Një nxënës shkolle me kombëtaren…

12 Nëntor 2020, 18:39Sport TEMA

Nga Altin Sulçe

Një nxënës shkolle ka lënë bankat e mësimeve dhe është bërë qendërmbrojtësi i Shqipërisë në një ndeshje mes burrash, Shqipëri – Kosovë.

Djali i njomë që befas u bë burrë, habiti me forcën, personalitetin dhe grintën në lojë, në një pozicion tejet të vështirë, siç është ai i zemrës së mbrojtjes.

Adoleshenti mbronte Vedat Muriqin, një ndër sulmuesit më të fortë në qarkullim.

Çfarë provimi?!

Nota mëse pozitive, vetëm një ushtrim nuk u zgjidh në rastin e penalltisë së shkaktuar… Dhe Çepele bëri mirë, duke treguar edhe një herë që mosha ndonjëherë nuk është tregues i mirëfilltë për individë të veçantë dhe aq më tepër për kampionë të lindur.

Dhe ky është Ramën Çepele, rekordmeni më ri i Shqipërisë, i cili pa pikë ndrojtje, theu rekordin e mbajtur nga Iljaz Çeço, që debutonte më 11 tetor 1964 ndaj Algjerisë, 17 vjeç e 281 ditë.

Çepele luajti 17 vjeç e 235 ditë duke na befasuar të gjithëve, dhe për ironi të fatit në formacion e fuste një 75 vjeçar.

Çfarë momenti i jashtëzakonshëm ka qenë biseda mes tyre, kur Reja i jepte këshillat e fundit, pas një bisedë për leksion futbolli, mbi gërshetimin e brezave dhe eksperiencave.

Aktualisht Çepele është transferuar tek Akademia e Hanoverit në Gjermani, duke lënë të rinjtë e Interit.

E nesërmja e tij duket vërtet e ndritur…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje