RAPORTI: Parlamenti si “noter” i Qeverisë, cilët janë gjashtë deputetët “rebelë” të PS-së

11 Janar 2020, 17:03Politika TEMA

Nga shtatori deri në dhjetor, Parlamenti shqiptar ishte formal, përmbushi përgjegjësitë e tij në funksionin legjislativ, pjesërisht edhe në funksionin zgjedhor, por jo vetëm që dështoi të ushtrojë funksionin kontrollues ndaj Qeverisë, por Qeveria iu imponua, ndërsa opozita votoi mazhorancën.

Këto janë gjetjet kryesore të Institutit të Studimeve Politike pas vëzhgimit të punës së Kuvendit të Shqipërisë nga shtator deri në dhjetor.

“Në ushtrimin e funksionit të tij të tretë, funksionin kontrollues, Parlamenti nuk arriti ta përmbushë atë. Në tërësinë e tij Kuvendi lejoi të imponohet në aktivitetin e vendimmarrjen e tij nga pushteti ekzekutiv. Gjatë sesionit nuk pati asnjë mocion, komision hetimor dhe as seancë pyetjesh ndaj Kryeministrit dhe Qeverisë së tij, nuk pati ndjekje të nivelit të zbatimit të ligjeve që miratohen në Parlament dhe se në disa nisma të qeverisë, Parlamenti veproi më shumë si noter institucional i saj, sesa si institucioni kryesor i përfaqësimit dhe ushtrimit të sovranitetit qytetar në Shqipëri”, thuhet në raport.

Llogaridhënie nga qeveria nuk kanë kërkuar as deputetët që morën mandatet pas muajit shkurt, si përfaqësues të opozitës parlamentare, pas largimit të Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe aleatëve të tyre.

“Të dhënat e monitorimit treguan se rreth 60 për qind e deputetëve të ardhur në Parlament gjatë 2019 në emër të opozitës ishin votues të rregullt “pro” të akteve të mazhorancës dhe nismave të Qeverisë. Ky është një tregues i ndryshimit të raporteve politike në Parlament dhe dobësimit të përfaqësimit opozitar. Mazhoranca fitoi mbështetjen e rregullt e 10-16 deputetëve të rinj në Kuvend, duke dobësuar përfaqësimin dhe duke krijuar mazhorancë absolute për çdo vendimmarrje në interes politik të saj. Për pasojë, është rritur numri i deputetëve që nuk merr pjesë rregullisht në votimet e akteve në Kuvend dhe që ankohen se zëri i tyre nuk po dëgjohet”, theksohet në gjetjet e këtij raporti.

Deputetët që u aktivizuan më shumë ishin Taulant Balla nga Partia Socialiste dhe Rudina Hajdari e grupit parlamentar demokrat, ndërkohë që ISP thotë se pjesa më e madhe e deputetëve që kanë edhe kostumin e biznesmenit nuk ishte aktive në Parlament. Sa u takon deputetëve të PS që votuan ndryshe nismave të grupit të tyre parlamentar në Kuvend ISP rendit gjashtë, nga të cilët vetëm Ditmir Bushati dhe Fatmir Xhafaj shprehën publikisht rezervat për nismat. Megjithatë, ata nuk kanë votuar në asnjë rast kundër, por kanë zgjedhur rrugën e abstenimit.

ISP vëren se mungesa e një opozite të fortë u pasqyrua edhe në punën e Komisioneve Parlamentare. “Komisionet e Përhershme dhe të Posaçme përballen me riskun e aktivitetit formal në funksionimin e tyre. Më pak se një e treta e deputetëve është aktive në debatet në komisione. Drejtimi i tyre shpesh është i personalizuar dhe vendimmarrja e paracaktuar”, thotë raporti.

Përveç kësaj, ISP gjen edhe shkelje të tjera proceduriale. Kështu, në Komisionin e Ligjeve janë identifikuar tre raste kur deputetë që nuk kanë qenë fare të pranishëm në mbledhje figurojnë sikur kanë qenë, apo raste kur mbledhja është zhvilluar ditën e seancës plenare pa asnjë njoftim paraprak. Në këtë komision problematikë shihet edhe prania e dy deputetëve që janë anëtarë edhe në komisione të tjera, të cilët shfaqen vetëm për pak minuta.

Tek Komisioni i Ekonomisë, drejtuar nga Arben Ahmetaj, ISP veçon rastin kur Ahmetaj largohet nga mbledhja dhe ja lë drejtimin e mbledhjes një anëtareje të Komisionit, apo raste aplikimi të dy standardeve, kur në një rast Ahmetaj nuk pranon në mbledhje dy zyrtarë që janë futur me vonesë nga një komision tjetër, por pranon një zyrtar tjetër që u vonua për të njëjtën arsye. ISP thotë gjithashtu se ka replika personale mes Arben Ahmetajt dhe të ftuarve në këtë Komision nga institucionet e tjera shtetërore.

Çudive të këtij lloji nuk i ka shpëtuar as Komisioni i Sigurisë Kombëtare, ku vëzhguesit e ISP kanë gjetur në një rast pjesëmarrjen e dy deputetëve njëkohësisht në dy komisione parlamentare, apo ardhjen e dy deputetëve në momentet e fundit të mbledhjes vetëm për të firmosur praninë formale në mbledhjen e Komisionit.

I njëjti fenomen është parë edhe te Komisioni i Arsimit dhe Medias, ndërsa tek Komisionet për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Komisioni i Politikës së Jashtme dhe Komisioni i Integrimit Europian, vëzhguesit e ISP nuk kanë gjetur problematika të rënda, përveç rasteve të fillimit të mbledhjeve me vonesë.

Cilët janë gjashtë deputetët “rebelë” të PS-së

Në total mazhoranca vijon të votojë në mënyrë kolektive pro nismave të qeverisë dhe vendimeve politike të grupit.

Rastet që bëjnë përjashtim janë të rralla, por edhe pse të tilla janë evidentuar nga raporti i monitorimit të Kuvendit në periudhën shtator – dhjetor 2019.

Konkretisht, ligji me më shumë “devijime” në votën politike “kundër” të grupit të PS është nisma ligjore e deputetit Ilir Beqaj, për faljen e gjobave të vendosura nga AKU. Për këtë nismë PS votoi kundër, deputeti Beqaj votoi “pro”, si dhe tre deputetë të PS, Ditmir Bushati, Vasilika Hysi dhe Almira Xhembulla vendosën të abstenojnë.

Deputeti Bushati ka abstenuar edhe në dy votimet politike të iniciuara nga kryeministri Rama, të njohura si paketa anti-shpifje, konkretisht ligji për mediat audio-vizive dhe ai për komunikimet elektronike në RSH.

Votë tjetër ndryshe nga grupi ishte vota abstenuese në dy raste e deputetit Fatmir Xhafaj, e para për rrëzimin e dekretit të Presidentit lidhur me kthimin e ligjit për Akademinë e Shkencave dhe e dyta për nismën ligjore të kryeministrit Edi Rama “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”. Po ashtu deputetja Blerina Gjylameti votoi ndryshe nga grupi, me votë abstenuese për projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”.

Vlen të theksohet një diskutim ndryshe në seancën dedikuar zgjedhësve dhe situatës post – tërmet në shtator 2019, gjatë të cilës bëri diferencë vetëm deputeti dhe ish-ministri Fatmir Xhafaj. Ai pjesën e parë të fjalës ia dedikoi luftës politike, por në pjesën e dytë ndër të tjetra deklaroi se “qeveria do t’i bënte një shërbim të mirë vendit nëse në reflektim të kësaj që përjetuam dhe nevojës për t’u përballur me dëmet, të përgatiste e të bënte shumë shpejt publike një strategji të qartë reflektimi, të shoqëruar me një plan serioz veprimi”.

Kush janë 13 deputetët që nuk thanë asnjë fjalë në 13 seanca plenare

Në sesionin e fundit parlamentar vijon trendi i 20%-25% të deputetëve që nuk përfshihen në debatet parlamentare dhe një pjesë e tyre as nuk lënë as gjurmë në aktivitetin vendimmarrës parlamentar.

Referuar raportit të monitorimit të Kuvendit në periudhën shtator – dhjetor 2019 janë plot 27 deputetë që nuk kanë mbajtur asnjë fjalim gjatë kësaj periudhe, ndonëse vendi u përball me një katastrofë të jashtëzakonshme, siç ishte tërmeti i 26 nëntorit.

Nga të dhënat e tabelës rezultojnë se bëjnë pjesë.

-1 deputet nga Grupi “Demokrat”,

-7 deputetë pa grup parlamentar,

-5 deputetë nga Grupi i “Pavarur”,

-2 deputet nga Grupi i “Partive të Djathta”

-12 deputetë nga Grupi i PS-së.

Në këtë të fundit bëjnë pjesë emra të njohur të politikës përfshirë bashkëkryetarin e Komisionit të Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri (aktiv në Komision, por jo në seancë), deputeti me përvojë Spartak Braho (aktiv në media, por jo në parlament), si dhe deputetë të tjerë që kanë bërë “headline” në media gjatë këtij sesioni si Rrahman Rraja.

Po ashtu në listën e “të heshturve” në seancat plenare bëjnë pjesë edhe rreth 5-6 deputetë nga lista e 10-15 deputetëve me më shumë përfitim financiar nga trajtimi i funksionit të deputetit gjatë vitit 2019.

Pjesa tjetër e tabelës së efektivitetit merr në konsideratë dhe është në interes publik edhe për deputetët që kanë qenë më pak efektivë gjatë sesionit të fundit parlamentar. Siç shihet nga tabela, përveç deputetes së re Enada Kapllani e ardhur nga lista e LSI Vlorë, dy deputetët më pak efektivë janë dy emra të njohur të politikës dhe të jetës parlamentare, – ish ministri Lefter Koka dhe deputeti Tom Doshi.

Në listë bën pjesë edhe ish deputeti i PS Gjetan Gjetani tashmë i pavarur, deputeti Paulin Sterkaj si dhe deputeti biznesmen Sadri Abazi. Në tërësi janë po ata emra, kryesisht lidhje të biznesit me politikën, që nuk kanë aktivitet parlamentar në atë masë sa të dëshmojnë nivel mesatar ose të lartë efektiviteti.

Interesante është se në listën e 18 deputetëve më pak efektivë në parlament gjatë sesionit të fundit bëjnë pjesë 12 deputetë nga prurjet e reja të pranverës 2019, një bilanc ky kritik për deputetët e rinj dhe për vetë parlamentin.

7 komente në “RAPORTI: Parlamenti si “noter” i Qeverisë, cilët janë gjashtë deputetët “rebelë” të PS-së”

  1. pjetri says:

    Kush eshte instituti studimeve politike dhe kush e perfaqeson apo eshte fantazem? Se mos e drejton ndonje tropojan dhe merr parate e taksapaguesve se do i dale rrenja pastaj qe nuk ve as emrin. Degjoja mbrene ne emisionin e Nano Skraparit zonjen e nderume Harxhi dhe 50% te fjaleve i thoshte anglish dhe 50% i thoshte gjysem shqip dhe qenkesh drejtore albania politik (!) Vetem nuk ndoq edhe Celo Hoxhen ne institutin e krimeve kunder demokracise! Po ç’jane keto institute, ka qeveri apo jo dhe kujt i sherben, pse nuk i mbyll, ka kontroll shteti apo Bujar Leska ka pune te tjera me Saliun çfare bari ha, eshte bere vetem institute dhe drejtor Shqiperia e pastaj thone pse iken rinia! Po atje nuk ndertohet por sundohet nga keta qe bejne sikur shajne njeri tjetrin.

  2. Petrit says:

    Ne fakt pyetja e vetme qe behet ne kete rast është :
    A ka parlament ne shqiperi ?

    1. Kalec Dega says:

      Po , si nuk paska parlament!
      Ai eshte Parlameti privat i Albanistanit.
      Njihet ndryshe edhe si Parlamenti me sekretar partie Rucin dhe anetare, tualete e kone.
      ose
      Parlamenti i mafjes Albanistaneze kryesuar nga Rucat e Brahot…lol!

  3. Hydajeti says:

    Skaanje te keqe se nuk flasln ne rast nevoje therrasin cobaneshen Loku nga MIRDITA POR HARROJ TA PYESIN SE ku i ka marr leket me bler dhite

  4. Dymi says:

    Institut leshi që merret me cicmice. Cfare studimi është ky. Thjesht statistikë, sa votuan, sa nuk votuan , sa folën në seancë, sa nuk folën. Mirë që nuk paraqesin një statistikë sa peshon njëri apo tjetri.

  5. nari says:

    Nuk kam arritur te kuptoj ndonje gje nga ky shkrim. Nuk e mora vesh se cilet jane gjashte deputetet rebele qe paskan votuar kunder.
    Njeri abstenoi, tjetri u largua nga salla.
    Nje lemsh logjik tipik i gazetareve tane injorante.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje