Basha, me farmacistët e pacientët: Me mua kryeministër, fiton pacienti! Tregu i barnave është hapur për mafien, i sjell të pa certifikuar

3 Shkurt 2021, 09:54Politika TEMA

Kreu i PD Lulzim Basha ditën e sotme është duke zhvilluar një takim me përfaqësues e drejtues të Urdhërit të Farmacistit dhe pacientë, për të cilët ka prezantuar programin e saposhpallur për shëndetësinë.

Basha u sqaroi farmacistëve dhe pacientëve detajet e programit “Shqipëria Fiton” dhe u angazhua se do të ndryshojë situatën e rëndë të tregut të ilaçeve në Shqipëri dhe trajtimin e pacientëve në këtë drejtim. Ai iu detajoi atyre pikat kryesore të planit.

“Shqipëria Fiton Shëndetësinë e kemi quajtur dhe kemi shpalosur një program konkret, një plan konkret pune me anë të cilit në radhë të parë do të godasim problemet kryesore që e kanë futur shëndetësinë dhe shëndetin e shqiptarëve në një krizë të paprecedent në këto 30 vite, si dhe po shtrojmë rrugën për një rimëkëmbje për ta sjell shëndetësinë shqiptare në tërësi dhe shërbimin ndaj pacientëve shqiptarë në nivelet e rajonit dhe pastaj edhe më tej.

Cilësia e barnave ka marrë një goditje të jashtëzakonshme gjatë këtyre viteve. Tregu është hapur për mafien e barnave e cila sjell barna të pa certifikuara jo në funksion të shëndetit të njerëzve por në funksion të mbushjes së xhepave të një grushti importuesish.

Angazhimi i parë në këtë fushë është që ne do të bëjmë të gjitha ndryshimet e nevojshme ligjore dhe do të ushtrojmë të gjithë kontrollin e nevojshëm që barnat shqiptare të cilësisë dhe standardeve të vendeve europiane”, – tha Basha.

Në qëndër të programit sipas Bashës do të jetë pacienti.

“E dyta ka të bëjë me pacientin. Sepse i gjithë programi ynë për shëndetësinë ka në qendër pacientin, paraja ndjek pacientin. Kjo do të thotë që rimbursimi i barnave do të bëhet në bazë të diagnozës, në mënyrë që asnjë pacient që ka nevojë për një ilaç të veçantë, të mos mbetet pa e marrë këtë mjekim”, – sqaroi Basha pacientët.

Sipas kreut të opozitës “këto janë dy ndryshimet kryesore që do të sjellë programi për shëndetësinë dhe do të bëjë të mundur që sot shqiptarët të paguajnë më shumë se çdo banor tjetër i Ballkanit dhe marrin shërbimin me cilësinë më të dobët”, tha Basha.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje