Balla "qetëson" liderin e PD: Komisioni për raportin e Dick Martyt s’ka lidhje me Bashën, i takon demokratëve të çohen dhe t’i kërkojnë sqarime për rolin e tij kundër UÇK

26 Nëntor 2020, 13:48Politika TEMA

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se Komisioni i Posaçëm Parlamentar mbi raportin e Dick Martyt nuk ka lidhje me Lulzim Bashën.

Sipas tij, Komisioni do të ngrihet për të verifikuar rolin e institucioneve publike në Shqipëri në kohën e luftës së Kosovës.

Balla u shpreh se në Shqipëri apo në Kosovë nuk ka pasur krime lufte, pasi lufta për pavarësi dhe çlirim nuk është krim lufte.

“Është kërkuar ngritja e Komisionit të Posaçëm, që të mbledhë deputetë nga të gjitha grupet këtu në Kuvend, duke i dhënë peshë dhe rëndësinë që duhet me një përfaqësim me njerëz që e njohin këtë proces, të arrijmë të bëjmë bashkë të gjithë konkluzionet e arritura.

Jemi të gjithë dakord që në Shqipëri nuk kanë ndodhur kurrë krime lufte. Lufta për liri dhe pavarësi nuk është kurrë krim lufte. Në këtë kontekst do doja që bashkë me krerët e grupeve parlamentare të bëjmë një diskutim shumë konstruktiv për të përzgjedhur më së miri 9 deputetët e Kuvendit, që do të jenë pjesë e këtij komisioni.

Nuk duhet kurrsesi të politizojmë këtë komision. Sot jemi në një moment ku nga rezoluta dhe raporti kemi kaluar në një fazë, ku janë ngritur aktakuza përkundrejt luftëtarëve të Kosovës.

Shqipëria është sot në një dokument zyrtar të një Dhome Speciale, në kuadër të tribunalit të Hagës, për t’u verifikuar.

Ka pasur një përpjekje për të identifikuar këtë komision të posaçëm me diçka tjetër, me përfshirjen e Lulzim Bashës, nuk ka të bëjë fare komisioni me të.I

bëj thirrje Bashës të qetësohet, nuk ka komision për ta hetuar, pasi do të ishte humbje kohe. Luli e ka vënë vulën e turpit, i takon demokratëve të ngrihen e t’i kërkojnë të sqarohet për rolin e tij në luftën e UÇK.

E vetmja gjë që nuk më shkon kurrë në mendje është të bëj politik me një çështje të interesit kombëtar.

Menjëherë sapo ta kemi miratuar komisionin, do duhet që përmes dokumenteve zyrtare të sqarojmë çdo institucion që në Shqipëri nuk janë kryer krime lufte apo kundër njerëzimit”, tha Balla në Kuvend.

Taulant Balla tha se Parlamenti do të caktojë 9 deputetë për ngritjen e këtij komisionit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje