Pas dështimit të mundshëm të qeverisë mes Vetevendosjes dhe LDK, Albini pritet të vizitojë Tiranën ku do të përshëndesë edhe një herë gjithë ata që e mbështetën në përpjekje për formimin e qeverisë.
Në një parashikim të tij për këtë vizitë, Jari shkruan:
Të dashur demokratë!
Jari ju sqaron.
Pas dështimit në Prishtinë, Albini pritet të vijë në Tiranë për një vizitë zyrtare.
Besoj se i pari do të jetë takimi Rama- Kurti. Pritet që në mes të takimit, Rama do t’i fusë në zyrë për një foto Ermal Mamaqin.
Kur e priti herën e parë, i futi në mes të takimit aktorin francez Depardju. Tani do t’i fusë Ermalin.
Ky i fundit do t’i thotë: “Mos u mërzit o vëlla. Nisesh për mirë gjen keq. Ja kshu më ndodhi dhe mua me filmin për Tropojën”.
Pastaj do të vazhdojë takimin me Ilir Metën.
Ky i fundit, i cili njihet për afërsinë e tij me Ramushin, do të dalë para kamerave dhe do të thotë: Albini u nxitua në negociata. Nuk ka rëndësi sa mandate ke, po si i përdor ato. Albini nuk diti t’i përdorë mirë.
Pas kësaj vjen takimi me Lulin. Ky si zakonisht merr me vete dhe Çim Pekën në takime. Duke ngushëlluar Albinin në momentin që ndahen, Luli do të thotë: Nuk e kuptoj këtë që bëri Albini. Njeriu kur nuk është i sigurt që nuk fiton, nuk hyn fare në zgjedhje. Unë bëra pazar para zgjedhjeve të 2017 që do isha në qeveri dhe humba. Jo të hyj në zgjedhje pa pazar fare.
Pas kësaj Albini do të ulet në një takim me gazetarët që mbështesin kauzën e Vetvendosjes të kryesuar nga Lubonja dhe Bejte. Lubonja e pati cilësuar Albinin shpresën e fundit për një qeveri që të mos ketë lidhje me banditë, mos të ketë lidhje me klasën e vjetër politike, të mos ketë lidhje me oligarkët, të mos ketë lidhje me gazetarë të korruptuar. Por Luba mendon se duke qenë se Albini nuk ka takuar Fevzon, gjatë udhëtimit të tij të parë, ai ka minuar qeverinë Kurti-Mustafa, se është xheloz.
Tani kjo qeveri dështoi. Unë bëj thirrje,- do të thotë Lubonja, që Albini të zhvendoset në Shqipëri dhe ta bëjë këtu një parti politike, se në Kosovë nuk e kuptojnë mirë.
Pas këtyre takimeve, shpresoj që Albin Kurti të mos kthehet më në Kosovë, por të mbështesë protestat tona në Mars për rrëzimin e Edi Ramës dhe për shkuarjen në zgjedhje të reja.