Në kërkim (të dëshpëruar) të një fabule!

23 Prill 2020, 09:48Blog TEMA
Në kërkim (të dëshpëruar) të një fabule!

Nga Skënder Minxhozi

Shikojeni foton më sipër. Janë infermiere në spitalit Mount Sinai West në Nju Jork, që kanë veshur thasë hedhurinash, për t’u mbrojtur nga infeksioni i koronavirusit në pavionet ku shërbejnë. Është një foto që bëri xhiron e botës në pak minuta, e që pasqyronte jo vetëm mungesën e materialeve sanitare bazë në sistemin shëndetësor amerikan, por edhe përmasën e paprecedent të pandemisë së koronavirus, e cila detyroi të vishen me thasë plehrash jo vetëm mjekët e infermierët e vendeve të botës së tretë, por edhe kolegët e tyre të vendeve shumë të pasura perëndimore.

Mungesa e materialeve bazë për të përballuar emergjencën koronavirus, ka qenë dhe vazhdon të jetë një sfidë ende e pazgjidhur për shumë sisteme shëndetësore të botës, nga Azia në Evropë, Amerikën Veriore dhe padyshim në kontinentet më të varfëra. Për të dhënë vetëm shembullim më flagrant, akoma sot, guvernatorët e disa shteteve të SHBA vazhdojnë të luftojnë publikisht me presidentin Trump, për mungesat e ventilatorëve, të shtretërve, maskave dhe veshjeve të specializuara. Mjaft shqiptarë që sot shërbejnë spitale e qendra shëndetësore në SHBA dhe Evropë, kanë dëshmuar për mediat shqiptare, se shpesh mungesat në paisje, janë normalja e ditës së tyre të punës.

Imagjinoni tani sesi paraqitet sfida e paisjeve mjekësore në këtë zallamahi infeksioni, për një vend të dobët, të varfër dhe të historikisht të pazotin për të pasur një sistem shëndetësor dinjitoz, si Shqipëria. Vendosini ato thasët e plehrave në foton e infermiereve amerikane, në kontekstin shqiptar të sapodalë nga tërmeti shkatërrues i nëntorit dhe që ka mbi krye institucione të dobëta, korrupsion endemik dhe biznes që fryhet me makina të shtrenjta e vila, por që fsheh lekët e trukon bilancet. Shtojini kësaj liste edhe disa dhjetra mijë njerëz të detyruar të mbyllen brenda, duke u privuar nga rrogat e tyre modeste, e do ta keni të qartë sfidën që luhet në spitalet shqiptare pas shpërthimit të pandemisë së Covid 19.

Prej kësaj teoreme të thjeshtë, del sesa snobe dhe e sforcuar tingëllon të kapesh këto orë, pas aferës së vjetër të maskave të skaduara. Të cilat nuk janë as sajesë, e as shpikje alla shqiptare, si puna e thasëve të plehrave të spitalit njujorkez. Shtete të ndryshme, mes të cilëve Austria dhe Kanadaja kanë pohuar se kanë përdorur, në emergjencë dhe në mungesë të stoqeve të rinj të maskave, edhe paisje mbrojtëse me datë të tejkaluar skandence. Dhe kjo, sipas ekspertëve të sektorit, nuk kompromenton mbrojtjen që sigurojnë vetë maskat nga viruset e bakteriet, por vetëm nuk jep garanci për sterilitetin e tyre brenda ambalazhit ku ndodhen.

Ekspozimi i personelit shqiptar ndaj infeksionit ka ndodhur dhe rastet me mjekë e asistentë të sëmurë kanë qenë jo të rralla. Me gjasë prej paisjeve të përdorura, por edhe të trajnimit të pamjaftueshëm dhe natyrës neglizhente që ne kemi si shqiptarë, kur vjen puna për të respektuar standarte e rregullore. Por kjo ka ndodhur edhe në Italinë fqinje, ku ka mijëra raste mjekësh e infermierësh të infektuar dhe 145 doktorë të vdekur, nga fillimi i pandemisë. Këtu tek ne për fat nuk ka pasur vdekje mes personelit mjekësor dhe kjo është një gjë e madhe.

Viktimat! Prej këtej rrjedh përmasa dhe pesha e çdo polemike që ngrihet mbi pandeminë aktuale. Nëse për një numër rrethanash nga më të ndryshmet, Shqipëria, shqiptarët dhe personeli heroik që po u shërben atyre, janë kursyer nga vdekja, siç nuk ka ndodhur në Itali, Spanjë, Francë, Britani e SHBA, e gjithë zhurma politike që shoqëron këtë kohë të çmendur, është vetëm një zukatje meskine politikanësh që luajnë për interesat e tyre.

Shqipëria nuk ka një fabul tragjike të Covid 19! Kjo është ajo që ka rëndësi sot, pas një muaji e gjysëm emergjence shëndetësore në vendin tonë. Nuk ka të sëmurë që enden rrugëve për një test, apo që vdesin të harruar në shtëpitë e tyre, nuk ka një dyndje nëpër spitalet e qendrat mjekësore, nuk ka as karvane makinash ushtarake me trupa të vdekurish.

Për sa kohë që kjo s’ka ndodhur, e që urojmë të mos ndodhë kurrë, çdo debat vjen dhe shkon pa lënë gjurmë. Akuzat për korrupsion është mirë të hetohen dhe fajtorët të dënohen me ashpërsinë më të madhe, nëse ka pasur shkelje dhe abuzim. Edhe debatet për testimet e mjekët e familjes janë krejt normale dhe të pranueshme. Por për shqiptarin e mbyllur brenda, e gjitha kjo periudhë krejt ekstreme dhe e vuajtur, ka deri tani një kuptim jo të vogël: jeta njerëzore po ruhet. Eshtë një sakrificë që nuk po shkon kot. E thonë shifrat, e thotë realiteti, sepse të vdekurit dhe të sëmurët nuk mund të fshihen. Në Kinë ndoshta po, por jo në Shqipërinë e vogël, ku çdo fqinj e di ç’ka gatuar për drekë familja përballë!

Nuk e dimë nëse nga kjo e keqe po na shpëton Zoti, rastësia apo qeveria. Dimë vetëm që deri tani kemi qenë të kursyer nga pasojat e një virusi që ka shkatërruar ekonominë e gjithë botës dhe ka shtrirë përtokë sistemet shëndetësore më të mira në botë, duke shkaktuar 182 mijë viktima. Ky është thelbi. Të tjerat janë pa rëndësi!

3 komente në “Në kërkim (të dëshpëruar) të një fabule!”

  1. Qytetari elbasanit says:

    Te lumte dhe bravo te qofte. I lexoj me endje shkrimet Tuaja dhe me pelqen, tema qe trajton, menyra dhe konkluzioni qe nxjerr. Nuk je si disa kolege qe lepihen nga njeri krah ne tjetrin. Te gjithe qe shkruajne si opinionniste ose si gazetare, kane pasur gjithe kohen e mjftueshme dhe faktet per te pare, gjykuar dhe kritikuar, por ne shume raste kane qendruar ne pocicionin e percaktuar nga “komandantet”. I uroj gjithe popullit shqiptar dhe jo vetem, te kalojne sa me lehte kete pandemi!
    Te uroj per shkrimet qe sjell.

  2. Klimax says:

    Dakort me arsyetimin tuaj, Minxhozi. Realiteti i “endrres amerikane” apo i sistemit amerikan dhe ne vecanti sherbimi shendetesor amerakan nuk eshte vetem si jo i persorur, por eshte me shume se problematik.
    Shqiperia si nje nga tre vendet me te varfra ne Europe, shembull nuk duhet te marri sistemin shendetesor amerikan, nje sistem privat qe funksionon si nje kopjo e shemtuar ne Shqiperi ne 30 vitet e fundit dhe qe nuk mund te perballohet nga xhepi i shumices dermuese te popullsise shqiptare. Sigurisht qe e ka te pamundur edhe modelin skandinav, por perse te shkojme kaq larg kur vende fqinje si Italia e Greqia vleresohen per sistemin dhe nivelin e larte te sherbimit shendetesor te tyre?
    Personalisht nuk besoj se shqiptaret po i “shpeton” as Zoti, as rastesia dhe as qeveria. Fakti qe vaksinimi i detyrueshem i popullsise ne pushtetin totalitar te Hoxhes ndoshta eshte edhe faktori kryesor qe shqiptaret kan nje imunitet me te larte ndaj virusit ne fjale ne krahasim me vende perendimore ku shume vaksina ishin hequr nga lista ne keto vende si te detyrueshme ne 70 vitet e fundit per arsye te numrit zero te te prekurve nga semudje e epidemi te rrezikshme e me nje perqindje te larte vdekshmerie.
    Abuzime ne shendetesi ka gjithandej dhe jo me ne Shqiperi ku korrupsioni eshte normalitet i jetes se perdishme.

  3. lushi says:

    e more minxhos.
    prape me ameriken ju.
    90 milion banore ka edhe vietmami komunist (me shume se Italia) dhe nuk ka asnje te vdeeeeekur nga gripi.
    Nuk doni ta kuptoni se jeta e njeriut ne kapitalizmin tuaj te bukur nuk ka asnje vlere.
    Nuk e kuptoni qe sistemi kapitalist po pergatit boten per nje kasapane te re.
    Nuk po kuponi se gjithe propoganda e sotme po behet e njejte me propoganden e para luftes se dyte boterore kunder Bashkimit Sovjetik.
    Nga lufta dhe ju hosana bersit e kapitalizmit nuk kini imunitet.
    Imperializmi i futur ne kolaps si zgjidhje i duket vetem lufta .por qe do ta shpjere te veteasgjesimin e tij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje