Studiuesit e Shoqatës Ornitologjike Shqiptare kanë lajmëruar pikasjen e të paktën tre foleve të reja të Grifshës së detit (Corracias garrulus), gjatë monitorimeve të ditëve të fundit në tri vendndodhje të ndryshme, por jo larg njëra-tjetrës.
Pas folesë së parë dhe të vetme të konfirmuar 2 vite më parë nga AOS, kërkimet dhe monitorimet për prezencën e llojit në vend u intensifikuan duke arritur në konfirmimin e të paktën tre foleve të tjera, të cilat bashkë me folenë ekzistuese shkon të paktën në katër çifte folezuese të këtij lloji në vendin tonë.
“Vrojtimi, sikurse herën e shkuar ishte po aq sfidues dhe me adrenalinën në maksimum duke marrë parasysh që Grifshat e detit janë shpendë mjaft inteligjentë dhe diskret kur bëhet fjalë për të ‘treguar’ folenë e tyre.
Pas disa fluturimeve me ushqim në sqep më në fund Grifsha e detit vendosin të ulen në fole dhe të furnizojnë me ushqim të vegjlit që prisnin plot uri për vaktin e radhës”, bëjnë me dije studiuesit.
Në njërin lokacion Grifsha shoqërohej nga Gargujt të cilët kishin ndërtuar koloninë aty pranë, në një tjetër në shoqërinë e shpendëve të tjerë kolonialë ndërsa në lokacionin e tretë ishte e vetme dhe e pa shqetësuar.
Duhet theksuar se Grifsha e detit në vendin tonë mban një status të rrezikuar në mënyrë kritike dhe këto lajme na bëjnë më optimist për rimëkëmbjen e popullatës folezuese të këtij lloji në vendin tonë.