Një nga zbulimet e reja që është bërë në vërejtjet që kanë fansat për formularët e rinj të Lulit për kandidime në PD, është se, megjithëse formularët të pyesin për çdo gjë, nuk ka asnjë formular që të të detyrojë të tregosh kë ke kunat, ku punon ai, ai është i inkriminuar, kë ka të dashur, a kanë kontakte të shpeshta etj.
Për këtë, Karmina kërkoi mendimin e analistit Qim Peka.
Ja si e shpjegon ai:
“Eshtë e vërtetë që ky komponent mungon në formular.
Duhet të keni parasysh që formulari është hartuar në një ditë, kur në Bundestagun gjerman po hartoheshin 15 kushtet për Shqipërinë, ndërkohë që Ilir Meta ishte me mua në Korab.
Në atë moment njeriu kyç në Tiranë ishte Kunati i Lulit, dhe ai e ka përdorur këtë mundësi për ta përjashtuar nga formulari, seksionin e Kunatit, pasi 15 kushtet e Bundestagut janë për PS, kurse 15 pikat e formularit janë për PD.
Ndaj në këto kushte, Kunati ka përfituar nga disa rethana ndërkombëtare dhe nga fakti që unë me Metën nuk ishim në Tiranë.
Pas kësaj, është hequr seksioni i ekzistencës së Kunatit, pasi Kunati ka shantazhuar duke thënë se, nëse është kështu, duhet të shtojmë dhe baxhanakun, dhe në këtë rast kishte parasysh Doktorin.
Kjo e komplikonte situatën.
Pastaj për ta balancuar situatën ne e detyruam Lulin të marrë Genc Rulin në Komision, pasi ai ka qenë i vetmi që ka thënë, duhet ta zbojmë Kunatin nga zyra e Lulit.
Tani ta shikojmë, a do ta zbojë, a jo!”
Pasi dëgjoi analizën e Qim Pekës, ish- deputeti Ruli tha:
-E vërtetë është se unë kam thënë, që Luli duhet zbuar me gjithë Kunatin.
Se unë kam bindjen, që më lehtë është të ndash Qim Pekën nga fshati, se sa të ndash Lulin nga Kunati.