Gafa e rëndë e legjendës së Brazilit, policia arreston Ronaldinho-n

5 Mars 2020, 10:23Sport TEMA

Ronaldinho është arrestuar në Paraguaji, pasi dyshohet se ka përdorur dokumente false për të hyrë në vendin e Amerikës së Jugut.

39-vjeçari, i cili fitoi Kupën e Botës me Brazilin më 2002, u arrestua në “Resort Yacht & Golf Club Paraguayo” së bashku me vëllain e tij, Roberto, të mërkurën në mbrëmje, ka konfirmuar Ministria e Brendshme e Paraguajit.

Sipas “La Nacion”, në hotel u gjetën pasaporta që mbanin emrat e Ronaldinho dhe Roberto me kombësi paraguaneze. Të dy vëllezërit ishin sistemuar në një suitë të hotelit në fjalë.

Në një deklaratë zyrtare të policisë paraguajane është konfirmuar se Ronaldinho dhe njerëzit që e shoqëronin ishin ftuar në Paraguaji nga pronari i kazinosë, Nelson Belotti.

Ish-sulmuesi brazilian pritej të zhvillonte disa evente publicitare, me media të ftuara për të dëshmuar bashkëveprimin e tij me tifozët dhe personalitetet.

Ronaldinho aktualisht është pa një pasaportë braziliane, për shkak të bllokimit të saj nga gjykata. Ai është gjobitur për krime mjedisore në vitin 2018.

Po ashtu, ish-ylli i Barcelonës dhe vëllai i tij u dënuan për ndërtimin e paligjshëm të një moli peshkimi në Liqenin Guaiba, më 2015, pa pasur licencimin e duhur në një zonë të përhershme të ruajtur nga shteti.

Për ta u dha një gjobë prej 8.5 milionë dollarë në nëntor 2018 dhe, pasi nuk arriti ta paguante atë, Gjykata e Lartë e Drejtësisë së Brazilit vendosi t’ia ndalojë largimin nga vendi. Për këtë, Ronaldinhos iu bllokua pasaporta.

Por, pavarësisht se nuk ishte në gjendje të udhëtonte jashtë Brazilit, Ronaldinho u emërua një nga ambasadorët e rinj të vendit për turizmin, shtatorin e vitit të kaluar.

Në Paraguaji, pra, kishte shkuar me pasaportë false, ndaj është arrestuar.

Ronaldinho pati një karrierë të shkëlqyer në Amerikën e Jugut dhe Europë, duke fituar Champions League, La Liga, Serie A dhe “Copa Libertadores”.

Ai gjithashtu, fitoi çmime të shumta individuale, duke përfshirë “Topin e Artë” më 2005 dhe “Lojtari më i mirë i FIFA-s”, më 2004 dhe 2005.

I lindur në Porto-Alegre, ai ngriti trofeun e Kupës së Botës në Korenë e Jugut dhe Japoni, më 2002, dhe “Copa America”, më 1999.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje