Dhuna kundër gazetarëve dhe sulmet verbale të përditshme ndaj tyre nga ana e disa liderëve politikë, përbëjnë një sulm kundër një prej shtyllave më të rëndësishme të demokracisë. Një mënyrë për ta luftuar këtë është një mbrojtje më e fortë publike e vlerës së gazetarisë, duke përfshirë theksin mbi dhënien fund të pandëshkueshmërisë ndaj praktikuesve të saj.
Nga Leon Willems
Këtë muaj bëhen plot pesë vjet që kur Saïd dhe Chérif Kouachi sulmuan zyrat e Parisit të revistës satirike franceze Charlie Hebdo dhe, në një makth që zgjati vetëm disa minuta, ata vranë 12 njerëz. Në ditët që pasuan, miliona njerëz marshuan në Francë dhe gjetkë për të shprehur solidaritet me gazetarët e vrarë.
Për europianët, vrasjet Charlie Hebdo përbënin sulmin e parë masiv ndaj gazetarëve. #JeSuisCharlie (“Unë jam Charlie”) u bë një nga hashtagët më të njohura në Twitter. Liria e shtypit po ndryshonte.
Megjithatë, që nga ajo kohë, lufta për të mbrojtur lirinë e gazetarisë është dobësuar dhe mobilizimi publik ka dëshmuar të jetë kalimtar – përfshirë edhe në rastin e Charlie Hebdo. Në Janar 2019, stafi i revistës u ankua në një editorial se njerëzit nuk donin të dëgjonin më për vrasjet. “Ndoshta duhet të vazhdoni para!” raportohet se iu tha atyre.
Kjo indiferencë e dukshme ka shumë lidhje me atë që shumë besojnë se përfaqëson Charlie Hebdo: lirinë për të shprehur veten në një mënyrë që mund të provokojë të tjerët. Dhe kjo liri ka rënë në një presion akoma më të madh në pesë vitet e fundit.
Një prirje e tillë është e dukshme në përgjigjet drejtuar gazetarëve që hedhin dritë mbi fakte dhe opinione të panjohura ose të pavolitshme. Ata janë të ekspozuar çdo ditë ndaj një sërë sulmesh mbi integritetin e tyre, përfshirë edhe nga liderë të rëndësishëm politikë. Në Shtetet e Bashkuara, presidenti Donald Trump u është referuar vazhdimisht gazetarëve që janë kritikë ndaj tij si “armik i popullit”. Dhe në një konferencë për shtyp dy vjet më parë, presidenti çek Miloš Zeman nxori një kopje të një AK-47 i cili mbante mbishkrimin “për gazetarët”. Me anë të sjelljeve të tilla, këta dhe liderë të tjerë normalizojnë sulmet kundër anëtarëve të shtypit.
Dhe anëtarët e shtypit janë shumë nën sulm. Sipas Reporters Without Borders, 49 gazetarë në të gjithë botën u vranë në vitin 2019 për shkak të punës së tyre. (Mesatarja vjetore për pesë vitet e fundit është edhe më e lartë, ajo arrin në 81.) Për më tepër, numri i gazetarëve që u ndaluan në mënyrë arbitrare u rrit në 389 vitin e kaluar. Kërcënimet në mediat sociale, sidomos ndaj gazetareve femra, janë një dukuri e përditshme, dhe gazetarët rrihen, sulmohen me gaz lotsjellës ose u vidhen rregullisht pajisjet.
Dhuna ndaj gazetarëve është një sulm ndaj një shtylle thelbësore të demokracisë. Dhe për sa kohë që këto sulme vazhdojnë, nuk është aspak koha “të vazhdojmë përpara”.
Përkundrazi, është koha që liderët e Bashkimit Europian të zgjohen dhe të mbrojnë më mirë gazetarët në rrezik. Përpjekje si nisma PersVeilig në Holandë, në të cilën policia, prokurorët publik, sindikata e gazetarëve dhe redaktorët bashkëpunojnë për të luftuar dhunën ndaj gazetarëve, duhet të zbatohen në të gjithë Europën. Politikanët që sulmojnë verbalisht gazetarët duhet të mbahen përgjegjës për këtë dhe organizatat e mediave duhet të bëjnë më shumë për të treguar solidaritet me kolegët e tyre në mediat riavel.
Në përgjithësi, ekziston një nevojë urgjente për ndërgjegjësim më të madh dhe një mbrojtje më të fortë publike të vlerës së gazetarisë për shoqërinë. Dhe vitet e fundit ka pasur shembuj të suksesshëm të kësaj. Vrasjet e gazetarëve Ján Kuciak në Sllovaki dhe Daphne Caruana Galizia në Maltë shkaktuan protesta masive që detyruan kryeministrat e këtyre dy vendeve të jepnin dorëheqjen. Për më tepër, investigimi nga Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara Agnès Callamard për vrasjen e Jamal Khashoggi, kolumnist për The Washington Post, shtoi vetëdijen e publikut për sjelljen kriminale të lidershipit të Arabisë Saudite.
Këto raste kishin nevojë – dhe morën – vëmendje afatgjatë. Por kush ka dëgjuar për Norma Sarabia nga Meksika, apo Eduardo Dizon nga Filipinet, të cilët gjithashtu humbën jetën për shkak të profesionit të tyre? Gazetari nigerian Jones Abiri shkoi në burg për herë të dytë vitin e kaluar me akuza të sajuara, ndërsa një fotograf nga Nikaragua së fundmi na tha se për momentin nuk punon më si gazetar, sepse kjo nënkupton të vërë çdo ditë në rrezik jetën e tij. kush po ngrihet për këto figura më pak të njohura?
Sistemi i drejtësisë duhet t’i japë përparësi më të madhe ndjekjes penale të sulmeve kundër gazetarëve, e megjithatë një sërë rezolutash të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit kanë dhënë rezultate të kufizuara. Një mënyrë më e mirë për t’i dhënë fund mosveprimit gjyqësor do të ishte krijimi i një komiteti investigues ndërkombëtar, gjë e cila do të hapte gjithashtu rrugën për zgjidhjen e qindra rasteve të gazetarëve të vrarë për shkak të detyrës së tyre.
Dhjetëra gazetarë vriten çdo vit dhe në nëntë nga dhjetë raste, autorët enden të lirë. Për sa kohë që ekziston një mungesë e tillë ndëshkueshmërie, kjo do të vazhdojë të ndodhë.
Pesë vjet më parë, ne ishim të gjithë Charlie. Sot le të jemi gjithashtu qindra gazetarë të tjerë që janë vrarë që atëherë.
Project Syndicate- The Demonization of Journalists Mus End
Po keta qe jane ne foto nuk jane gazetare.
Parimisht ke te drejte z. Willems, por faktikisht ata qe ankohen per kete problem ne Shqiperi vetem gazetare nuk jane. Ne rastin me te mire jane thashethemexhinj qe flasin kot dhe paguhen per ate pune. Kur them flasin kot e kam ne aspektin qe ja mbytin kot, pa fakte, vetem llogje kafenesh me histori te supozuara sipas mendjes se tyre kur nuk jane te pire, dhe I paraqesin publikisht si postulate ku duhet te mbeshtetet jeta publike shqiptare. Askush prej tyre nuk zbaton etiken gazetareske, as parimet, asnje gje qe do te bente nje gazetar I mirefillte. Jane opinionthenes, vetem aq, thjesht thone ate qe mendojne, faktet s’kane rendesi. Nuk ka Shqiperia gazetare me integritet qe vene jeten ne rrezik per te zbuluar skandale apo veprimtari kriminale. Shqiperia ka ne rastin me te mire gjobvenes qe edhe kur mesojne dicka, I thone tjetrit “Me jep kaq qe te mos e nxjerr lajmin”. Duhet pastruar nje cike ambienti nga keta lapangjoze e pastaj flasim per gazetari te mirefillte ne Shqiperi.
Jo Zeni keta jane ajka e servleve, mediokerve hajdute Made in Berisha! Keta jane diplomuar nga Saliu si analiste! Mjerisht mungon Lubonja! Saliu ashtu sic krijoi plepat,ushtrine,SHIK-un etj. krijoi edhe kete tip gazetaresh!