“Lufta” me drejtorin Nano për transmetimin e ndeshjeve në radio dhe si na bëri gjëmën një… maçok

23 Qershor 2020, 17:51Sport TEMA
“Lufta” me drejtorin Nano për transmetimin e ndeshjeve në

Vera Zheji

Këto ditë doli në qarkullim libri ‘Topi nën pushtetin e tyre’, i shkrimtarit dhe komentatorit sportiv, Skifter  Këlliçi.

Pjesa e parë, kujtime, (1943-1999),  dhe pjesa e dytë, artikuj, analiza, recensione librash, histori  dhe tregime per futbollin.

TemA po boton disa fragmente interesante, që lidhen me Shqipërinë e atyre viteve:

Maçoku dhe mos-transmetimi i ndeshjes së Kavajës

Duket e çuditshme, por deri më 1964 ndeshjete fundit të futbollit, të transmetuara nga Radio Tirana në një qytet tjetër, kishin qenë ato që “Puna “ e Shkodrës kishte zhvilluar kundër “Budusnoçtit” të Titogradit, më15 dhe 22 shtator të vitit 1957, së pari nënë Shkodër e pastajnë Titograd, (sot Podgricë.)

Luante në Korçë “Partizani” ose “Dinamo” me “Skënderbeun”, ose në Shkodër “Vllaznia” me “Tiranën” e kështu me radhë skuadrat e forta të Tiranës në Durrës, Elbasan ose Vlorë…dheRadio Tirana vazhdonte havazin e vjetër-transmetontevetëm ndeshje që luheshin në kryeqytet, shpesh pa pikë rëndësie, që vininnë gjumë jo vetëm shikuesit në stadium, por edhe Anton Mazrekun, mua dhe Ismet Bellovën që i komentonim. Për ndeshjet në qytete të tjera, pra jepeshin vetëm rezultatet dhe ato …në “Rubrikën sportive” të së dielës,në orën 21.00.

Kërkonim të bindnim drejtor Nanon e Radio Tiranës, por më kot… Arsyeja, sipas tij, se linjat nuk ishin të sigurta, ose më shkoqur, se që të transmetohej ndonjë ndeshje nga qytete të tjera, për dy orët e zhvillimit të saj duhej të zihej një linjë telefonike e atij, ose këtij qyteti, që kalonte nëpër telat të cilat  mbaheshin nga shtyllat elektrike.

Sidoqoftë, pas shumë këmbëguljesh, që duket se erdhën edhe nga lart, pra nga Komiteti Qendror, në verë të vitit 1964 u vendos të transmetohej ndeshja midis “Besës”dhe ”Partizanit” që luhej në fushën sportive të Kavajës, sepse ky qytet ende nuk kishte stadium.

Për të komentuar, vajti atje dhe u prit me nderime vetë Mazreku që nuk e fshihte se ishte tifoz i skuadrës së këtij qyteti kaq sportdshës, dhe Bellova. Unë mbeta në Tiranë.

Tamam në orën 16.00 , kur do të fillonte ndeshja, lashë përgjysëm një program me këngë që këndonte Modunjo, Çelentano, Mina dhe këngëtarë të tjerë italianë, të cilat po i trasmetonte Radio RAI,që të dëgjoja se ç’do të sillte ndeshja e Kavajës…

Dhe ja, sapo folësja e njohur, Vera Zheji, me zërin e saj të karakteristik, dha njoftimin se Radio Tirana po lidhej më Kavajën, ngrita veshët për të dëgjuar komentin e Mazrekut.

Kaluan ca sekonda dhe nga fortafolësi i radios sime nuk u dëgjua asgjë. Kaluan dhe ca sekonda të tjera dhe heshtje…E vërtita sumbullën e zërit prapë te Radio RAI dhe andej për shtatë palë qejfe gjëmonte zëri i Çelentanos…

Pra fajin nuk ma kishte radioja ime… Vrik e vërtita sumbullën prapë te Tirana, kur u dëgjua përsëri i Verës:

”Në pritje të transmetimi të ndeshjes…po japim muzikë sinfonike”.

Dhe u dëgjuan tingujt e Sinfonisë së 9-të të Beethovenit, që buçitën si marsh funebër për ndeshjen që nuk po transmetohej…

Dhe  njëmend nuk u trasmetua… Pas asaj sinfonie nga radioja, si për ta “ëmbëlsuar” gjendjen në të cilën ndodhesha unë dhe sidomos tifozët,u dëgjuan disa nga valset e njohura gazmore të Shtrausit.

Ç’po ndodhte? Provat teknike deri disa minuta para fillimit të transmetimit kishin shkuar për bukuri. Pastaj kishte pasuar ajo heshtja mortore. Teknikët e Radios dhe të PTT-së së Kavajës kishin nisur të kontrollonin pëllëmbë për pëllëmbë linjën, madje dhe telefonin e zyrës të Degës Ushtarake që do të shërbente për transmetimin e ndeshjes dhe gjithçka kishte qenë në regull. Enigma e kësaj mënxyre u zbulua atëherë kur ndeshja po përfundonte dhe tashmë transmetimi nuk pinte ujë.

Një kavajas kishte gatuar me merak të madh një tavë kosi me mish qengji… Por, për djall, maçoku çamarok i shtëpisë i kishte rënë në erë dhe s’dihet se si, po kishte rrëmbyer me dhëmbë një goxha llokëm që kishte qenë shumë më e madhe se koka e tij, llokëm që akçiu kavajas do t’ia jepte ta hante mikut që ë kishte ftuar për drekë.

I xhindosur sa nuk ka ku të vejë, ai e kishte ndjekur. Dhe maçok zavalli që t’i shpëtonte kësaj mënxyre, ishte ngjitur majë të… çatisë. Atëherë, kavajasi, tym e flakë, kishte rrëmbyer sqeparin me të cilin kishte coptuar qengjin në ato llokma bajagi të lakmueshme dhe i kishte gjuajtur me aq fuqi  aq sa i kishte ngrënë dora.

Por maçoku edëpsëz,“fësht” i kishte bërë dredha dhe sqepari kishte goditur bash telin që kalonte mbi një shtyllë elektriku të asaj shtëpie…

Kaq ishte dashur që linja të këputej dhe ndeshja të mos transmetohej…

Kaq deshi edhe drejtor Nano që të kthente çdo propozim që në të ardhmen të transmetoheshin ndeshje nga qytete të tjera. Të paktën deri disa vjet më vonë, kur PTT-ja premtoi se linjat tashmë ishin të sigurta. Por shprehja: “Amani, se mos linjën nga akësh qytet mos na e këput ndonjë maçok, si ai i Kavajës!…”, si ugur i keq vazhdoi të dëgjohej edhe më pas.

4 komente në ““Lufta” me drejtorin Nano për transmetimin e ndeshjeve në radio dhe si na bëri gjëmën një… maçok”

  1. Eri Livorno says:

    Eh more Skifto. Edhe macoku paska qene disident! Mos merr sot edhe ai ndonje lek demshperblim per sqeparin qe hengri.

  2. rush says:

    Pa sa bukur flet turiqisht y Shahin Kellici

  3. selfo says:

    Je bere karagjoz i madh ne pleqeri, Skifter efendi. Po keput broçkulla sikur vetem ty te kane ndodhur. je bere shume i besdishem.

  4. saliu says:

    Cfare jane keto k..lleqe?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje