Aleatët e PD, presion Bashës për skemën e koalicioneve! Mediu: Çdo humbje kohe në dëm të opozitës! Duka: Kemi hapësirën e duhur për t’i dhënë një zgjidhje të mirë çështjes

18 Dhjetor 2020, 09:58Politika TEMA

Teksa i afrohemi datës së zgjedhjeve, për aleatët e PD-së objektivi i përbashkët për të larguar Kryeministrin Edi Rama nuk është i mjaftueshëm.

Ndaj, ata kërkojnë që së bashku me PD-në, si partinë më të madhe në opozitë, të përcaktojnë formulën e koalicioneve se si do të shkojnë në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Për këtë çështje, këtë javë zhvilluan edhe një takim me kreun e PD-së, ku diskutuan në lidhje me detajet teknike. Në një intervistë pak ditë më parë, kreu i PR-së, aleati tradicional i PD-së, shprehet se nuk mund të humbasin më kohë.

“Pritja e Komisionit të Venecias ka qenë e pavlerë dhe çdo humbje kohe është në dëm të Shqipërisë dhe opozitës. Opozita duhet të bëjë sa me shpejt të qartë: Programin e saj qeverisës si një kontratë me shqiptarët.

Së dyti, trupën e saj qeverisëse që tejkalon lidershipin e opozitës, por bashkon dhe përfshinë shqiptarët më të kualifikuar kudo që janë.

Personalisht nuk kam besuar se Komisioni i Venecias do ndikonte apo ndryshonte sjelljen apo vendimet e Ramës. Pushteti me çdo kusht dhe çdo mjet është qëllimi i tij.

Rama kundërshtoi SHBA-në, BE-në dhe Britaninë, refuzoi rekomandimet e Bundestagut. Do ishte naive të pritej më shumë nga Venecia, të paktën siç e lexoj unë”, tha Mediu.

Edhe kryetari i PAA-së, Agron Duka, kërkon që kampi opozitar të procedojë më shpejt në lidhje me përcaktimin e detajeve teknike se si do të dalin në zgjedhje, pasi, sipas tij, opozita nuk ka luksin të humbasë kohë.

“Sikurse e kemi pohuar shpeshherë, ne kemi qenë në konsultime të vazhdueshme për sa i përket mënyrës së hyrjes në zgjedhje.

Sigurisht, ditët në vijim do të kemi takime koordinuese për të përcaktuar në mënyrën përfundimtare sesi do garojmë.

Koha nuk është e shumtë, megjithatë kemi të gjithë hapësirën e duhur për t’i dhënë një zgjidhje të mirë çështjes, duke ofruar alternativat më të mira për të maksimizuar votën opozitare”, tha Duka.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje