Mosmarrëveshjet: A do ta thyejnë rekordin Kurti e Mustafa? Ja sa kohë ka marrë formimi i qeverive ndër vite

18 Janar 2020, 17:39Rajoni TEMA

Në kohën kur do të duhej që të bëheshin analiza e vlerësime për 100-ditëshin e qeverisjes në Republikën e Kosovës, po bëhen parashikime rreth të mundësisë për formimin e koalicionit qeverisë mes dy partive që dolën të parat në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura më 6 tetor të vitit të kaluar.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, partitë që dolën të parat, kishin filluar të harmonizojnë programin qeverisës menjëherë pasi u mbajtën zgjedhjet. Por, edhe pse kanë kaluar tashmë më shumë se tre muaj nga përfundimi i zgjedhjeve ato nuk kanë arritur të finalizojnë marrëveshjen për koalicion, gjë e cila do të mundësonte formimin e menjëhershëm të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës.
Vonesa për formimin e institucioneve në Kosovë, kishte pothuajse secilën herë që u mbajtën zgjedhjet parlamentare.

Kjo është e shtata herë që nga përfundimi i luftës së vitit 1999, që mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë, kurse, e vetmja qeveri e cila u formua në më pak se 41 ditë, ishe ajo e vitit 2004, ku partia fituese ishte LDK-ja me 45.42 për qind, kur bëri koalicion me AAK-në e kryeministër u zgjodh Ramush Haradinajn.

Rekordin për kohën më të gjatë që mori formimi i qeverisë e mbanë qeveria e vitit 2014, kur marrëveshja e koalicionit, e cila u bë mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, i dha Isa Mustafës postin e kryeministrit.

Nga zgjedhjet e mbajtura më 6 tetor e deri më sot, janë bërë tashmë 104 ditë.

Në një prononcim për Telegrafin, analisti, Fitim Salihu tha se vonesa në formimin e institucioneve qendrore do të ketë ndikim fillimisht shoqëror, pastaj do të ndikoj edhe në financa e po ashtu do të ndikoj edhe në mbarëvajtjen e proceseve të rëndësishme për Kosovën.

“Ndikimi i parë do të jetë shoqëror. Me prolongimin e krijimit të koalicionit, dy partitë politike po e neglizhojnë urgjencën e ndryshimeve, siç i kishin premtuar gjatë fushatës zgjedhore. Kësisoj, ata po e ngulfasin entuziazmin qytetar që ka ekzistuar gjer së voni. Së dyti, kjo mund të ketë hipotetikisht kosto makrofinanciare sepse po i afrohemi afatit për miratimin e buxhetit. Edhe pse partitë politike janë zotuar se do e votojnë buxhetin, prapëseprapë ngel shqetësimi rreth tij. E, së treti, kjo do të ketë kosto politike sepse Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri të re që do kishte legjitimitetin për të përballuat çështjet e mëdha që na presin – që nga Gjykata Speciale dhe finalizimi i negociatave me Serbinë, gjer tek liberalizimi i vizave dhe lufta kundër korrupsionit”, tha Salihu për Telegrafin.

Vonesat në formimin e qeverive gjatë zgjedhjeve të mëhershme kishin pasur ndikim në mënyrë të ndryshme, përveç asaj të vitit 2001, kur Kosova ishte nën mbikëqyrjen misionit të UNMIK-ut, ku nuk kishte ndikim në financa, ashtu siç mund të ketë tani nëse nuk formohet qeveria para 31 marsit.

“Gjersa në vitin 2001 pothuajse të gjitha kompetencat ishin në duar të UNMIK-ut dhe kjo vonesë, pos kostos politike, nuk ndikonte në mbarëvajtjen makrofinaciare të vendit, pas vitit 2014 Kosova i ka vuajtur pasojat e asaj krize institucionale. Për shembull, nëse shikojmë investimet e huaja direkte mund ta shquajmë një rënie të tyre në vitin kur Kosova e pati atë krizë”, u shpreh Salihu.

Salihu thotë se asnjëherë më parë nuk kemi qenë në një situatë të tillë, kur partitë politike të pajtohen për koalicion, t’i kenë edhe numrat në Parlament të cilat i mundësojnë formimin e qeverisë, por që prapë nuk e bëjnë marrëveshjen.

“Arsyet e vonesave ndër vite kanë qenë të llojllojshme. Për shembull, derisa pas zgjedhjeve të vitit 2001 arsyeja ka qenë tek refuzimi i LDK-së për t’ia ofruar pozitën e kryeministrit Hashim Thaçit (ndonëse jo PDK-së), në vitin 2014 pati ndodhur bllokada e famshme institucionale kur partitë e bllokut VLAN refuzonin të futeshin në koalicion me partinë fituese, PDK-në. Pra, jo çdo herë arsyet kanë qenë të njëjtat. Por, asnjëherë nuk ka ndodhur sikur tani që dy parti të pajtohen për t’u bashkuar në koalicion, t’i kenë numrat në Parlament për ta votuar qeverinë dhe sërish të mos e krijojnë atë”, tha Salihu.

Megjithatë, Salihu vazhdon të jetë optimist se marrëveshja e koalicionit do të bëhet, pasi ai mendon se të dyja partitë kanë qenë të gatshme për kompromis dhe se të dyja këto parti, si LVV-ja ashtu edhe LDK-ja do t’i bëjnë kompromiset në atë formë sa të hapte rrugë për formim të institucioneve dhe të mos dilte e dobët para elektoratit.

“Unë vazhdoj të jem prore optimist. Ndonëse komunikimin mes tyre po e dominon virulenca mediatike, në fakt, që të dy partitë kanë dhënë shenja se janë të gatshme për kompromis. Psh kur është dukur më së paku e gjasshme që VV-ja të hiqte dorë nga Presidenti, në ofertën e fundit ajo ia garantoi këtë pozitë LDK-së. Njëlloj, kur është dukur sikur LDK-ja është barikaduar prapa kërkesës që t’i ketë dy pozitat kryesore shtetërore – edhe Presidentin edhe kryeparlamentarin – ajo u shfaq e gatshme që ta ketë vetëm njërin syresh. Për rrjedhojë, këto janë shenja të qarta se dy palët mbase do të bëhen konstruktive, do të tërhiqen paksa prej pozicioneve të tyre të ngurta dhe do ta finalizojnë marrëveshjen e koalicionit. Besoj dhe mendoj se që të dy partitë do t’i bëjnë kompromiset e nevojshme. Secila nga to do të tërhiqet mjaftueshëm sa të hapte udhë për zgjidhje dhe mjaftueshëm sa për të mos dalur si e dobët në sytë e elektoratit të vet”, u shpreh Salihu.

Salihu ka treguar kohën e cila u është dashur partive politike për të formuar qeveritë ndër vite, të dhënat e të cilave i gjeni më poshtë:

Vonesat në themelimin e qeverive kosovare. Matjet i kam bërë prej ditës së zgjedhjeve gjer në ditën e votimit të qeverisë.

Sot bëhen 103 ditë nga zgjedhjet e fundit dhe akoma nuk kemi qeveri, kështu që qeveria e ardhshme VV-LDK – nëse do të zgjidhet ndonjëherë — do të jetë qeveria më e vonshme pas asaj të vitit 2014.

– 2001: 17 nëntor-4 mars — 106 ditë

– 2004: 24 tetor-3 dhjetor — 39 ditë

– 2007: 17 nëntor-9 janar — 52 ditë

– 2010: 12 dhjetor-22 shkurt — 72 ditë

– 2014: 8 qershor-9 dhjetor — 183 ditë

– 2017: 11 qershor-9 shtator — 89 ditë

– 2019: 6 tetor-17 janar — 104 ditë

3 komente në “Mosmarrëveshjet: A do ta thyejnë rekordin Kurti e Mustafa? Ja sa kohë ka marrë formimi i qeverive ndër vite”

  1. Johani says:

    Rekordi JO vetem eshte thyer por edhe shkarravitur as shum sa ska ndodhur kurre ne asnje vend te botes te behen bashk dy pole tersisht te kunderta, VV qe e njihnim si parti nationaliste dhe pro bashkimit kombetar dhe LDK-s nje parti pa asnje programme ose me mire me thene me program per ruajtjen e ish jugosllavise, pra si shpjegohet ky koalicion,VV paska mashtruar shqiptaret ateher duke pritur momentin qe te jeté e para dhe duke bashkeqeverisur me LDK qe njihet si lidhja e dikurshme komuniste qe ta ringjalli jugoserbine, prandaj eshte thyer rekordi te dashur,pra rekordi i poshtersise.

  2. shqip says:

    Edhe pse me mundim, js dola te lexoj deri ne fund kete artikull. Me ben pershtypje veçoria gjuhesore qe perdorin analistet , gazetaret, pa permendur njerezit e thjeshte. Pretendohet qe nje analist, apo diçka e ngjashme, ka nje minimum njohurish mbi gjuhen e shkruar shqipe. Eshte nje teme e debadueshme, por qe ne kete rast nuk ka te beje me dialektet qe formojne gjuhen e perditshme. Vini re, ne pak rreshta te nje artikulli, dhe sa fjale pa vend perdor analisti. “Me prolongimin, e ngulfasin, hipotetikisht, virulenca, barrikaduar ” . Shto ketu edhe shume fjale qe ndonese ne shqip, nuk kane formen e duhur te nje perdorimi normal. Ta zeme se jo te gjithe qe punojne ne fusha te ndryshme, duhet domosdoshmerishte te njohin ne menyre perfekte sintaksen. Po nuk kuptoj perdorimin e shpeshte te nje morie fjalesh qe “pushtojne” shqipen . Pastaj, jane vete gazetat qe duhet te bejne korrigjimin e nje shkrimi. Me pak fjale, te pakten te biem dakort per nje gje te perbashket. Shqipja standarte nuk eshte bere per njerin, e jo per tjetrin. E shkruajtur drejt dhe e pa cunguar me terma te huaj, aq me keq me shqiperim te deformuar, vetem sa demtojme veten. Bota ka rregulla per botimet ne faqet e shtypit. Perndryshe do lexoje brenda nje faqeje disa variante te gjuhes. Gje e cila krijon bezdi me se shumti.

  3. Flutura says:

    …perfundimisht, te paafte per te qeverisur.
    Me mire te vazhdonte si protektorat nderkombetar, te paafte si te vjetrit dhe me keq te rinjte, e kaNE NE GEN ANARKINE.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje