Nga Julian Zyla
“Bashkë do t’ia dalim,” mbyll Kryetari i Partisë Demokratike një shkrim të shkurtër në rrjetet sociale. Ky slogan është përdorur gjerësisht nga qeveria shqiptare, pushteti lokal dhe aktorë të ndryshëm në vend dhe mbarë botën. Por, për t’u përshëndetur në këtë shkrim nuk është vetëm mbyllja. Nëse testohet, ky shkrim i Kryetarit të PD rezulton i gjithi pozitiv ndaj pozitivitetit dhe frymës bashkuese.
Por ç’ndodh nëse testojmë më tepër strategjinë e opozitës “për të arritur më shumë bashkim”? Me çfarë do të rezultonte opozita? Me pozitivitet? Me frymë bashkuese? Apo me një strategji drejt së shkuarës, berishizëm 2020?
Njëkohësisht me foton e Kryetarit Basha duke bërë pazarin e me thirrjet e tij për më shumë durim, shohim kronika me akuza ndaj qeverisë për fshehje të numrit të vërtetë të të prekurve nga virusi SARS-CoV-2, që shkakton sëmundjen COVID-19.
Duke kërkuar më shumë testime, PD nënkupton pa dashur, ose me dashje, tre gjëra: 1. Vendimin për nivelin e testimeve, sipas opozitës, e merr qeveria sipas dëshirës. 2. Qeveria, sipas opozitës, duhet të testojë (vetë, ose nëpërmjet strukturave) edhe ata që nuk kanë simptoma dhe nuk janë kontakte të rasteve të konfirmuara me koronavirusin e ri. 3. Qeveria nuk teston me dashje, duke rrezikuar kështu, sipas opozitës, lejimin e qarkullimit të virusit në terren, duke firmosur me dorën e saj një dështim të punës së vetë.
Këto përfundime nuk kërkojnë as një testim të mëtejshëm. Janë rrjedhojë e strategjisë bazuar pjesërisht mbi teknika të suksesshme, me raste, në kohë berishiane. Hidh akuza, diçka do të mbetet! Por, kjo strategji, fatkeqësisht për PD, kërkon edhe një mungesë vëmendjeje nga ana e publikut. Jo të publikut mbështetës të PD, pasi ata njerëz i besojnë partisë së tyre, por pubikut të painteresuar në politikë.
Partia Demokratike bën mirë ndarjen e detyrave në komunikim: Doktorët akuzojnë mbi baza profesionale, pavarësisht se OBSH nuk i kërkon Shqipërisë diçka të tillë. Basha qëndron i pastër dhe duke këshilluar njerëzit të ndjekin këshillat e qeverisë, të cilat, në berishizëm-20 quhen thjesht udhëzimet e OBSH-së, ndryshe nga testimet, që Shqipëria ia fut nga mendja, sipas opozitës, kuptohet.
Në të shkuarën, Kryetari i Partisë Demokratike z. Sali Berisha, arrinte të mbyste me anë të përsëritjes, një teknikë tjetër e përdorur këtë kohë, zëra të ndryshëm, edhe nëse ishin në anën e arsyes. PD sot duhet të mendojë jo vetëm për sasinë e komunikimeve të saj, por edhe për faktin se kundërshtari ka mundësi mjaftueshëm për të komunikuar me emocionet e njerëzve, po aq sa PD dhe nëse nuk janë bërë mirë llogaritë me të vërtetën, akuzat bien mbi kokë si çdo llogari e bërë gabim, apo me qëllim mbushjen e kohës opozitare.
Së fundmi, nëse opozita do të kurohej nga simptomat e çdo lloj strategjie dhe nostalgjie nga e shkuara, dhe do të mbetej pozitive ndaj pozitivitetit dhe frymës bashkuese, sidomos në këtë periudhë, do të ishte… duke bërë detyrën e saj.
Mbi të gjitha, do të ishte duke i shërbyer më mirë jo vetëm Shqipërisë duke lejuar përhapjen e politikës pozitive dhe me sytë nga e ardhmja, por do të ishte duke i shërbyer më mirë edhe vetes.
Zoteri Zyla , te mendosh dhe te shkruash per politikat , pozite – opozite eshte ne te drejten tuaj , dhe mir beni . Por e rendesishme eshte te ruajm ekulibrin e fakteve dhe ngjarieve , te subjekteve me ne ze ,te saj . Pozita dhe opozita kane lideret e tyre legjitim , dhe ata levizin saktesisht politikat e tyre perkatese . .Nuk kuptova se , c’far kerkoni ju , me perzierien e ca mendimeve te z Berisha , – per problemet e kohes -me politikat e zoteri Basha , si lider i vetem dhe legjitim i opozites , per te njejtin problem . Per c’aresye perdoret , zoteri Berisha si kreu i opozites , kur s’eshte aspak keshtu . Perse ju duhet me pa tjeter te propagandoni dhe zvendesoni politikat e soteme te zoteri Basha , me politikat -berishiste – te se kaluares . Mos qellimisht , kemi deshiren e pa tundur ,- te trazojme- dhe te kenaqemi me ndonje perfitim te pa merituar . Zoteri Zyla , populli nuk ka nevoje per percarie , por per bashkim , vellazerim , dashuri , respekt e mirkuptim , te shkojme te gjithe se bashku ne perparim . Faleminderit