Rama: Thumana e nesërme s’do të ngjajë në asgjë me Thumanën para 26 nëntorit. Banorët do jetojnë në një zonë që nga pikëpamja urbane do jetë shembull

18 Dhjetor 2019, 11:50Politika TEMA

Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalën e tij në Kuvend me një falenderim për kabinetin e tij qeveritar për mënyrën se si kanë përballuar deri më tani situatën e vështirë pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se Thumana e nesërme s’do ngjajë me asgjë me Thumanën e para 26 nëntorit dhe banorët e një zone që gjithsesi ishte e degraduar nga pikëpamja urbane, do jetojnë në një zonë që nga pikëpamja urbane do jetë një shembull që do rrezatojë fuqinë e vizionit dhe vullnetit tonë përtej kufijve të Shqipërisë.

“Së pari dëshiroj të shpreh dhe një herë ndjenjën e krenarisë sime për qeverinë që unë drejtoj dhe për shumicën qeverisëse për të gjithë ministrat dhe deputetët dhe kryetarët e bashkive të angazhuar në vijën e parë që në orën e parë në përballimin e pasojave tragjike. Unë nuk e di nëse dikush do të kishte imagjinuar se qeveria e Shqipërisë do të arrinte të bënte atë që bëri. Në kushtet e një befasie të jashtëzakonshme ku mijëra njerëz u gjetën në rrugë.

Në Shqipëri ka pasur fatkeqësi natyrore dhe njerëzit janë kalbur rrugëve nëpër çadra dhe janë harruar. 4 mijë e 132 persona, njerëz të kategorive të ndryshme sociale janë akomoduar në hotele që për standardet e Shqipërisë janë hotele luksi. Për 6178 persona në fshat që e kanë të vështirë dhe të pamundur të lëvizin nga trualli i shtëpisë. Vazhdon procesi i plotësimit të nevojave për çadrat dimërore.

Mjafton te shihet tabela e përkujdesjes specifike shëndetësore për të gjithë këta njerëz për të kuptuar çfarë kapërcimi epokal në adresimin nga ana e shtetit të nevojave të njerëzve të goditur nga një fatkeqësi natyrore.

Ka nisur puna për planet e reja të zhvillimit. Falë solidaritetit të madh shqiptar janë grumbulluar fonde të konsiderueshme. Shumë shpejt do shihet transformimi tërësor urban dhe social që nga plaga e madhe e krijuar në Thumanë deri tek shtëpia më e largët e familjes që është në rrezen e përcaktuar nga kufijtë e gjendjes së jashtëzakonshme.

Me një grup arkitektësh të huaj dhe me shumë ekspertë shqiptarë do vijojë puna për te ndërtuar. Thumana e nesërme nuk do të ngjajë në asgjë me Thumanën para 26 nëntorit. Banorët do të jetojnë në një zonë që nga pikëpamja urbane do të jetë një shembull që do të rrezatojë fuqinë e vizionit dhe vullnetit tonë përtej Shqipërisë. Do të jemi këtu në vitin 2020 ku do t’i shihni të verifikuara.”- tha Rama. (TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje