Personeli i Institutit të Shëndetit Publik ka shkuar në ambientet e bizneseve të dy personave që rezultuan pozitiv me koronavirus për të bërë dezinfektimin.
Abc News zbuloi që në mëngjes se bëhej fjalë për babë e bir me origjinë nga Puka dhe banorë në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë.
Sipas gazetarit Abc News, specialistët e ISHP kanë dezinfektuar bizneset për disa minuta.
Babë e bir, V.K, 54 vjeç dhe P.K, 28 vjeç janë pronarë të një bar kafeje dhe një lavazhi në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë dhe kanë hyrë nga pika e Muriqanit më datë 26 shkurt.
Mësohet se gjatë ditës së sotme janë izoluar të afërmit e tjerë të personave të prekur me koronavirus me qëllim shmangien e infektimit të personave të tjerë.