Mjeku kardiolog: Si mund të shmangim pasojat nga CoVid-19 për të sëmurët kardiakë

21 Mars 2020, 22:15Sociale TEMA

Entela Resuli

Meriton Siqeca është mjek kardiolog pranë spitalit “Shefqet Ndroqi”, Tiranë. Një nga spitalet që do të pres gjithashtu të infektuarit me koronavirus në ditët në vazhdim.

“Si çdo agjent i jashtëm, i dëmshëm, për organizmin e njeriut, edhe koronavirusi CoVid-19 shkakton reaksion të fuqishëm inflamator në organizëm”- shprehet doktor Siqeca, i cili u kërkon të gjithëve që të qëndrojnë të izoluar, pasi kështu ndihmojnë veten dhe mjekët.

Sipas tij, izolimi e redukton përhapjen me 80 për qind, për këtë arsye duhet të sakrifikojmë disa ditë për të jetuar normalisht më pas.

Në këtë intervistë në Dita, mjeku kardiolog nga Sanatoriumi, na tregon se çfarë do të ndodh më këtë spital në ditët në vazhdim dhe si mund të ndihmojmë të gjithë për të shmangur pasoja të frikshme që mund të na sjell ky koronavirus.

-Doktor, ju jeni mjek kardiolog, sa të rrezikuar janë pacientët që vuajnë nga zemra, nga Covid-19?

Nga pikëpamja e zemrës, nuk është parë që virusi të jetë i lidhur me shfaqjen e sëmundjes koronare akute. Megjithatë, nga të dhënat e marra nga qendra të ndryshme spitalore në botë, gjatë kësaj kohe, është lidhur bashkekzistenca e CoVid-19 me miokarditin (inflamacion i muskulit të zemrës). Megjithatë, më duhet të theksoj se janë edhe shumë viruse të tjerë që mund të shkaktojnë miokarditin dhe, në këtë aspekt, edhe ky virus nuk del jashtë të zakonshmes. Ndërsa, sa u përket pacientëve me sëmundje kronike të zemrës (pamjaftueshmëri e zemrës – insuficiencë kardiake), ky virus është sjellur në mënyrë agresive pikërisht te këta individë që, përveç moshës, kanë edhe sëmundje të tjera kronike, të zemrës, por edhe të sistemeve organore të tjera.

-Çfarë kujdesi duhet të bëjnë ata?

Te personat pa sëmundje kardiake të mëparshme, kujdesi përqendrohet në masat e përgjithshme që duhen marrë për të parandaluar infektimin, si dhe masat apo këshillat higjieno-dietetike të përgjithshme për një jetë të shëndetshme, që vlejnë për çdo të rritur mbi 18 vjeç. Për masa specifike, nuk do shtoja asnjë kujdes më tepër se sa ato të rekomanduara nga OBSh-ja dhe stafi shëndetësor kudo, por vetëm të ndiqen rigorozisht këto rekomandime për parandalimin e infektimit me COVID-19.

-Pse CoVid-19 nuk është një grip si gjithë të tjerët?

Ka shumë teori, patjetër dhe të vërteta. Ne aktualisht akoma jemi në fazën e njohjes me këtë virus. Po ta ndiqni me vëmendje, nuk ka një patern të veçantë dhe referime të ndryshme mund të gjeni nga spitale të ndryshme që po përballen me këtë pandemi. Gjithmonë ekziston teoria e virusit të ri dhe mos-imunizimit të popullatës së gjerë. E njëjta gjë në histori ka ndodhur edhe në pandemitë e influencës, gripit A H1N1, gripit A H5N1, e të tjerë. Edhe për këto infeksione që sapo rreshtova, ne vazhdojmë ndeshemi me raste vit për vit, por virulenca dhe agresiviteti i tyre ka ardhur në rënie me kalimin e viteve, patjetër edhe me medikamentet tashmë të stabilizuara për trajtimin e tyre, pas muajsh e vitesh eksperimentimi dhe studimesh të gjera. Kjo e fundit që theksova, kuptueshëm, mungon për COVID-19 dhe rezultate shpresëdhënëse dhe premtuese studimesh po na vijnë tashmë nga shumë qendra.

-Sot në Tiranë ka patur shumë njerëz në rrugë, çfarë mund të na sjell kjo sjellje?

Unë nuk jam dakord me daljen në masë. Besoj që ndërmarrja e masave që njerëzit të qarkullojnë vetëm në orare të caktuara është shumë e qëlluar. Na takon të gjithëve të bëjmë pjesën tonë në këtë pandemi. Rekomandimi numër 1 në nivel botëror është të shmanget kontakti masiv ndërmjet njerëzve, sepse është parë që vetëm një masë e tillë, kaq e thjeshtë, që është në dorë të secilit nga ne, e ul me 80% mundësinë e shpërhapjes së virusit. Kjo nuk është për të ndjellë panik, përkundrazi, kjo është një informatë dhe, mbi të gjitha, i mëshoj fuqishëm, sepse këtë fuqi e kemi të gjithë pa dallim. Do të rekomandoja që, sikurse unë apo edhe të tjerë, të bëjnë furnizime ushqimore dhe farmaceutike më afatgjata dhe në asnjë mënyrë në mënyrë të përditshme. Duhet të ndërgjegjësohemi të gjithë që me sipërmarrje kaq të thjeshta kemi mundësinë t’u zgjasim jetën më të dashurve tonë.

Meriton Siqeca, kardiolog

-Çfarë shkakton koronavirusi tek ata pacientë të cilët vuajnë nga sëmundje kronike?

Si çdo agjent i jashtëm, i dëmshëm, për organizmin e njeriut, edhe koronavirusi CoVid-19 shkakton reaksion të fuqishëm inflamator në organizëm. Nuk po i futem specifikave. Në organe apo sisteme organore të dëmtuara në mënyrë kronike, kjo përgjigje e fuqishme inflamatore nuk është “e mirëpritur” dhe e fut gjithë organizmin në një cikël, i cili fillimisht është mbrojtës, po shpejt shndërrohet në sulmues për këto sisteme organore “pa hyqëm”. Deri tani është parë që ky virus shkakton pneumoni intersticiale dhe prek pikërisht njësinë funksionale të mushkërisë, ku dhe ndodh shkëmbimi i gazeve.

-Ka nga ata të rinj që thonë se: ne jemi të rinj dhe nuk na gjen gjë, sa e vërtet është kjo?

Keni shumë të drejtë. E kam hasur si pyetje në përditshmëri këtë dhe është një keqkuptim masiv. Preken dhe të rinjtë, madje po aq sa dhe grupmosha të tjera të popullatës. Nga të dhënat që marrim nga e gjithë bota, është shumë e ulët vdekshmëria te moshat e reja (por kjo nuk do të thotë që nuk preken). Mundësia është shumë më e lartë që një përqindje ndjeshëm e lartë e të rinjve do ta kalojnë vërtetë si grip i thjeshtë, kur preken, nëse preken. Në aspektin epidemiologjik të fjalës, kjo ka barrë shumë të madhe mbi popullatën, sepse këta të rinj, në mos bashkëjetojnë, janë në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e tyre më të brishtë. Popullorçe fare, nëse ne të rinjtë edhe mund ta kalojmë si grip të zakonshëm, kemi potencialin të infektojmë njerëzit në shtëpi apo të afërmit, që janë me sëmundje kronike apo në moshë me vdekshmëri më të lartë nëse infektohen.

-Sa ndihmon izolimi në mospërhapjen e kësaj sëmundje?

Tashmë është vërtetuar që izolimi e redukton përhapjen me 80%. Është një virus që, sipas testimeve të bëra në Kinë, qëndron 3-4 orë në ajër. Ajo që është më shqetësuese është se është parë se qëndron 24-48 orë në sipërfaqe të ndryshme të kontaminuar nga njerëz të infektuar. Gjithmonë, duke iu referuar këtyre testimeve, këto sipërfaqe janë dyshemeja, tavani, doreza e derës, materialet inoks, kapakët e ëc-ve e të tjerë. Është e gjitha zinxhir sepse, po nuk dole, po nuk rrite probabilitetin për t’u infektuar, minimizon deri në zero që të kontaminosh këto sipërfaqe në shtëpi apo në vendin e punës.

-Të gjithë pyesin në këto momente: kur do të largohet, sa do të zgjas?

Në bazë të të dhënave të deritanishme, të cilat po i ndiqni hap-pas-hapi edhe Ju, gazetarët, shtetet e infektuara prej kohësh nuk kanë dalë akoma nga kjo gjendje. Unë do të isha magjistar po dhashë shifra, por një gjë e di – nuk do ndodhë për çështje javësh. Një shpresë na buron nga fakti që, si shumë viruse, nuk është i qëndrueshëm në temperatura të larta, andaj jemi me shpresë që në fillim të verës.

-U tha se Sanatoriumi do të vendosët në dispozicion të sëmurëve me CoVid-19, në ç’fazë jeni tani?

Po, është një ndër deklarimet e para të Ministrisë së Shëndetësisë kur u shënua rasti i parë, që Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” do të jetë spitali rezervë – apo COVID-19 2 – pas repartit të sëmundjeve infektive që aktualisht është COVID-19 1. Në bazë të deklaratave, di që ky spital aktualisht është në dispozicion, duke filluar nga dita e mërkurë. Besoj që rastet do të fillojnë të vijnë në këtë spital, pasi të jetë mbushur, me shpresë jo, spitali infektiv, qoftë në aspektin e numrit të të shtruarve, qoftë në aspektin e numrit të përballueshëm të pacientëve që kanë nevojë për terapi intensive.

-Shumë mjek të infektuar janë të Spitalit “Shefqet Ndroqi”, pse u kthye në një vatër infektimi ky spital?

Besoj se vatër infektimi në këtë spital janë bërë pacientët. Ky spital ka shumë departamente dhe pacientë që qëndrojnë i shtruar aty, do të kalojë nëpër shumicën e tyre (pritet në urgjencë, bën grafinë apo skanerin, shtrohet në pavijon). I përmend këto hallka, që të krijoni një ide se me sa persona të personelit arrin të komunikojë një pacient. Disa pacientë janë pranuar në spital në bazë të sëmundjes kronike të akutizuar, që u ka shfaqur probleme në një moment të caktuar.

Këta pacientë janë shtruar në pavijonin përkatës, për trajtimin e sëmundjes akute apo kronike përkatëse dhe gjatë këtij shtrimi (që mund të shkojë nga disa ditë në pak javë) jo gjithmonë është dyshuar patjetër për COVID-19. Si rrjedhim, personeli në kontakt, familjarët vizitorë, pacientët e tjerë të shtruar në të njëjtën dhomë me të, janë infektuar. Vlen të theksoj që vetëm disa prej tyre. Të mos keqkuptohemi, flasim për periudhën që në shtetet përreth kishte shpërthyer epidemia, ndërsa ne nuk kishim shënuar akoma rastin e parë. Shfrytëzoj këtë moment të apeloj te të gjithë qytetarët që kanë qenë jashtë shtetit apo kanë pasur kontakte me njerëz që vinin nga jashtë Shqipërisë, ta deklarojnë këtë që sa shkelin në urgjencë. Sepse të jesh i infektuar me COVID-19 sot dhe të mos tregosh, është ekuivalente sikur ke një pushkë gati për të shkrepur.

-A keni dijeni se cila është gjendja e kolegëve tuaj për momentin?

Në dijeninë time edhe nga kontaktet telefonike me ta, të gjithë janë të karantinuar dhe në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

-Cila është sfida më e madhe me të cilën mund të përballemi në ditët në vazhdim?

Mendoj që sfida më e madhe i takon popullatës, të cilët janë të lutur të na vijnë në ndihmë. Ne po punojmë dhe të gjithë jemi 24 orë në dispozicion, sepse mund të kemi skenare dhe më të frikshme ku, një-nga-një, të preken shumë mjekë e staf tjetër shëndetësor, dhe të detyrohen të karantinohen. Andaj, në radhë të parë, të respektojmë konceptin e fjalës PARAndalim, të gjithë së bashku. Edhe ne, stafi shëndetësor, se kur nuk jemi në vend të punës, qytetarë të popullatës jemi njësoj si të tjerët. Në rang botëror, mendoj se sfida është në gjetjen e preparatit trajtues që ndihmon më së shumti në luftimin e këtij virusi. Ka studime premtuese, deri tani, që na vijnë nga Kina, nga vende të ndryshme të botës, por edhe nga preparatet ekzistuese në treg (që deri më sot janë përdorur për trajtimin e infeksioneve virale të tjera) që, shpresojmë që aprovohen sa më shpejtë për tregtim dhe trajtimin e këtij virusi.

-Keni një mesazh për të dhënë për të gjithë lexuesit?

Si mjek dhe si qytetar i thjeshtë, nuk kam mesazh, por lutje për të gjithë lexuesit Tuaj dhe gjithë popullin Shqiptar, respektoni rekomandimet e OBSh-së, me daljen nga shtëpia rrisni ndjeshëm gjasat që të infektoni veten dhe familjarët tuaj. Respektoni rregullat e higjienës personale dhe mjedisore. Respektoni të gjitha rekomandimet për mbrojtje (vendoseni maskën kur jeni në kontakt me të tjerët, vishni doreza dhe mbërthejini mbi mëngë, përdorni xhel dezinfektues). Shfrytëzoj këtë hapësirë të përshëndes të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët, stafet e ambulancave, farmacistët, policët, ushtarët, gazetarët dhe të gjithë furnizuesve. Janë momente të vështira të jetoni gjatë gjithë kohës në frikë, por duhet të jemi optimistë. Informohuni sa më saktë, nuk ka vend për panik, vetëm për zgjerim të dijeve. Shpresoj që me sa më pak dëme, por ne do t’ia dalim!

1 komente në “Mjeku kardiolog: Si mund të shmangim pasojat nga CoVid-19 për të sëmurët kardiakë”

  1. shoku says:

    E lexova me vemendje intervisten e doktorit kardiolog ,por nuk mesova as gje se cialt ishin deyrat e vecanta per ne qe kemi probleme kardike e sidomos ne qe kemi venosur stena e kemi bere bajpase. keto qe thote doktori kardiolog po bejme nje muaj qe i degjojme , dhe po i zbatojme.
    Tre dylym shkrim e asnje gje e vecante per kujdesin qe duhet te tregojme ne me semundjet e zemres… Aferim,o doktor i specialitetit !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje