Zgjedhjet e parakohëshme të Lulzim Bashës, si një përrallë dimri!

26 Dhjetor 2019, 19:49Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Lulzim Basha u paska përsëritur për të njëmijtën herë aleatëve dhe drejtuesve të strukturave të veta, udhëzimin që u ka dhënë sistematikisht çdo vit, çdo stinë, çdo muaj e çdo javë që nga dita kur ka ardhur në krye të PD. “Bëhuni gati se sëshpejti do të kemi zgjedhje të parakohëshme”. A e keni vënë re se e thekson gjithnjë e më shumë këtë premtim, sidomos kur është përpara festave dhe pushimeve?

Ndryshimi i vetëm është se çdo qershor e korrik, i thotë opozitarëve se në vjeshtë do të kemi zgjedhje të parakohëshme. Por kur rikthehet i bronzuar nga plazhet në shtator, u thotë ja të presim edhe pak, se tani sa u rikthyem, po rrini pa merak. Më pas, kujtohet se ka ardhur dimri dhe përpara pushimeve të festave të fundvitit, u premton se do të kemi zgjedhje të parakohëshme në pranverë. Derisa të rikthehet i relaksuar, sërisht në janar.

E mbani mend besoj këtë refren në fillim të këtij viti. Pasi dorëzuan mandatet e deputetëve të opozitës më 16 shkurt dhe dolën nga Parlamenti, premtoi se deri në 30 Qershor do të kishin zgjedhje të parakohëshme parlamentare. Edi Ramën “do ta hidhnin në Lanë” për punë orësh e ditësh dhe opozita do rikthehej më e fortë se kurrë, duke fituar edhe zgjedhjet lokale dhe ato të parakohëshme parlamentare.

Koha kaloi dhe sot Lulzim Basha e ka lënë opozitën dhe PD si kurrë më parë në këto 30 vjet, pa përfaqësim në asnjë lloj pushteti: As në Parlament, as në pushtet qëndror e as në pushtetin lokal. Por, ndryshe nga herët e tjera, zgjedhjet e parakohëshme këtë radhë Kryetari i opozitës nuk i paska premtuar në janar 2020. Por pak më vonë. Pasi më përpara do përfundojë njëherë reforma zgjedhore.

Mediat citojnë Kryetarin e PD të ketë thënë se projektligji do të jetë gati në fillim të janarit. “Do të bëhet prezantim publik dhe njëherë do t’i bëhen të ditura të gjitha strukturave të PD dhe qytetarëve. Pas prezantimit, këto propozime do t’i nënshtrohen një konsultimi të gjerë për të marrë mendimin e anëtarësisë dhe qytetareve edhe përsa i përket aspekteve të tjera të reformës siç është sistemi zgjedhor”,- ka thënë Basha.

Megjithëse Kryetari i mazhorancës Rama, por edhe SHBA e BE i kanë kërkuar Lulzim Bashës prej shumë kohësh që të ulet në tryezën e madhe të dialogut pa kushte dhe të përfshihet në debatin për reformën zgjedhore, duke patur vendin e vet në komisionin e posaçëm, ai ka refuzuar sistematikisht. Tani më në fund, paska kuptuar se zgjedhjet në një sistem demokratik si yni, nuk vijnë nga rruga, por vetëm në institucione. Ka nisur të reflektojë? Jo plotësisht.

“Ne duhet të dëgjojmë zërin e qytetarëve, duhet të bëjmë konsultim të gjerë me ta dhe më të gjitha grupet shoqërore në çdo cep të vendit. Për të vendosur reagimin nëse kjo qeveri nuk do të pranojë draftin tonë për reformën zgjedhore, do të vazhdojë të vjedh dhe të abuzojë bashkë me krimin në Shqipëri”,- ka thënë Basha. Duke harruar se as ai, as PD dhe as e gjithë opozita e rrugës bashkë, nuk janë sot në gjendje që ti vendosin kushte të tilla mazhorancës. Sepse 30 Qershori ua dha njëherë e përgjithmonë këtë mësim.

