Shahini: Studentët që diplomohen do të kthehen në auditore për tre javë në qershor, provimet në korrik

30 Prill 2020, 10:54Sociale TEMA

Ministrja e Arsimit Besa Shahini të enjten ka bërë me dije se në muajin qershor studentët do të kthehen në auditor. Një vendim i tillë, ka thënë Shahini, ka ardhur si pasojë e pabarazisë mes studentëve.

Në një dalje për mediat, Shahini prezantoi skenarin me 4 pika, duke theksuar se ky vit akademik do të shtyhet me dy javë. Ndërsa viti i ri akademik do të fillojë në nëntor.

Ministrja prezantoi ndarjen për studentët që diplomohen dhe studentët e viteve të tjera.

Vërehet një nevojë për të kaluar kohë në auditor para provimeve. Për studentët që kanë nevojë të bëjnë përsëritje para provimeve apo të tjerët që kanë nevojë të bëjnë punë laboratorike, edhe studentët e arteve që kanë nevojë të bëjnë punë në studio”, tha Shahini.

Si mund të realizohet kjo në kushtet e pandemisë që jemi sot?

Ministrja tha se rektorët kanë sjellë propozimet e tyre për mbylljen e vitit akademik që siguron barazi në qasje në arsim, siguron mbështetje shtesë për studentët që nuk kanë pasur kushte për mësimin online dhe siguron ruajtjen e shëndetit të studentëve dhe gjithë komunitetit.

Bazuar në këto propozime ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nxori një urdhër që kërkon nga universitetet publike marrjen e disa masave për mbylljen e drejtë dhe të suksesshme të vitit akademik”, tha ajo.

Urdhri i ministrisë me 4 pika kryesore

Elementi i parë kërkon që të prioritizohet puna me studentët që diplomohen në të gjitha ciklet e studimit të tyre. Marrë parasysh se mësimi online i ka vendosur në situatë të pabarabartë studentët duhet të mundësohet kthimi në auditor për përsëritjet apo për seminare apo laboratorë për një periudhë 3-4 javore në qershor 2020. Provimet dhe riprovimet për studentët që diplomohen në të gjitha ciklet e studimit zhvillohen në korrik dhe javën e parë të gushtit.

Elementi i dytë i përket të gjithë studentëve të tjerë të viteve të para dhe të viteve të ndërmjetme që kthehen në auditor në 25 gusht 2020 për një periudhë 3-5 javore deri në fund të shtatorit në varësi të nevojave që kanë për përsëritje apo punët laboratorike. Ndërkohë vazhdon mësimi online  dhe mbyllin të gjitha pjesët e lëndëve që mund të kryhen në kushte shtëpie. Provimet dhe riprovimet për këta studentë zhvillohen në tetor 2020.   Studentët e viteve të para dhe ato të ndërmjetme duhet të planifikojnë që të mos jenë në auditorë deri në fund të gushtit.

Elementi i tretë ka të bëjë me mësimin online i cili vazhdon deri në përfundim të orëve të parashikuara apo programit të planifikuar. Ministria e Arsimit po përfundon edhe rregullimet që standardizojnë mësimin online në kushtet e Shqipërisë. Ndërkohë të gjithë studentëve të universiteteve publike i kemi dërguar një sondazh për punën e tyre në mësimin online. Ju lutem plotësojeni sondazhin sepse na ndihmon ne.

Elementi i katërt i urdhrit tonë ka të bëjë me përfundimin e vitit akademik që do të zgjatet diku te dy javë dhe fillojmë vitin e ri akademik në nëntor 2020.

Universitetet të dorëzojnë planet-Deri në 15 maj universitetet duhet të dorëzojnë planin e detajuar për rikthimin e studentëve në godina për përsëritje apo punë laboratorike, planet për provimet dhe planet për zbatimin e rregullores së higjienizimit. Këto plane duhet të përfshijnë numrin e saktë të studentëve që do rikthehen, fashat e frekuentimit dhe metrat katror për distancimin social.

1 komente në “Shahini: Studentët që diplomohen do të kthehen në auditore për tre javë në qershor, provimet në korrik”

  1. Kritiku says:

    Me vendimet per shkollen ,mendoj se eshte bere autogol.Dhente zoti tu veje per mbare ky veprim si me shkollen e larte edhe me arsimin parauniversitar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje