Këto ditë doli në qarkullim libri ‘Topi nën pushtetin e tyre’, i shkrimtarit dhe komentatorit sportiv, Skifter Këlliçi.
Pjesa e parë, kujtime, (1943-1999), dhe pjesa e dytë, artikuj, analiza, recensione librash, histori dhe tregime per futbollin.
TemA po boton disa fragmente interesante, që lidhen me Shqipërinë e atyre viteve
Gjermania Perëndimore, kampione botërore në futboll (1954)
Të rejat e sportit unë, 16-vjeçari, atë vit vazhdoja t’i mësoja nga gazeta “Sporti Popullor”. Por lajmet ndërkombëtare që lexoja, njoftonin kryesisht për sukseset e sportit në vendet socialiste dhe veçanërisht në Bashkimin Sovjetik. Për sportin në vendet perendimore, jo vetëm shkruhej pak, por në rubrika të tilla si “Kundër sportit borgjez”, viheshin në dukje të ashtuqujturat shfaqjet në degjeneruara të tij, veçanërisht në Amerikë, ndonëse sporti amerikan, epërsinë e tij ndaj sportit sovjetik të periudhës së Stalinit, e kishte treguar mirëfilli më 1952, në Olimpiadën e Helsinkit.
Kuptoja pak italisht dhe do të doja të ndiqja ndonjë të dhënë per Botërorin e futbolit, që fillonte në qershor të vitit 1954 f në Zvicër. Mirëpo, për djall, ato ditë na u dogj një llampë e radios, që nuk gjendej në treg dhe kështu veç lajmeve nga“Sporti…”, nuk munda të ndiqja nga Radio RAI ecurinë e fillimit të këtij Botërori.
Veç të tjerash, gjatë muajit korrik me shokë të klasave të treta dhe të katërta të gjimmnazit “Qemal Stafa” shkova nën jë aksion një mujor në Fermën Bujqësore të Kamzës, bash në periudhën e fundit të botërorit zviceran.
Ngaqë Bashkimi Sovjetik, ndonëse anëtari FIFA-as, ngurronte ende të merrte pjesë në këtë kuvend të madh të futbollit ndërkontinental, tërë shpresat për një sukses të madh të kampit socialist vareshin nga Hungaria e diktatorit Rakosh, stalinist i tërbuar, i cili pas Revolucionit Kundërkomunist të vitit 1956 gjeti strehim në Bashkimin Sovjetik.
Në nëtor të vitit 1953 Hungaria kishte shpartalluar 6-3 Anglinë mu në strofkën e saj, në Uembli, duke i shkaktuar humbjen e parë në sy të sportdashësve të saj. E kishte shpartalluar dhe më keq në Budaest 7-1 në ndeshjen kthimit. Me shokë i kisha parë në kinema të dy dokumentarët kushtuar këtyre fitoreve ngadhnjyese dhe kishim mbetur si të magjepsur. Ja përse Hungaria shihejsi kandidatja e parë për të fituar kurorën botërore.
Dhe kështu po ngjiste. Fitore e hungarezëve në çerekfinale kundër Brazilit 4-2, fitore në gjysmëfinale kundër Uruguait gjithashtu 4-2. Nga ana tjetër,fitore e gjermano-perendimorëve në po këto faza: kundër Jugosllvisë 2-0 dhe Austrisë 6-1.
Duke pasur parasysh se në ndeshjet e para në grupe, Hungaria kishte mundur keqas gjermano-përendimorët 8-3, fitorja e saj në finale e 4 korrikut 1954 tashmë nuk vihej në dyshim. Mirëpo nuk ndodhi kështu, edhe pse hungarezët me anë të Pushkasht dhe Ciborit shënuan dy gola të shpejtë. Ishte pastaj radha e gjermano-perendimorëve të barazonin me anë të Morlokut dhe Ranit. Dhe në 15 minuat e fundit të pjesës së dytë Rani nënshkroi golin e tretë. Në minutat e fundit për hungarezët barazoi Pushkashi, por për gjyqtarin anglez, Ling, jashtë loje, fakt që pati ngjallur atëherë shumë debate. Gjermania Perendimore u bë kështu kampionia e paparashikuar e Botërorit 1954.
E çuditshme!… Ato pak informacione të thata rreth kësaj ndeshjeje ne i lexuam në gazetën “Zëri i Popullit” dhe më pas “Sporti Popullor”, të cilat merreshin si zakonisht nga Agjensia Sovjetike e Lajmeve, TASS. Dhe kjo, sepse fitorja e RF Gjermane konsiderohej edhe si fitorja e… kancelarit revanshist gjermano-perendimor, Adenauer, siç quhej lake i imperialistëve anglo-amerikanë.
Kur një nga shokët tanë, atje në aksion, shprehu gëzimin për këtë fitore, komandanti i brigadës së aksionistëve, më i madh se ne në moshë, që kishte ardhur nga një qytet tjetër, i shfryu tërë mllef:” Si na u gëzuake kështu për fitoren e revanshistëve gjermanë?…”.
U bë heshtje, por shoku ynë si pa të keq, i dha këtë përgjigje të thekur: “Unë gëzohem thjesht për Gjermaninë , atdheun e Gëtes dhe Shilerit, që kemi mësuar në letërsi”. Me kaq u mbyll kjo mesele, që mund të kishte marrë përmasa të tjera, sepse studenti i mësipërm ishte biri një profesori të njohur, që para disa vitesh ishte liruar nga burgu për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor.
Pas këtij botërori te “Sporti…” pashë të botoheshin materiale të përkthyera nga shtypi sovjetik, ku shkruhej se futbollistët gjermano-perendimorë kishin përdorur ilaçe që quheshin stimuluese, të cilat u kishin dhënë fuqi gjatë ndeshjes. Pastaj, si pasojë e këtyre ilaçeve, kishin pasur të vjella, dhëmbje në stomak, të shkaktuara nga një sëmundje, që vite më pas mësova se quhej hepatiti viral, i cili prekte mëlçInë….
Kjo jehonë me hamendësime të tilla që nuk u vërtetuan kurrë, vazhdoi dhe vite më pas.
Por, siç është pohuar gjithnjë në shtypin botëror,e vërteta është se Pushkashi, kapiteni i skuadrës hungareze dhe futbollisti më i mirë i saj, ndonëse i dëmtuar në kyçin e këmbës , hyri me këmbëngulje në fushë, dhe mbeti aty gjatë tërë ndeshjes, pa arritur nivelin e tij, sepse, sipas regullores së atëhershme të botërorëve, nuk parashikoheshin ndërrime. Sigurisht që kjo në një farë mënyre ndikoi në humbjen e Hungarisë. Por duhet thënë se skuadra gjermano-perendimore, falë ndërrimeve të studiuara, ishte shumë më e freskët se hungarezët, të sfilitur, sidomos pas takimeve me brazilianët dhe uruagujanët, dhe gjykohej se, edhe sikur takimi të mbyllej në barazim, në shtesën prej 2×15 minuta, do ta kishin shumë të vështirë përballë furisë së kundërshtarëve.
E kam parë atë ndeshje disa herë në internet dhe bindem se pavarësisht se Hungaria e atyre viteve, me Groshiçin në portë, Buzanskin, Zakariashin, Lantoshin, Lorantin, Bozhikut, Totin, Budain, Koçishin, Hidekgkutin, Pushkashin dhe Ciborin… ishte më e fortë se çdo skuadër tjetër në botë, fitorja e gjermano-perendimorëve në atë ndeshje, me trajner Herbergerin, edhe për arsyet e mësipëme, ishte e ligjshme.
Për skuadrën gjermano-perendimore, krahas portierit Turek dhe futbollistëve Posipal, Librih, Morlok, Shefer, Ran… atëherë u fol më shumë për dy vellezërit Fric dhe Oto Valter. Veçanërisht për të parin. Sidoqë futbollist i kombëtares gjermane, më 1943 u thirr nën armë dhe dy vjet më pas përfundoi rob në një kamp përqendrimi. Kur repartet e Ushtrisë së Kuqe pushtuan pjesën lindore të Gjermanisë, robërit politikë, midis të cilëve edhe Fric Valteri, u degdisën në nje gulag, ku vitet e mbijetesës numëroheshin me gishta. Shpëtoi për mrekulli, vetëm sepse një nga rojat u tha ushtarakëve rusë se ai nuk ishte gjerman, por austriak.
Në fund të luftës u kthye në qytetin Kaizerslautern, fitoi me të dy kampionate, më 1951 u caktua edhe kapiten i përfaqësueses gjermano-perendiore, më 1954 kampione boterore. #farë nuk sjell fati dhe rastësia!…
(TemA)
FLM. Zoti Skifter .Kujtime te paharruara !!! Si kemi qene Xhanem ?? Kohe Absurde !!!