Pas korespondencës së djeshme me gazetarin Piter të “Bild”, këshiltari Henz mori një mesazh të qartë, që “nëse shkrimi duhet të hiqet, duhet të paguani”.
Këshilltari Henz e konsultoi këtë me zyrën e Lulit dhe më pas vazhduan procedurat.
Sot ai i dërgoi një email falenderimi gazetarit Piter:
“I dashur Piter.
Të falenderojmë shumë për shërbimin.
Nuk e ke idenë se sa shumë entuziasëm ka ngjallur në PD fakti që ti arrite ta heqësh shkrimin.
Kjo është një gjë e rrallë.
Ata e kishin “Bild” si “RD” dhe nuk e besonin dot, që “Bild” të akuzonte Lulin njësoj si e kanë akuzuar gazetat amerikane apo angleze, që janë të Sorosit.
Ndaj dhe fshirja e shkrimit është kontribut i yti drejtëpërsëdrejti, pasi ti dhe na udhëzove për këtë rrugë.
Nuk di si të ta përshkruaj këtë situatën sot në PD.
Mua më morën në krah që nga dera e oborrit të jashtëm deri brenda në korridor, duke thirrur Merkel, Merkel, pasi siç e di, këta më dinë mua këshilltar të Merkelit dhe mendojnë që ajo e ka fshirë shkrimin.
Pastaj më doli para roja i PD dhe më tha “Rroftë Bundestagu”.
-Çfarë ka ndodhur, e pyeta përkthyesin?
-Ky e di që “Bild”-in e ka urdhëruar Bundestagu ta fshijë, më tha. Dhe mendon që ti ke folur me Bundestagun.
Pastaj u ngjita në kat të dytë dhe më doli para një djalë i shëndoshë, që është një udhëheqës i PD që shkon në Bruksel.
-Kjo është shuplakë e fortë e Bruskelit, më tha. Nuk lejon Brukseli të shahet Luli në “Bild”.
E kuptova që dhe ai kishte një version të tij për ngjarjen.
Më në fund kur arrita tek zyra e Lulit, e gjeta të freskët, si të sapo zgjuar nga gjumi.
-Paske fjetur i qetë, i thashë.
-Patjetër, më tha. Isha i sigurtë që Piteri do bënte diçka.
Pra i dashur Piter, ajo që ke bërë ti ka gëzuar të madh e të vogël në opozitë.
-Të paktën “Bild” të jetë me ne, thoshin. Të tjerat janë letra higjenike.
Dhe e gjitha kjo, falë teje u arrit.
Mua më ke bërë shumë punë, pasi të gjithë mendojnë se kjo është edhe vepra ime.
Në fakt pa ty s’do kisha arritur asgjë. Kushtoi pak, po ja vlente.”