CDC paralajmëron për “periudhën më të vështirë” të shëndetit publik në SHBA

3 Dhjetor 2020, 11:38Bota TEMA

Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) paralajmëruan për një dimër të zymtë, ndërsa vendi vazhdon të përballet me një valë rastesh të reja me COVID-19.

“E vërteta është se dhjetori, janari dhe shkurti, do të jenë kohërat më të vështira”, tha Robert Redfield, drejtor i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

“Në të vërtetë besoj se do të jetë koha më e vështirë në historinë e shëndetit publik të këtij kombi”, tha ai.

Zoti Redfield tha se vala aktuale e rasteve me COVID-19, është më e keqe se ato të mëparshmet, duke pasur parasysh shtrirjen gjeografike dhe lakoren në rritje të infektimeve dhe vdekjeve, pasi që Shtetet e Bashkuara po regjistrojnë afërsisht 2 mijë vdekje nga virusi çdo ditë.

Ai paralajmëroi gjithashtu për mbingarkesën e personelit dhe spitaleve në gjithë vendin, të cilëve po u shterojnë shtretërit.

Ndonëse shumë amerikanë ndjehen të “lodhur” nga udhëzimet për distancë fizike dhe mbajtje maskash, zoti Redfield u bëri thirrje qytetarëve që t’u përmbahen këtyre praktikave në muajt e ardhshëm.

Miliona amerikanë udhëtuan për festën e Falënderimeve javën e kaluar, pavarësisht këshillave të ekspertëve shëndetësorë kundër fluturimeve dhe tubimeve në grupe më të mëdha në një vend.

Të mërkurën CDC tha se amerikanët duhet të shkurtojnë periudhën e karantinimit në dhjetë ditë ndryshe nga e kaluara kur ajo ishte 14 ditëshe.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar më shumë se 273 mijë vdekje dhe më shumë se 13.9 milionë raste të konfirmuara të të prekurve nga koronavirusi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje