LDK-ja, mes parimeve dhe perimeve

26 Dhjetor 2019, 10:34Blog TEMA

Nga Namir Lapardhaja

Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosja, nëpërmjet një videokonference, u ka shpjeguar qytetarëve të Kosovës së pse, edhe pas 80 ditësh nga përfundimi i zgjedhjeve, nuk ka ende një marrëveshje qeverisëse me LDK-në. Edhe me këtë mesazh Kurti tregoi se është politikan i një stofi tjetër, i përgjegjshëm dhe i detyruar për t’u treguar qytetarëve të vendit të tij, atyre që e kanë votëbesuar dhe të tjerëve, se edhe kur nuk ka një bilanc pozitiv, ka detyrim përballë qytetarit.

LDK-ja, nga ana tjetër, që vetëm pak ditë më parë festoi 30-vjetorin e krijimit të saj, po tregon se është një parti e një mendësie të vjetër, që nuk po arrin të shkojë tek marrëveshja jo për Parime, por për Perime. Ajo që duhet të ishte mishërim i përvojës, i traditës dhe i alternativës së ndryshimit të pushtetit, është shndërruar në një partiçkë, e cila ka lënë shumëçka nga historiku i saj i mirë, duke u transformuar në një organizatë të babëzitur, e lodhur nga opozita dhe me lugën në brez për të pasur domosdoshmërisht përfitime nga pushteti.

Nuk kuptohet ndryshe se pse, edhe pas një opozite kaq të gjatë, pas një konsumi aq të madh të partive të qeverisjes, ajo sërish nuk arriti të marrë më shumë se 30 deputetë. Thirrjet e kryetarit të saj që VV të lexojë mirë rezultatin, ngase edhe LDK-ja është fituese, në fakt, janë shurdhëri për të mos e lexuar drejt verdiktin e sovranit. Vërtet diferenca mes tyre është shumë e vogël, mirëpo tradita dhe historia favorizon VV, si një parti relativisht e re në skenën politike kosovare, krahasuar me LDK-në, që mbart një histori 30-vjeçare mbi supe.

LDK-ja tregoi këtë periudhë që mishëron më së miri simptomat e një sëmundjeje të të gjithë partive tradicionale në trevat shqiptare. Partia e Ibrahim Rugovës, edhe pas luftës dhe çlirimit, sërish ishte forcë e parë në Kosovë. Vetëm pasi i ndjeri Rugova u largua nga kjo jetë, ish-komandantët e luftës arritën të vijnë në pushtet. Ndërkohë, pas vdekjes së tij, LDK-ja nuk ngriti më kokë, duke thelluar krizën brenda vetes, me përçarje, pafuqi për të parë veten në sy dhe për të gjetur forcë brenda saj për t’ia dalë.

Edhe ky ngërç i mosgjetjes së gjuhës së përbashkët me VV e Albin Kurtit për një marrëveshjeje qeverisëse, tregon se sa të drejtë paskan pasur qytetarët e Kosovës për ta lënë LDK-në një kohë kaq të gjatë në opozitë, ngase edhe një koalicion mekanik dhe aspak natyral përsa i përket filozofisë, nuk arrin të bëjë partinë e Isa Mustafës të ngrihet mbi bizantizmat e vogla, jo për shkak të parimeve dhe diskutimeve konceptuale, por vetëm për shkak të një karrigeje më tepër, siç është në rastin konkret, ajo e Presidentit të Republikës.

Ky është një ogur i keq, në radhë të parë, për vetë LDK-në, e cila po jep mesazh negativ për klasën politike kosovare, për qytetarët dhe votuesit e saj, se për të mbi gjithçka është pak lëng më shumë nga çorba e pushtetit dhe aspak stabiliteti politik, e mira e vendit dhe përmirësimi i qeverisjes për qytetarët e Kosovës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje