Përfshirja e teknologjisë në zgjedhje ka qenë gjithnjë një kërkesë e opozitës në Shqipëri. Para 2013 ishte Edi Rama që kërkonte të paktën identifikimin dhe numërimin elektronik të zgjedhësve, ndërsa që prej 2013 kërkesa përsëritet nga Partia Demokratike.
Nëse kërkesa për votimin elektronik ka qenë gjithmonë e opozitës, refuzimi ka mbërritur gjithmonë nga mazhoranca. Para zgjedhjeve të 2009, 2011 dhe 2013 demokratët e zvarrisnin këtë temë, deri kur vendi u afrohej zgjedhjeve për ta rrëzuar më pas me arsyetimin se koha për realizimin e një votimit të tillë ishte e pamjaftueshme.
Të njëjtën strategji ndoqi mazhoranca e re socialiste pas 2013 për ta rrëzuar. Kur votimi elektronik diskutohej venitur para zgjedhjeve vendore të 2015, pak muaj para procesit socialistët në parim ishin pro testimit, por cituan kohën e shkurtër në dispozicion për ta hedhur poshtë.
Testimit iu la derë e hapur për në zgjedhjet parlamentare të 2017 dhe u përfol për një shembull të ngjashëm si përpjekja e 2013-ës, ku të bëhej një projekt pilot në Tiranë, ku do të testohej identifikimi elektronik dhe një në Fier ku do të testohej numërimi elektronik. Për këtë projekt në 2013 u lëvruan 2.2 milionë euro, madje u blenë edhe pajisjet, por në fund nuk u prodhua asgjë. E gjithë zhurma u sfumua dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i drejtuar në atë kohë nga Lefteri Lleshi u tërhoq nga të dy projektet me rreth 2.2 milionë euro të çuara dëm, për të cilat Kontrolli i Lartë i Shtetit ngriti një padi në vitin 2016.
Projekti dështoi, por ai nuk e shoi entuziazmin që mbetej gjithmonë nga kampi i opozitës për votimin dhe numërimin elektronik. Në tetor të 2018, Lulzim Basha prezantoi platformën e Partisë Demokratike për zgjedhjet. Platforma ngrihej në katër shtylla kryesore. Së pari, ajo kërkon dekriminalizimin e procesit zgjedhor, ku Basha përfshin propozimin tjetër, atë të vettingut të politikanëve. Së dyti janë masat kundër shit-blerjes së votës. Së treti reduktim i shpenzimeve të fushatës për partitë politike dhe një financim tërësisht shtetëror të kësaj fushate dhe në fund, përdorimi i teknologjisë në votim dhe numërim elektronik.
Rama e komentoi nismën e Bashës dhe tha se nuk ishte njohur me platformën, por një qëndrim për kërkesën për votim dhe numërim elektronik e dha. “Kemi punuar dhe kemi gati të gjithë draftin bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR, plus pilotimin e votimit dhe numërimit elektronik. Jemi në pritje të palës tjetër”, u shpreh ai.
Thirrjet për një proces votimi dhe numërimi elektronik u përforcuan në prag të zgjedhjeve të 2017 nga opozita, e cila ushtronte presion ndaj Kryeministrit Rama duke e paraqitur kërkesën e saj si një propozim edhe të tijin kur ishte në opozitë.
Vetë Rama e mohonte se kishte kërkuar votim elektronik.
“E vërteta është se ne nuk kemi kërkuar asnjëherë votim elektronik. Kemi kërkuar vetëm identifikim elektronik te zgjedhësve në QV dhe numërim elektronik të votave. E kjo është lehtësisht e verifikueshme. Nuk e kemi kërkuar kurrë votimin elektronik, sepse askush, asnjë ekspert apo njohës i praktikave të mira elektorale, nuk na e ka keshilluar asnjëherë. Përkundrazi, na kanë rekomanduar të heqim dorë nga kjo ide sa herë kemi pyetur dhe prandaj as nuk e shtruam ndonjëherë si kërkesë votimin elektronik. Ashtu sikundër, nuk na e kanë këshilluar kurrë as identifikimin elektronik, me plot argumenta që nuk është ky vendi per t’i renditur. Nuk po zgjatem këtu edhe me faktin se qeveria e vjetër atëhere ishte kategorikisht kundër për identifikimin elektronik, ashtu siç ishin kundër për hir të së vërtetës edhe ekspertët e OSBE/ODHIR-it, edhe një pjesë e vetë ekspertëve tanë”, deklaronte Kryeministri.
Koha nuk premtonte, por opozita ishte e bindur se nëse kishte vullnet politik votimi dhe numërimi elektronik realizohej, pasi siç këmbëngul edhe sot sistemi që duhet ngritur është i thjeshtë; votim dhe numërim elektronik duke përdorur teknologjinë në qendrat tradicionale të votimit.
Por, veç mazhorancës, me argumentin se koha nuk premtonte këtë propozim të demokratëve e rrëzoi edhe OSBE.
“Votimi elektronik është një proces shumë kompleks që kërkon një planifikim të imtësishëm dhe në kohën e duhur të mënyrës se si do të blihen pajisjet (ky duhet të jetë një proces i komplikuar prokurimi); mënyrës se si do të vlerësohet, certifikohet dhe garantohet siguria e sistemit. Nevojiten fushata intensive për edukimin e zgjedhësve. Duhet të trajnohen edhe zyrtarët zgjedhorë”, deklaronte në janar të vitit të kaluar për Vizion Plus, kreu i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt.
Zgjedhjet u zhvilluan dhe teknologjia u shmang edhe njëherë tjetër. Demokratët dhe socialistët ringritën Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Kërkesa kryesore e opozitës mbeti votimi dhe numërimi elektronik, ndërsa mazhoranca kërkon, në dukje pa fort ngutje adresimin e problemeve të vjetra të proceseve zgjedhore të identifikuara nga raportet e OSBE/ODIHR.
Në janar të 2018-s, Bledi Çuçi, në atë kohë bashkëkryetar i Komisioni për Reformën Zgjedhore bënte një deklaratë kundër votimit elektronik.
“Përdorimi online i teknologjisë është diçka që tashmë nuk rekomandohet. Po heqin dorë kushdo që e ka tentuar ta fusi një gjë të tillë për shkak të sigurisë kibernetike në botë dhe opozita është vetëdijshme për këtë gjë”, deklaronte ai në një intervistë për Top Channel.
Pak ditë më vonë, Oerd Bylykbashi nga PD njoftonte se opozita nuk ishte tërhequr nga propozimi për votim dhe numërim elektronik dhe sqaronte idenë e tij.
“Pretendimi i PS se PD është tërhequr nga votimi elektronik është fals. Po flasim për votim elektronik, jo online. Zgjedhësi vjen paraqitet, identifikohet biometrikisht aty, voton në qendrën e votimit dhe vota mbetet në makinën, në pajisjen përkatëse. Nuk shkon online në KQZ për t’u manipuluar nga qeveria rrugës. Zgjedhësi do të ketë mundësinë të shohë fletën e votimit që printon makina, që të ketë garanci të plotë për procesin”, deklaronte ai.
Opozita thotë se kjo metodë do të reduktojë shit-blerjen e votës dhe manipulimin e rezultateve në numërim. Por, në një nga tryezat e organizuara në kuadër të reformës zgjedhore, ekspertët e OSBE/ODIHR u shprehën skeptikë. Ata rrëzuan pretendimin e opozitës së teknologjia redukton shit-blerjen e votës. “Akti i shitjes ose i blerjes së votës realizohet ditët përpara ditës së zgjedhjeve dhe jo në ditën e votimit”, thonë ekspertët e OSBE.
Debati është rindezur sërish, tashmë më Këshillin Politik, ku aktor nga opozita është sërish Oerd Bylykbashi, ndërsa nga socialistët Damian Gjiknuri dhe veç votimit elektronik PD përfshin në platformën e saj edhe pika të tjera, që beson se do të garantojnë një proces zgjedhor të lirë dhe të drejtë.
Edhe njëherë tjetër socialistët u shprehën pro parimisht, por kërkojnë kohë që të konsultohen. Por, pikërisht koha është ajo që u mungon. Së pari është 15 marsi, afati i punës së Këshillit Politik brenda të cilit palët duhet të kenë hartuar një draft të përbashkët për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe ta dorëzojnë atë në Parlament.
Së dyti janë zgjedhjet jo më vonë se 2021-i. Kjo do të thotë se në rastin më të mirë, për testimin e votimit elektronik në dispozicion është pak më shumë se një vit kohë, që nëse do t’u referohemi shembujve që mbërrijnë nga përpjekjet e së shkuarës për të njëjtën temë, është e pamjaftueshme dhe e pamjaftueshme mbetet pambarimisht përsa kohë Shqipëria zhvillon zgjedhje çdo dy vjet. (si)