Situata në Komitetin Olimpik Shqiptar ka degraduar në një turp të vërtetë, me akuza, shkarkime nga detyra dhe përplasje mes anëtarëve dhe presidentit të saj, Viron Bezhani.
Presidenti është votuar nga gjashtë anëtarë të KOKSH për t’u shkarkuar nga detyra teksa në emisionin “Pressing” ai shprehet se nuk kanë të drejtë ta shkarkojnë, teksa ka marrë edhe vetë një vendim.
Anëtarët që kanë votuar për shkarkimin e tij, tashmë përballen me masa sepse Bezhani pretendon se ëhstë ai personi që mund të marrë vendime dhe i ka shkarkuar nga detyra.
Akuzat janë të rënda dhe bëhet fjalë për buxhete të mëdha financiare të vjedhura dhe njëkohësisht për shpërdorime.
“E cilësoj si ndërhyrje në punët tona të brendshme. Kemi gjithçka të zgjidhur nëpërmjet statusit. Ata janë qesharakë në të gjitha drejtimet. Nuk mund të rregullosh një institucion me anti-ligj. Do çoj dy shkresa të tjera në Lozanë dhe CAS-in e Lozanës. Kanë bërë një gabim mjaft të rëndë.
Në asnjë presje, në asnjë pikë nuk i kam lëvizur statusit dhe ligjit. Kam qenë dhe vazhdoj të jem korrekt me ndërkombëtarët.
Vajta në takim dhe kërkova që të marr zyrën dhe të kem dokumentet, sepse lekët e sportistëve dhe të fondit olimpik, po përdoren për gjëra të tjera. Më thanë që do e bëjmë, do i japim urdhër Bellos që të zbatojë ligjet në fuqi. Jo që nuk e zbatuan, por sot nuk kam marrë asnjë dokument financiar.
Merrni shihni, viti 2017 nuk është analizuar fare. Në 2018 janë çereku i çerekut që kërkoj. Merrni shihni një aktivitet. 61 milionë kanë qenë në fillim, në shkresën që kam kërkuar unë del 17 milionë. Sa i përket tatimit të sportistëve, jam korrekt.
Kam bërë verifikim nga Tatimet. Më del që nuk e kanë bërë diçka të tillë, por në tabelën që më ka dhënë KOKSH bashkohen dy sportistë, sepse nuk ju del leku. Zëri i sportistëve është zero”, tha Bezhani.