Karmina zbulon bisedimet sekrete Rama- Lukashenko

18 Gusht 2020, 18:36Antena TEMA

Pas lajmit se presidenti i Bjellorusisë Lukashenko do takohej me Edi Ramën në cilësinë e kryetarit të radhës së OSBE, Karmina mori shumë mesazhe nga fansat për të mësuar mbi brendësinë e bisedave, meqë Karmina ka shumë mikesha bjelloruse që janë blogere mode si ajo, dhe takoheshin më parë në hotele të shtrenjta në Perëndim.

Pas një sërë kërkimesh, Karmina bëri këtë sqarim:

“Të dashur fansa!

Unë nuk kuptoj shumë nga politika, por analoget e mija bjelloruse arritën të mësojnë disa gjëra nga këto bisedime.

Siç ka thënë dhe Merlin Monro, të vërtetat e pallatit mbretëror i mëson nga punëtoret e natës.

Sipas tyre, Lukashenko i ka sqaruar Edi Ramës se opozita iku nga zgjedhjet dhe ai nuk ka faj.

-Ka tridhjetë vjet që kjo punë ndodh përherë.

Nuk di pse këtë radhë janë të vendosur të bëjnë protesta.

-Ku e ke liderin e opozitës, i tha Rama?

-Më ka ikur jashtë. Në Ukrainë më duket.

-Po s’ka ndonjë shtëpi, ndonjë vilë këtu, t’ia sekuestrosh, që të vij për bisedime?

-Nuk ka dreqin. As vile, as shtëpi, asgjë nuk ka. Si mund të bëhet Bjellorusia me ta!

-Po ndonjë kunat, a baxhanak, nuk ka ajo?

-Nuk ka, është beqare, nga këto të inatosurat që nuk martohen.

-Po kush e ka caktuar kryetare partie, ku është ai?

-Eshtë bërë vetë, s’ke ku ka ta gjesh.

Atë të parin e kisha në rregull. Kur mërzitej, ikte në Rusi.

-Atëhere paskemi problem, tha Rama. Nuk të ndihmoj dot.

OSBE kërkon patjetër një njeri, që ti të bësh dialog.

-Ma bë këtë nder, i tha Lukashenko Të jap çfarë të duash. Po deshe 3 milionë vaksina falas nga Rusia t’i dërgoj.

-Dakord, i tha Rama. Kam atë timin në Shqipëri, atë të opozitës.

Ta dërgoj nja dy muaj sa të fillojë protestat, se ai i qan ato.

Pasi të arrijnë kulmin protestat, pastaj e rregullon vetë punën ai, që ato të ndërpriten, se ai thërret “fitore, fitore”.

-Ai më duhet, i tha Lukashenko. Ku e paske gjetur? Çfarë fati ke!

-Nuk është me fat. Duhet pak sakrificë. Nuk është aq i lirë sa mendon. Për gjashtë muaj më ka kushtuar 4 vila.

-Bjere mo, sa ja blej dhe unë 4 vila, se vdiqa me gjet një kryetar opozite si ky.

Pas bisedimeve, Rama njoftoi se ka progres në situatën në Bjellorusi dhe pritet të dërgojë Besnik Mustafajn si të dërguar special për krizën, nga radhët e opozitës shqiptare.

Kjo do të rrisë besimin  e opozitës bjelloruse, se ai do të bëjë zgjedhjen e duhur.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje