje të varfër të Livoçit.
“Jemi rrit bashkë si vëllezër. Ka qenë dhimbje e papërshkueshme për ne. Derisa kam shkuar vet tu shoh fytyrat me pastru xhenazen s’kam mundur ta besoj. Tërmeti i zuri në gjumë”, thotë ai mes lotëve.
Ai tregon se vëllai i tij ishte shkëmbyer në kufi me Isën dhe Shemsedinin. Ai kthehej nga Shqipëria për në Kosovë, dhe ata shkonin për në Durrës. Edhe ai kishte qenë në hotel “Tropikal”.
Me të marrë lajmin e kobshëm, vëllai i Sabriut, i cili është ushtar, ka shkuar vetë pranë gërmadhave për të kërkuar me shpresën se do të mund të nxirrte gjallë dy kushërinjtë e tij.
“Vëllai im ka qëndruar katër ditë atje. Pas 4 ditëve u nis. Në kufi janë takuar. Ku po shkon Shems e Is? Po shkojmë në Durrës në Tropikal, me punu.
Pastaj e ka marrë në telefon një shokë prej Durrësit. I njihte një më një ku janë dhomat. Ka kërkuar 27 orë nën rrënoja derisa e ka gjetur edhe trupin e dytë të pajetë, Shemsedinin”, tregon Sabriu, teksa thotë se çfarë tragjedie do të ishte nëse ky tërmet do të kishte rënë në verë, ku gjithë fisi pushonte në këtë hotel.
“Allahu i madh, me pas ndodh në korrik e gusht, nga 50 vetë të familjes ne shkojmë atje, nip e dajë, ka mund me qenë katastrofë. Allahi i ndihmoftë edhe ata vëllezër e motra që janë atje”, thotë Sabri Abazi.