Fundi pa lavdi i një balloje opozitare me maska

13 Dhjetor 2020, 22:25Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Çudia më e madhe këtë radhë nuk zgjati si gjithmonë, sepse ende pa u mbushur tri ditë, protestës së radhës i doli boja. Megjithëse Ilir Meta, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi u sforcuan si kurrë më parë në këto mbi 7 vitet e fundit, nuk ia dolën që nuk ia dolën ta fshihnin se ata ishin organizatorët, frymëzuesit dhe sponsorizuesit e grupeve të dhunshme. Duke dëshmuar se vdekja tragjike e 25 vjeçarit nga Lapraka, u përdor prej tyre, thjeshtë si sebep.

Propaganda e PD dhe LSI, sikundër mediat pranë tyre, kishin vetëm një detyrë me sa duket këtë radhë: Ta paraqisnin atë që po ndodhte nëpër rrugët e Tiranës e ndonjë qyteti tjetër të Shqipërisë, si “protestë spontane”, “indinjatë e natyrshme”, “mllef i momentit”, “reagim instiktiv”. E sipas skenarit, kjo i detyroi fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë të organizoheshin nëpër rrjetet sociale e të derdheshin si me magji drejt qendrës së qytetit.

E më pas nga aty ashtu të “paorganizuar” siç ishin, të fillonin e të nxirrnin atë që ndjenin së brendshmi, në formën e gurëve kundër institucioneve kushtetuese të vendit. E ja ku mbërritëm në stacionin e radhës, të cikli të zi të dhunës që e kanë shoqëruar Shqipërinë, këto 30 vitet e postkomunizmit të frymëzuar nga e njëjta mendje e të dirigjuar nga e njëjta dorë. Kaq duhej që dhuna e verbër, të niste e ta shkatërronte si gjithmonë, pronën publike e private.

Lidershipi i opozitës u tregua i kujdesshëm deri në detajin e fundit, për ta servirus publikisht këtë përmes mediave online dhe ato tradicionale, si “frymë të protestës popullore të akumuluar ndër vite” që kishte gjetur kësisoj një valvol shkarkimi përballë mazhorancës dhe qeverisë së saj.

Sa nuk  kishin hapur gojën, kishte njerëz që edhe mund të kenë besuar deri diku, se ky skenar mund të kishte ndonjë dozë vërtetësie. Por, kur Presidenti i Republikës foli për herë të parë për protestën në ditën e tretë të saj, atëherë gjithçka u kuptua. Ishte dita kur SHBA, BE, OSBE dhe Gjermania e dënuan dhunën dhe i bënë thirrje palëve që të distancoheshin prej saj.

Por Ilir Meta nuk tha asnjë fjalë të vetme për këtë. As nuk e dënoi dhunën ndaj rendit dhe sigurisë publike, e as u distancua prej saj. Shenjë e qartë, se ai dhe Monika Kryemadhi nuk ishin asnjanës në këtë histori, por në anën e atyre që po e ushtronin atë. Ndaj, kur në ditën e katërt Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës udhëhoqëi marshimin që përfundoi me sulmin barbar kundër selisë së PS, u kuptua publikisht në anën e kujt ishte edhe PD, Sali Berisha dhe Lulzim Basha.

Pas kësaj, me sa duket, lidershipi i opozitës nuk kishte se çfarë të fshihte tjetër. Ndaj të dielën, në ditën e pestë e protestës, maskat u hoqën dhe në krye të saj dolën vetë ish deputetët e LSI. Kaq mjaftoi që të gjithë shqiptarët ta shihnin live, me zë dhe me figurë, të vërtetën ashtu siç ka qenë që në minutën e parë të protestës. Ky ishte fundi i një balloje me maska politike dhe fillimi i një faze të re, të luftës elektorale opozitare para procesit të votimit më 25 prill 2021.

Është skenari që përdorën edhe para zgjedhjeve lokale të 30 qershorit të vitit të kaluar, të cilin po e implementojnë pa pikën e fantazisë, edhe tani në zgjedhjet e përgjithëshme parlamentare. Ideuesit dhe hartuesit janë të njëjtët. Ndryshimet e vetme janë se; molotovët u zëvendësuan me gurët, militantët partiakë, me të rinj të sponsorizuar prej tyre dhe djegia e mandateve, me sebepin e vrasjes së Klodian Rashës.

I pandryshueshëm mbetet si gjithmonë frika nga reforma në drejtësi dhe pamundësia për tu rikthyer në pushtet për ta bllokuar dhe zhbërë atë. Por këtë nuk ua zgjidh dot, as balloja e radhës me maska dhe as Edi Rama. Sepse atë nuk e kanë në dorë gurët e të rinjve të manipuluar, por vetëm vota e shqiptarëve!

5 komente në “Fundi pa lavdi i një balloje opozitare me maska”

  1. SHTET VEPRO !!?? says:

    Eh mor Fred .Kishin ditë që po thurrnin plane .
    Ja i doli shansi, e plasën .
    Por ju plasi në surrat .Po si ka mundësi që lejoi shteti të digjnin ç’deshën?
    Po na dhëmb shpirti kur i shofim shkatërrimet .
    Po s’na mban vendi kur ai drogaxhiu kërcënon me djegje Tiranën .
    Kjo nuk durohet !

  2. gogo alb says:

    Shkarkoni Ilir meten,lereni nekolibe sa te ngrihet gjykata kushtetuse…

  3. ben says:

    Nje gje eshte me se e qarte se Edi Rama, per hir te karrikes se tij po le nen meshiren e vandaleve te Presidences dhe te SHQUP-it institucionet qeverisese te vendit. Me kete Rama po perpiqet te tregohet liberal para shteteve Europiane. Ai harron se nuk eshte zgjedhur Krye Minister i BE-se, por i Shqiperise, jo prej votave te europianeve, por prej atyre te shqiptareve dhe si i tille duhet te beje detyren per te cilen u votua. Mjaft me me keto budallalleqet e liberalizmave pa kuptim. Ne cdo vend demokratik, prekja e institucioneve eshte e patolerueshme dhe ata qe djegin apo shkaterrojne institucionet e kane hak plumbin e policeve. Ai plumb qe goditi Klodianin duhet te ishte perdorur kunder falangave te krimit qe po shkaterrojne vendin dhe pronen publike, se sa per imazhin, ate e kemi pas te shkatterruar me kohe.

  4. Albani says:

    Ne se ka popull qe do te pranoje vandalet ne pushtet,kjo eshte e pa besushme dhe e pa konceptushme .
    Shtet vepro…. ka shume te drejte dhe si ky ka me dhjetra mijra se ju vjen keq per pasurine e perbashket dhe private.
    Me shume te drejte shteti duhet te tregoje forcan e tij ne mbeshtetje te ligjit dhe kushtetutes ndryshje ka demakogji dhe ure zjarri ne protesten e radhes sa te gjendet sebepi. Ujku qimen e nderron por zakonin se harron.
    Banda PD,LSI me gjithe dirigjntet e tjere donje mesim shembullore dhe une mendoj se kete mund tja u ajpi populli duke filluare nga Lalezi dhe me radhe,pastaj te shikojme si do perdridhen per pasurite e vjedhura. POPULLI POPULLI eshte me i egri se çdo kushtetute dhe çdo ligj ne bote.

  5. Konjak says:

    Zoteri Peza , mir kjo cudia e protestes , zgjati 3 dite dhe e zbulove ; Po ajo cudia jote , ku bere jo pak por plot nje miliarde e dyqynd milione lek , sa do zgjat , nuk do te na e zbulosh ndonje here !?.. Keshtu , te vjen per dore te tragjizosh ndonje ngjarie te te tjereve , por kur vjen puna te thuash se ku i gjete ato thase me para , ben te pa diturin . Epo te drejt ke , si pinjoll i regjimit qe vazhdon te mbrosh , ie i avasht , mund te beje shume me shume , se mundesine e keshe dhe e ke –ti dhe te tjere si ti , te na beni rrecka — rrecka , e te mos na leni as cati mbi koke . JU lumte rraces tuaj ; Ta gezoni shqiperine demokratike , me kuc e me mac ; sepse edhe ate socialiste e ropet , sa e bete cope–cope e rrecka rrecka . SE ne ngopemi me ndonje kocke qe na hidhni ju , dhe si gjithmone bejme davan tuaj . Te na rroni sa malet , mase zoti ju jep umur , se per ndryshe , kush do na rrjep , kaq mire sa na rripni ju ??..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje