Pas suksesit që pati video ndaj bashkiakut të Bulqizës, këshilltari Henz po shikon mundësinë e gjetjes së një bashkiaku tjetër, që mund të vihet në shënjestër.
Për këtë, mendoi se personi i përshtatshëm është Fevzo.
Dhe vendosi t’i shkruajë një letër:
“I nderuar Fevzo!
Në situatën e krijuar me akuzat ndaj bashkiakëve, kemi pasur sukses.
Deri tani dy nga ata i kemi hequr nga detyra, kurse tre i kemi njollosur, por nuk kemi mundur t’i heqim.
Por kjo nuk ka shumë rëndësi.
Edhe njollosja është një hap përpara.
Po të shkruaj se na duhet ndihma juaj për të njollosur këtë bashkiakun e Pogradecit.
Siç mund ta dini, kohët e fundit ky bashkiaku i Pogradecit, ka vendosur lule tek busti i atentatorit Kajo Karafili.
Kajo Karafili, sikur e di dhe ti, ka vrarë gjyshin tënd, se gjoja ishte grabitës i të varfërve në Pogradec.
Në fakt, Kajon e pat vënë Haxhi Lleshi ta vriste, se ai i kishte vrarë babain.
Tani që ti të mos dalësh fis vrasësish, duhet të ndëshkosh këtë bashkiakun që ka nderuar Kajon.
Për këtë, nuk na duhet një video.
Ti mund t’i thuash Doktorit para emisionit, se e thotë ai në emision.
Nëse nuk e thotë ai, thuaje vetë, sikur ke dëgjuar diçka për atë të Pogradecit, që duhet verifikuar, se vazhdon vetë Doktori nga sedra që pse e di ti dhe nuk e di ai.
Në dijeninë tone, ai ka qenë doganier, dhe doganierët dihet që janë të gjithë hajdutë.
Nëse është dënuar, atëhere ai duhet të shkarkohet.
Nëse nuk është dënuar, akoma më keq, ai duhet të hetohet, pasi nuk ka mundësi mos të ketë vjedhur.
Ne kaq na duhet nga ty, sa ta thuash, se pastaj vazhdojmë vetë.
Të lutem përpiqu t’ia mbushësh mendjen Doktorit para emisionit në grim, ta thotë.
Nëse jo, thuaje vetë, se njësoj na bën punë.”