Me këtë titull nis shkrimi i Daily Mail, për një shtetas shqiptar në Britani të Madhe i cili është i dënuar për një vrasje, por që një gjykatë angleze nuk vendosi të dëbohet drejt Shqipërisë.
Astrit Mija ka vrarë shokun e tij Arben Basha në vitin 2003 në Ipswich të Anglisë. Ai u burgos përjetë nga gjykata angleze pasi u gjet fajtor për vrasjen. Krimi i rëndë ndodhi 4 vite pasi Mija kishte mbërritur në Britani si refugjat nga Kosova, duke falsifikuar dokumentet.
Ministria e Brendshme angleze kërkoi dëbimin e Astrit Mija nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë pas kryerjes së pjesës më të madhe të dënimit të tij.
Por shqiptari nisi një betejë ligjore për të qëndruar në shtetin ishullor. U zbulua se ai vuante nga skizofrenia paranojake. Por një gjykatë angleze refuzoi që Astrit Mija të deportohej në Shqipëri, ku edhe pse do të mund të merrte ilaçet falas dhe do të mbyllej në psikiatri, u konsiderua si njeri i rrezikshëm për veten dhe të tjerët.
Gjykatësja tha se mungesa e mbështetjes familjare të Mija në Shqipëri, pasi nuk ka askënd në vendin tonë, do të ishte shkak që shqiptari të mund të vriste veten ose të dëmtonte të tjerët.
Astrit Mija ka përdorur Nenin 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, për të vazhduar qëndrimin në Britani. Ai ka pretenduar se kthimi në Shqipëri do ta vendoste atë në rrezik, pasi familja e personit që ka vrarë mund të hakmerrej, por ky pretendim iu refuzua.
Megjithatë, gjykata angleze vendosi që të mos deportohej në Shqipëri, por të vazhdonte qëndrimin në Britani dhe të marrë mjekim duke argumentuar arsyet e sipërcituara.