Shyqyr që na erdhi Halloween-i

28 Tetor 2020, 19:01Blog TEMA

Nga Shon Tomson

Sa mirë t’i veshësh fëmijët me kostume të frikshme! Ka lezet çuni si vampir, dhe nuk e ke idenë sa shkëlqen vajza jonë si shtrigë! S’ka gjë më të bukur se kur i transformohen ato fytytra engjëllore në diçka ogurzi.

E kotë që nuk i japin pjesë në ndonjë film si Harry Potter-i, se do ta luanin shumë mirë pjesën, se fëmijët i kam të talentuar, që të dy.

E di gjithë lagja. Mund të mos jenë aq mirë me mësimet, por në festa të tilla e shfaqin tamam talentin!

Ndërsa, sivjet, na ka mërzitur prindi i një fëmije tjetër në klasën e djalit. I kërkoi mësueses të mos përfshihej klasa në festën e fantazmave.

E beson dot?! Po mirë ky prind anadollak që s’e do lumturinë e fëmijës së tij, por ç’punë ka me ne të tjerët?

Pastaj, nuk e kuptoj pse mësuesja kujdestare duhet ta dëgjojë atë tipin. Se ç’janë sa prindër të ligë që duan të imponojnë vullnetin e tyre mbi gjithë të tjerët.

Ku e gjejnë të drejtën këta! Ky tha që nuk është festë kombëtare, gjoja. E gjithë bota feston halloween-in, si të mos e festojmë ne?!

Sa inat më vjen. Na u prish gëzimi dhe qejfi i fëmijëve. Për hir të njërit tani duhet të vuajë një klasë e tërë.

S’ka gjë. Ja rregulloj unë këtë punë. Mora leje nga drejtori i shkollës (se kam muhabet) dhe do ta bëjmë te palestra “për ata prindër dhe fëmijë që duan” -tha. Por kush është ai me mend në kokë që nuk do të bëjë festë?

Jo për gjë, po na lodhi ky KOVID-i, e fëmijët kanë nevojë të argëtohen pak, për të hequr mendjen nga stresi dhe nga mësimet.

Më kupton? Pastaj, e di që na ka marrë malli për të veshur maska e për të bërë pak gallat?! Djali mbushi 10 vjeç sivjet.

Kështu që ia kemi premtuar që do mblidhemi në darkë familjarisht e të shikojmë një film horror-i së bashku. Kam blerë edhe kokoshka.

E di sa ta hapin oreksin këto filma kobndjellës?! Nejse, shqyqyr që na erdhi Halloween-i…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje