Nga Enver Robelli
Në kohën e pandemisë vuajnë edhe vjedhësit. Kur të gjithë janë nëpër shtëpi e banesa, vjedhësit nuk mund të futen aty dhe në qetësi të hallakatin e të marrin çfarë u duhet.
Kështu shkruante së fundi në një tekst satirik gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”.
Duket se kjo nuk vlen për një vjedhës të arrestuar në Fushë Kosovë.
Siç njofton policia e Kosovës, “dje në rrugën ‘Ernest Koliqi’ në Fushë Kosovë, është arrestuar një shtetas i Shqipërisë, pasi kishte kryer tri vjedhje në tri shtëpi të ndryshme”.
Me vendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Në fakt, vjedhësi do të duhej të merrte një medalje për guximin e tij.
Me aksionet e tij të suksesshme të vjedhjes, ai ka zbuluar se qytetarët e Fushë Kosovës nuk po rrinë në shtëpi dhe nuk po i respektojnë apelet e rregullat në kohën e pandemisë.
Ndoshta policia e Kosovës tash duhet të shkojë te ato tri shtëpitë e vjedhura dhe duke marrë shembullin e policëve në Indinë veriore, t’i detyrojë pronarët e shtëpive që në një fletore të shkruajnë me dorë 500 herë këtë fjali: “Nuk i kam respektuar rregullat e pandemisë, kërkoj falje, më vjen keq, betohem se nuk do ta përsëris këtë gabim, Kosova Republikë”.
Meqë vjedhësi është arrestuar në rrugën “Ernest Koliqi”, grupi letrar i policisë së Kosovës duhet t’ia dhurojë vjedhësit së paku këto vepra të Ernst Koliqit: “Hija e Maleve”, “Tregtar flamujsh”, “Pasqyrat e Narçizit” dhe “Shija e bukës së mbrûme”.
duhet te jet ber keq per mbushje gazete qe tema publikon edhe sms te torrobellit.