Luhet derbi i kryeqytetit dhe e gjithë vëmendja është aty. Partizani e Tirana sfidohen në 90 minuta emocionuese, ku pozicionet e skuadrave dhe pikët e diferencës nuk kanë rëndësi.
Bardheblutë nuk fitojnë një ndërqytetase me të kuqtë prej më shumë se 5 vjetësh e një motiv për këtë ka dhe e artikulon Dritan Mehmeti, ish-asistenti i të kuqve që u spostua në drejtim të Partizan B, pas sherrit me trajnerin e parë Franco Lerda.
I ftuar në “Ditë të Mbarë” në RTSH, tekniku ka vlerësuar rolin e presidentit Gazmend Demi në sukseset e Partizanit.
“Natyrisht unë e njoh mirë Partizanin dhe gjithë ambjentin – shpjegoi Mehmeti – E di edhe si funksionojnë klubet e tjera, se kam aq eksperiencë, por nëse Tirana nuk fiton prej pesë vitesh derbin është sepse Partizani ka… presidentin Demi. Në dy vjet që jam pjesë e të kuqve mund ta kem takuar gjithësej tre herë.
Është një njeri me vision që lejon profesionistin të punojë, nuk ngatërrohet në asnjë cështje teknike dhe e mban skuadrën të qetë” u shpreh ai, duke iu referuar cështjes që shpërtheu tek Tirana vetëm dy javë më parë kur Julian Ahmataj akuzoi drejtuesit e klubit për ndërhyrje.y
Natyrisht është vështirë të tregohesh emocional dhe profesional njëkohësisht, por në një derbi qendrojnë të tre rezultatet, edhe pse Mehmeti e sheh shumë delikate sfidën dhe nuk kërkon të zbilancohet në deklarata: Është një ndeshje e vështirë, që kërkon kujdes dhe durim – tha Mehmeti – do të vendosë shumë impakti psikologjik, por nëse do të më duhet të bëj një parashikim po zgjedh barazimin”.
Partizani është i pari në kampionat, pas 14 javësh, me 25 pikë, një para Kukësit që dihat pas shpinës, ndërkohë që Tirana me trajner të ndryshuar për të dytën herë, nuk është në momentin ideal, duke shkuar në derbi në vendin e tetë, por gjithësesi vetëm 6 pikë larg kreut.