Armand Duka ka dhënë një intervistë të gjatë për revistën e njohur “Forbes”, me këta që e quajnë stadiumin e ri si “Wembley i Ballkanit”.
Në fillim numri 1 i FSHF, ka folur për planin që kanë për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti, për të vazhduar më pas për ndërtimin e stadiumit “Air Albania” dhe në fund tregon për vështirësitë që ka pasur FSHF, ku thotë se në 2002, nuk kishin as zyra.
“Programi i FSHF synon mbledhjen e fondeve që deri në këtë moment kanë kaluar shifrën e 400 mijë eurove dhe kemi si qëllim ndërtimin e disa shtëpive, të cilat u prekën nga tërmeti. Kemi ngritur një komision që ka për detyrë të verifikojë rastet më të këqija për shtëpitë dhe të ndihmojmë ekonomikisht personat që humbën të afërmit e tyre. Duam të ndërtojmë të paktën 5 shtëpi.
Në 2012, qeveria shqiptare vendosi që stadiumin në Tiranë ta kalojë në pronësinë e Federatës. Në vitin 2015, kemi organizuar një konkurs pasi kishim dështuar më parë, për ndërtimin e stadiumit të ri. Aty vendosëm të bashkëpunojmë me ‘Albstar’, udhëheqësi i tregut të ndërtimeve në vendin tonë.
Në 21 prill të 2016 nënshkruam kontratën dhe nisëm menjëherë ndërtimin e tij. Koha e ndërtimeve dhe inagurimi në ndeshjen me Francën ishte me të vërtetë rekord. Ne si federatë kemi investuar rreth 10 milionë euro.
Ndryshimi nga 2002? FSHF atëherë ishte shumë e vogël, me një administrim modest dhe të ardhura të pakta. Kishim një sponsor prej 10 mijë eurosh dhe nuk kishim zyra.
Falë bashkëpunimit me FIFA-n dhe UEFA-n ndërtuam një kompleks trajnimi në periferi të Tiranës. Kemi ndërtuar zyra të denja dhe organizojmë gara në të gjithë vendin dhe për të gjitha nivelet, ndërsa edhe Kombëtarja sot është e vlerësuar.”, u shpreh Duka.