Eric Dier u ngjit thellë në shkallët e stadiumit të Tottenham, pas humbjes së mbrëmshme në “FA Cup”, ndaj Norwich, për t’u përballur plot zemërim me një tifoz.
Fotografi dhe video të shumta qarkulluan në rrjetet sociale, që tregojnë shpërthimin e çmendur të Dier, i cili la fushën e blertë dhe shkoi deri te tifozët, për t’u përleshur me ta.
U desh ndërhyrja e forcave të sigurisë, që të evitohej kontakti i ashpër fizik. Duke iu referuar trajnerit të Tottenham, Jose Mourinho, reagimi i tërbuar i Dier erdhi për shkak se kishte parë një tifoz të konfliktohej me vëllanë e tij.
Prandaj, futbollisti i “Spurs” kishte nxituar për të ndërhyrë, edhe pse duke i kaluar kufijtë që i lejohen. Tifozi në fjalë kuptohet se tashmë është identifikuar nga klubi, që po heton çështjen.
Federata Angleze e Futbollit, gjithashtu, ka vendosur të hapë një hetim. Mourinho i dënoi veprimet e lojtarit të tij, por tha se e kupton pse reagoi ashtu, ndaj i kërkoi klubit dhe FA të mos e ndëshkojnë 26-vjeçarin.
Mourinho tha: “Unë mendoj se Eric Dier bëri diçka, që për ne profesionistët është e ndaluar. Por, në këto rrethana, secili prej nesh do ta bënte. Sepse, kur dikush ju fyen dhe familja juaj është atje (te tifozët që ofendojnë), nuk mund të rrish pa reaguar.
Eric pa vëllain më të vogël, që po konfliktohej me një tifoz, i cili e kishte fyer tërë kohës lojtarin tonë. Reagoi si çdo njeri në kësi rastesh, por për ne profesionistët kjo gjë është e ndaluar.
Por, e përsëris, me siguri të gjithë do ta bënin atë gjë, në një situatë të tillë. Unë e kuptoj lojtarin. Ky person po fyente Eric, ndërsa familja e tij ishte atje. Vëllai i vogël nuk ishte i kënaqur me situatën dhe u përfshi në sherrin me tifozin.
Eric pa atë që po ndodhte dhe shkoi të ndërhynte, largoi vëllain nga zona e nxehtë. Nëse klubi e dënon atë, unë nuk do të pajtohem, por Eric bëri gabim”.