Megjithatë, le ta lemë Lulzim Bashën në pushtetin e autosugjestionit të gjelit të detit (meqë jemi në atmosferën e Vitit të Ri) para pasqyrës, që i hakërrohet dhe i gjuan me sqep shëmbëlltyrës së vet, derisa ajo të thyhet.

Ta zemë për një moment se u dorëzua pa kushte përballë Lulzim Bashës dhe e pranon draftin e tij pa “bërë as gëk e as mëk”. Ta zemë se pas kësaj, se deri në pranverë Parlamentit i duhet që të kalojë të gjitha hallkat proceduriale deri në miratimin në Parlament (me votat e kujt?!) draftin e urdhëruar nga Lulzim Basha.

A e di ai se deri atëherë e pas kësaj, duhet kohë për dekretimin dhe botimin e saj në fletoren zyrtare. Duhet të dalin aktet, urdhërat e udhëzimet në zbatim të ligjit, etj. A e dijnë demokratët se për ta implementuar reformën e re zgjedhore, duhen gjithmonë minimumi gjashtë muaj deri në një vit. Ashtu siç më pas edhe dekreti për zgjedhjet e reja duhet të dali, të paktën 6 muaj përpara ditës së votimit nga Presidenti i Republikës?

Llogaria e thjeshtë në këto kushte, të thotë se zgjedhjet e radhës do të mbahen në qershorin e vitit 2021. Kështu që e gjithë retorika e sotme e Lulzim Bashës, sikundër edhe ajo e 6 viteve e gjysëm të tij në opozitë për zgjedhjet e parakohëshme, nuk është gjë tjetër, veçsë një përrallë e bukur dimri, e treguar poshtë pemës së Krishtlindjeve!

7 komente në “Zgjedhjet e parakohëshme të Lulzim Bashës, si një përrallë dimri!”

  1. baci says:

    Bashes ia ka qejfi te bej zgjedhje se mendon me ate te veten se dhe po u bene shqiptaret do zgjedhin ate. Po jo mo toc jo! A i ke pa sondazhet? Dhe sikur rama te jete e keqja me e madhe qe e bejn keta prape lulin se voton asnji. Pike.

  2. luli o luli says:

    Lulit i them vetem dicka: Vazhdo shif endrra.

  3. wtf says:

    Teksa e lexoj dhe e lexoj kete shkrim bindem se luli eshte budallai me i madh qe ka prirje per tu bere nje dite kryeminister i vendit tone ?

  4. shqupi luli says:

    Gjynaf ku eshte katandis PD….. Me ben habi si nuk e kuptojn qe sa te jete ky jane pa program pa dreq e pa shejtan

  5. luli fle gjume says:

    Pse… u cua nga gjumi luli?!

  6. Konica USA says:

    Kjo nuk eshte pune Luleshi,ai dihet qe eshte bosh nga koka,pra kokebosh,problemi kryesor qendron se keta te PD-es qenkan qe te gjithe kokebosh, si nuk doli nje ze realist qe te thot mjafte,se me perrallat Lylit nuk shkohet as ne Lane, jo me ne zgjedhje.

  7. Jozi says:

    Fredi, dikush duhet t,ja spjegoje qarte Lulit, meqenese ai, rri e rri dhe permend kushtet e Bundestagut.
    – Kushti nr.2 i Bundestagut eshte:
    Perfundimi i reformes zgjedhore. Nuk do te kete zgjedhje as te parakoheshme, as te koheshme , nese nuk perfundon reforma elektorale. PIKE.
    Kjo do te thote qe Luli te lere cdo pune dhe te ulet me maxhorancen dhe forcat e tjera per hartimin e ligjit zgjedhor.
    Nese vertet do zgjedhje. Ndryshe s’ka fare zgjedhje dhe Rama mund te rrije ne pushtet edhe 5 vjet nese nuk miratohet reforma zgjedhore.
    SIPAS BUNDESTAGUT.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje