"5 Qershori"/ Opozita: Të gatshëm të vijojmë dialogun në mirëbesim dhe me seriozitet për çdo çështje tjetër

23 Korrik 2020, 17:37Politika TEMA

Opozita e bashkuar ka reaguar pasi Kuvendi miratoi marrëveshjen e arritur më 5 Qershor.

Në një deklaratë për median opozita thotë se vijimi i dialogut politik mes palëve, është rruga e vetme për të ruajtur konsensusin e arritur.

Në reagim, thuhet se opozita e bashkuar është e gatshme të vijojë dialogun në mirëbesim dhe me seriozitet, për çdo çështje tjetër, pa cënuar rezultatet e Marrëveshjes së 5 Qershorit.

Deklarata e plotë:

Miratimi i sotëm i Marrëveshjes së 5 Qershorit pa ndryshime, dhe pa ndryshime kushtetuese të njëanshme që e minojnë atë, si dhe vijimi i dialogut politik mes palëve, është rruga e vetme për të ruajtur konsensusin e arritur, që është mbajtur shënim nga partnerët dhe shton shanset për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Ky është qëllimi i Opozitës së Bashkuar, që nga 14 Janari, ku jemi angazhuar në mirëbesim në Këshillin Politik.

Ky duhet të jetë qëllimi i përbashkët i të gjitha partive politike në Shqipëri, si e vetmja mënyrë për garantimin e një klime normale politike para zgjedhjeve, dhe për ecjen përpara të Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Opozita e Bashkuar shpreh mirënjohjen ndaj SHBA – BE dhe Vendet Anëtare – Britania e Madhe – OSBE për ndihmën dhe mbështetjen e çmuar për arritjen e një Reforme Zgjedhore konsensuale, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Opozita e Bashkuar është e gatshme të vijojë dialogun në mirëbesim dhe me seriozitet, për çdo çështje tjetër, pa cënuar rezultatet e Marrëveshjes së 5 Qershorit.

Heqja dorë nga aktet e njëanshme që minojnë konsensusin e arritur pas 6 muajve përpjekje, dhe angazhimi i të gjitha partive politike për të arritur konsensus për çdo çështje që lidhet me zgjedhjet, i shërben Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane. (TemA)

1 komente në ““5 Qershori”/ Opozita: Të gatshëm të vijojmë dialogun në mirëbesim dhe me seriozitet për çdo çështje tjetër”

  1. Timi says:

    Hahaha! Hahaha! Artist jane…por burgu i pret!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje