Kryeministri Edi Rama deklaron se do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit të Ministrave mbi shpërblimet e fundvitit për pensionistët.
Në komunikimin për mediat pas mbledhjes së fundvitit me kabinetin, kryeministri tha se ngjarjet e fundit të ndodhura pas tërmetit “na kanë bërë më të kujdesshëm por jo të frenuar”.
“Ideja ka qenë dhe mbetet që ne të mos cënojmë prioritetet dhe sigurisht që pensionistët nuk janë kurrë një kategori që ne mund ta harrojmë, apo neglizhojmë.
Por, nga ana tjetër, jemi të kujdesshëm, sepse duam të jemi të sigurtë 100% që do ta përballojmë qoftë edhe vetë rindërtimin, dhe për këtë na duhet të presim edhe rezultatet e Konferencës së Donatorëve dhe të gjithë këtij procesi angazhimi të miqve e partnerëve për fondet, në mënyrë që të kemi një qartësi mbi sa do jetë barra e përgjithshme dhe sa do jetë barra jonë në barrën e përgjithshme.
Kështu që, për këtë gjë do komunikojmë në vijim, por sigurisht që është një pyetje me vend dhe është një shqetësim që unë e kam shumë të qartë dhe shumë të fortë”, tha kryeministri.