Pas takimit të kryeministrit Rama me kancelaren Merkel dhe garancitë që ajo dha në emër të Gjermanisë për hapjen e negociatave, këshilltari Henz i nisi një letër Jarit, ku shpjegon pse kjo deklaratë nuk ka rëndësi:
“I dashur Jari!
Besoj se je mërzit me deklaratën e kancelares Merkel, por dua të të siguroj se ajo është thjesht propogandë.
Siç e di ti, Merkel ma kërkoi si nder mua, që Lulit dhe Metës të mos i mbetej qejfi që po priste Ramën, dhe më tha se do ‘t’i bëj qejfin kot para kamerave, pasi unë nuk kam gjë në dorë’.
Të gjitha gjërat në dorë i ka Bundestagu.
Ai dihet që ka vënë 9 kushte dhe Merkelin nuk e pyet fare.
Biles Merkeli kur do të flasë me ndonjë deputet në Bundestag, më thotë mua dhe flas me ata, që t’i hapin telefonin.
Problemi është që duke qenë në fund të karrierës së saj, Merkeli tani është e pafuqishme dhe brenda Bundestagut.
Ata shokët e mi deputetë as duan t’ia dinë fare për atë.
Biles njëri prej tyre kishte plan që të fuste ca gazetarë tek konferenca për shtyp dhe të thërrisnin ‘Rama ik’.
Por na doli një problem, se Merkel nuk di shqip dhe nuk do ta kuptonte.
Po të pyeste Ramën çfarë thonë, ai me siguri do t’i thoshte, thonë ‘Rroftë Rama’.
Ndaj e anuluam si aksion.
Siç dihet, Bundestagu e ka miratuar hapjen e negociatave me 9 kushte, dhe Merkeli tani nuk do ta çojë në rivotim.
Ajo do marrë atë mandat që ka nga Bundestagu dhe do nxisë hapjen e negociatave në pranverë.
Por të jesh i sigurtë, se Bundestagu pa i numëruar një për një ato kushtet, nuk e hap dritën jeshile.
Siç dihet, një nga 9 kushtet është tërheqja nga zgjedhjet e 13 tetort të Ilir Metës.
Ilir Meta nuk e tërheq kurrë atë datë.
Do t’i heqë vetëm vitin, por si datë 13 tetor do ta lërë, duke pritur çdo 13 tetor, të bëhen zgjedhje.
Dhe nëse Rama nuk bën ndonjë palë zgjedhje më 13 tetor, nuk ka negociata.
Këtë ja kanë bërë të qartë sapo u nda nga kancelarja Merkel.
Një shoku im deputet e kapi në korridor dhe i tha:
– Lodhesh kot me Merkelin, atë se pyet njeri. Këtu vendosim ne.
Rama tentoi t’i afrohej që ta korruptonte, por ai iku dhe nuk e kapi dot.
Ndaj të rrish i qetë, pasi siç ka thënë dhe Ilir Meta, ‘tani lojën e kam unë në dorë’. Merkeli është kot.”