Pas pushimeve të fundvitit, klubet e Kategorisë Superiore kanë rinisur aktivtetin e tyre futbollisitik.
Të gjitha skuadrat janë grumbulluar për të kryer një mini-fazë përgatitore, deri në nisje të kampionatit, i cili do të ngre siparin për këtë vit më datë 22 janar.
Ajo që vihet re në këtë mini-fazë përgatitore, në ndryshim nga vitet e kaluara, është fakti se shikohet qartë kriza financiare që ka pushtuar shumë prej klubeve të Superligës, të cilët kanë vendosur që të përgatiten në Shqipëri, duke shmangur kostot e grumbullimeve jashtë vendit.
Përjashtim bëjnë vetëm, Partizani, Kukësi, dhe Tirana, tre ekipe pretendente për të fituar titullin kampion, të cilat kanë vendosur që të largohet jashtë Shqipërise, duke shtegtuar drejt Turqisë, në Antalya, ku ofrohen të gjitha kushtet optimale për tu stërvituar, si dhe për të zhvilluar ndeshje miqësore me ekipi dinjitoze.
Ekipi i Teutës ka vendosur që të akomodohet në një nga hotelet e qytetit bregdetar, dhe përgatitjet t’i kryejë aty ku stërviten rregullisht gjatë gjithë sezonit.
Në të njëjtin qytet, Durrës, ka vendosur që të qëndrojë edhe klubi i Skënderbeut. Dënimi nga UEFA si dhe kriza financiare që kë përfshirë klubin, që u vërtetua para disa javëve pas braktisjes që futbollistët i bën një prej seancave stërvitore, ka bërë që ekipi të qëndrojë në Shqipëri, ndryshe nga vitet e tjera.
E njëjtë është situata dhe për dy ekipet e fundit në renditje, Flamurtarin dhe Luftëtarin.
Vlonjatët janë thujse të rënë nga Kategoria, pasi pas 17-javëve të para nuk kanë marrë ende një fitore. Përveç krizës së rezultateve, edhe kriza financiare është akoma më e rëndë tek kuqezinjtë, të cilët prej mujash nuk paguhen nga presidenti Sinan Idrizi.
Ndryshe nga sezonet e shkuara, ku Idrizi e dërgonte ekipin në Turqi, shtet nga i cili ai ka dhe marrdhënie biznesi, këtë vit ka vendosur që ta grumbullojë skudrën në Vlorë.
Bashkë më Flamurtarin, edhe skuadra e Luftëtarit ka “prerë biletën” për në Kategorinë Parë. Gjirokastritët, pavarsisht ndryshimeve në presidencë nuk ia kanë dal dot të jenë një klub pa probleme financiare, por përkundrazi situata është tepër kritike.
Kjo situatë ka bërë që edhe bluzinjtë ta zhvillojnë këtë mini-fazë përgatitore në qytetin e Gjirokastrës.
Nga ekipet në mesin e tabelës, vetëm Vllaznia ka vendosur që të udhëtojë jashtë vendit. Kuqeblutë i kanë nisur përgatitjet që me datë 2 janar në Shkodër me zv.trajnerin Safet Osja, ndërsa këtë javë nën drejtimin e trajnerit të parë Mirsad Jonuz, do të përgatiten në Ohër.
Sa i përket Laçit të Armando Cungut, presidenca ka vendosur që ekipi të stërvitet tek fushat e ekipeve kombëtare në Kamës.
Ndërsa, surpriza e këtij sezoni deri më tani, Bylis, do të përgatitet në qytetin e tyre në Ballsh.
Ky vendim i presidentit Besnik Kapllanaj ka ardhur për shkak se klubi ballshiot ka disa ambiente mjaft komode për tu stërvitur.
Ndërkohë, Partizani dhe Tirana kanë publikuar axhendën e tyre për fazën përgatitore në Turqi.
Gjatë qëndrimit në Antalya, ekipi i Partizanit do të përballet kundër Trabzonsporit dhe hungarezët e Budapest Honved.
Gjithashtu, gjatë përgatitjeve dy javore Tirana ka percaktuar të zhvilloj tre ndeshje miqesore të cilat do të jenë kundër, Alaniasporit, Mezokovezdi dhe Korona Kielce.
Kurse klubi verilindorët ende nuk i ka publikuar emrat e kundërshtarëve që do të luajë në tokën turke. (TemA)