Mbappé, lojtari më i mirë francez i vitit: Pyeta Dembele, mos Messi ma bënte për inat…

24 Dhjetor 2019, 19:20Sport TEMA

Dy ditë pas ditëlindjes së tij të 21-të, Kylian Mbappé ka fituar përsëri një çmim. Këtë herë, sulmuesi i PSG-së është zgjedhur si lojtari më i mirë francez i vitit 2019 nga revista “France Football”.

Ky është viti i dytë radhazi, që ia del mbanë, diçka që nuk kishte ndodhur kurrë qysh nga starti i çmimit në fjalë. Revista “France Football” ka nxjerrë në pah angazhimin e Mbappé karshi PSG-së për t’ia dhënë atij çmimin.

“Njerëzit mendojnë se Mbappé ka ndryshuar, por kjo është gënjeshtër. Dua të jem vendimtar dhe i rëndësishëm në ekipin tim. 

Më parë e adresoja topin te më i miri i ekipit, por tani të tjerët ma pasojnë topin më shumë dhe unë shfrytëzoj rastin”, – tha kampioni i botës, pas marrjes së çmimit. Edhe pse prania e tij nuk është konfirmuar, Mbappé pranoi për revistën prestigjioze franceze se synon të marrë pjesë në Lojërat Olimpike:

“Sigurisht që dua të shkoj në Lojërat Olimpike. Kjo nuk do të jetë në kurriz të Kampionatit Europian. Do të flas së shpejti me Leonardo për këtë gjë”.

Mbi marrëdhënien e tij me Neymar, sulmuesi i PSG-së dëshironte të shpërndante çdo dyshim për rivalitetin me brazilianin:

“Që kur mbërrita në Paris, nuk kemi pasur asnjë debat. Neymar është ylli i ekipit. Pastaj, unë fitova Kupën e Botës dhe kishte disa thashetheme nëse komportoheshim si më parë. Për të larguar çdo keqkuptim, i thashë Neymar se jam gjithmonë këtu, për ta ndihmuar atë dhe ekipin”.

Mbappe, gjithashtu, kishte disa fjalë për Messin: “E dija që Messi po më shikonte. Kuptova se mund të luftoja me të për “Këpucën e Artë”, sezonin e kaluar. 

Përballë meje ishte Messi. Kishte ndeshje kur shënoja tre gola, pastaj përgjigje ai me katër. Leo nuk ndalej, nuk arrihej dot. Mbaj mend që pyeta Ousmane Dembélé në një moment: Si ka mundësi, mos po ma bën qëllimisht?!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje