Një përrallë e gjatë dimri me shqiptarë, në mesin e verës 2020!

5 Korrik 2020, 21:53Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Hedhja në erë të takimit të 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë për rifillimin e dialogut Kosovë- Serbi, pas njoftimit të Prokurorit Special të Hagës për ngritjen e akuzave ndaj Presidentit Thaçi dhe Kryetarit të PDK Veseli, ka patur dy zhvillime që vlejnë për tu ndalur.

E para lidhet me “alarmin” që ngre media e paguar nga Kremlini, “Sputnik” pas takimeve të ditëve të fundit të Kryeministrave Ed Rama dhe Avdullah Hoti, se “shqiptarët po tentojnë të bashkohen”

E dyta, me një deklaratë të ish Sekretarit Amerikan për Sigurinë Kombëtare John Bolton, sipas të cilit ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë u propozuan nga Thaçi dhe Vuçiç.

Alarmi rus për “Shqipërinë e Madhe” përmes bërjes së “Kosovës me dalje në det”, nuk është as një ide e tyre e re dhe as e panjohur më parë. Sipas “Sputnik”, logjika e dhënies së një pjesë së kalatave të Portit të Durrësit për biznesin e Kosovës, nga ku mund të paguhet direkt dogana e që futet direkt në buxhetin e shtetit të Prishtinës, është realisht një hap që ndikon në ekuilibrin ekonomik në rajon, pasi ajo që humb është Serbia, e cila ka një volum të madh në importin e Kosovës.

Edhe kaq mjafton për të kuptuar se “Shqipëria e Madhe” nuk është shkak, por sebep. Kjo ide është thjeshtë një gogol me të cilën serbët përmes rusëve, mundohen sa here që kanë një hall me shqiptarët duke dashur që të trembin botën. E kanë bërë edhe para shpërbërjes së Jugosllavisë. E kanë bërë edhe para 1999. E kanë bërë edhe para 2008. Po e përdorin këtë gogol sot. E do e bëjnë edhe në të ardhmen. E thotë vetë “Sputnik”. Halli real nuk është bashkimi i shqiptarëve, por ai ekonomik. Sepse marrëveshja për portin e Durrësit “ndikon në ekuilibrin ekonomik në rajon, pasiajo që humb është Serbia”!

Alarmi për krijimin e “Shqipërisë së Madhe” është dhënë edhe më parë. Në prill të 2019, mediat raportuan gjerësisht një analizë të posaçme të ministrisë së Jashtme ruse, e cila konkludonte se ideja e “Shqipërisë së Madhe” po minon paqen dhe besimin në Ballkan”. Edhe më herët, në prillin e 2014 ekspertët rusë kanë vlerësuar se në vitin 2035 do të formohet “Shqipëria e Madhe”. Sipas tyre “në Ballkan do të ketë ndryshiem të mëdha kufijsh” dhe se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen.

Interesantja është se më shumë se 6 vjet më parë, ekspertët rusë nuk ia atribuonin rrezikun e krijimit të “Shqipërisë së Madhe” marrëveshjes për Portin e Durrësit, sepse ajo atëherë ende nuk ekzistonte, por një reaksioni domino që priste të përfshinte Europën, duke nisur me ndryshimet që do fillonin në Britani, kur Skocia do bashkohej me Irlandën. Katalonjasit dhe Baskët do shpallnin pavarësinë në Spanjë. Dhe në Francë, do të krijohej Shteti Islamik(?!) Ndërsa Bosnja do ndahej nga Kroacia dhe Serbia dhe një pjesë e Maqedonisë do të bashkohej me Shqipërinë dhe Kosovën!

Kështu që për rusët, me kalatë apo pa kalatë për biznesin e Kosovës në Portin e Durrësit, “Shqipëria e Madhe” do krijohet sepse ashtu u duhet atyre dhe propogandës serbe, për ta përdorur si gogol ndaj SHBA e BE dhe diplomacisë ndërkombëtare në përgjithësi. Sepse Kosova u duhet e dobët, e izoluar nga çdo pikëpamje kështu siç është sot. E varur ekonomikisht nga mallrat serbe dhe si shtetin e vetëm në Europë, qytetarëve të së cilës u mohohet e drejta e liberalizimit të vizave dhe lëvizja e lirë.

Përsa i përket daljes në Adriatik, Haris Silajxhiç  në librin “Shqipëria dhe SHBA në Arkivat e Uashingtonit” thotë vrasja e Arkidukës Franz Ferdinand, trashëgimtarit të fronit të Austro Hungarisë më 28 qershor 1914, ishte një sebep për fillimin e Luftës së Parë Botërore. Pasi sipas tij, shkaku i vërtetë, ishte projekti i disa prej Fuqive të Mëdha të kohës (përfshi Rusinë), për ti mundësuar Serbisë dalje në Adriatik(!)

Ndërsa deklarata e ish Sekretarit Bolton, se ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë ishte e Presidentëve Thaçi dhe Vuçiç dhe jo e tij, siç deklaroi disa ditë më parë Ambasadori Riçard Grenell, e bën totalisht komike gjithë diskutimin dhe debatin për këtë çështje.

Të ishte se zgjidhja e marrëveshjes për njohjen reciproke mes dy vendeve do kishte qenë në dorë të Prishtinës dhe Beogradit, përse do të duhej që të investoheshin prej kaq e kaq dekadash SHBA, BE, NATO, OKB dhe Këshilli i Sigurimit? Pa llogaritur, edhe se faktori kryesor ndërkombëtar është shprehur se po ra dakord Kosova dhe Serbia, ata nuk do të jenë kundër!

Për të analizuar çështje të tilla, sigurisht mund të duhen analiza dhe studime tejet të thelluara. Por, edhe kaq mjafton, për të kuptuar se dikush qenka shumë i interesuar që të tregojë një përrallë të gjatë dimri me shqiptarë, në mesin e verës 2020!

1 komente në “Një përrallë e gjatë dimri me shqiptarë, në mesin e verës 2020!”

  1. Klimax says:

    Per ty, Peza, cfaredo qe shkruhet se eshte thene e biseduar per shkembime territoresh e deri per “Shqiperine e Madhe” jane “lajme te reme”, “perralla”!!!!
    Cudi, por cfare deklaronte Rama kur ne stadiumin ku zhvillohej ndeshja midis perfaqesueses te Serbise e Shqiperise, nje dron me harten flamur te “Shqiperise se Madhe”? Mos valle ishte kundra ketij veprimi? Sigurisht qe jo dhe shkoi edhe me larg duke provokuar dhe promovuar harten flamur ne Facebook-un e tij si dhe ne fasaden e kryeministrise me prozhektoret mbremjeve! Si keshtu, paskeni “harruar”?!! Po kur Rama deklaronte se ne qoftese zbehet perspektiva e anetaresimit te Shqiperise ne BE, nuk perjashtohet mundesia e bashkimit Shqiperi-Kosove? Po deklarata e Rames me rastin e 10 vjetorit te pavaresise se Kosoves, 17 shkurt 2018, qe propozonte qe Kosova e Shqiperia te kene nje “president gjithekombetar”(!!!!!!)
    Ne takimi i Nish-it ne vitin 2016 midis Vucic e Rames, cfare eshte folur? Mos valle genjen Edita Tahiri? Mos valle edhe Vuk Jeremic, ish minister serb dhe Sonja Birseko, Kryetarja e Komitetit te Helsinkit ne Serbi genjen? Po deklarata ne Washington Post e Carl Bild, ish kryeministrit te Suedise, ku Rama i ishte shprehur se eshte dakord me idene e Vucic? Po deklarata e ish Sekretarit Amerikan per Sigurine Kombetare John Bolton? Ky i fundit si mund te justifikohet?!! Si? Si “anti-Trump” dhe “karte e djegur” apo si “filo-rus”?!!!!! Po deklaratat e Vucic dhe Taci ne gusht te vitit 2018 qe konfirmojne se po bisedohet per shkembime territoresh?
    Sa e sa deklarata e konfirmime te tjera! Sa arrogance, ultra-nacionalizem e shovinizem! Dhe ty, Peza, te duken “perralla” e “sebepe”, kete te fundit, “sebep” turqisht, e ke perseritur disa here a thua se nuk ka nje fjale shqip si “shkak” apo arsye”!! Apo na kujton aleatin e vetem, mikun dhe vellane e te njejtit gjak (deklarat e Rames) per te na “trembur”?!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje