Bylisi ka hedhur një hap para për të kaluar në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, pasi ka mposhtur Laçin me rezultatin e pastër 2-0.
Ballshiotët dominuan dhe falë golave të Shkallës dhe Ndrecës ia dolën të triumfojnë.
Sigurisht akoma nuk ka mbaruar asgjë, pasi janë edhe 90 minuta për t’u zhvilluar, por Bylisi është favorit për të kaluar më tej.
NDESHJA – 45 minuta mjaft të forta në Ballsh, teksa vendasit ishin më kërkues dhe rrezikuan në disa raste me Goxhën, Mëllugjën dhe Ndrecën. Portieri Stajila ishte në një formë të mirë dhe u bë pengesë për vendasit, duke mos lejuar golin në portën e tij.
Vendasit u detyruan të luajnë pa Guindo prej minutës së 25-të, pasi sulmuesi u dëmtua dhe në vend të tij u aktivizua Malçi. Në fakt nga fillimi në majë të sulmit ishte Goxha, i cili me fillimin e pjesës së dytë u kthye në prapavijë dhe i la vendin Qardakut.
Laçi nga ana tjetër u mundua të kundërsulmonte dhe në një nga rastet e rrezikshme Bicaj u detyrua ta ndalonte me faull Grecën, i cili do të dilte i vetëm me portierin Hidi. Fraksioni i parë i lojës u mbyll me rrjeta të paprekura.
Edhe në të dytën pati luftë të fortë sportive. Laçi rrezikoi portën e Bylisit me Grecën, por golin e gjeti Bylisi me anë të mbrojtësit Silvester Shkalla. Pas një goditjeje këndi, shtatlarti me kokë e devijoi topin dhe e çoi përtej vijës fatale.
Vendasit ngulmuan për të shënuar edhe një gol tjetër dhe ia dolën në fund, madje përmes një lojtari të formuar te Laçi.
Edison Ndreca, me një goditje të fortë detyroi portierin Stajila ta nxirrte topin nga rrjeta. 2-0, rezultat që nuk ndryshoi deri në fund.