Tirana, harmoni dhe qetësi para derbit të tretë sezonal; Hoxha: Partizani gati të bëjë kthesën

10 Mars 2021, 21:28Sport TEMA

Derbi i tretë sezonal i kryeqytetit vjen ne momentin e duhur për Tiranën. Tri fitore radhazi e kanë karikuar jo pak skuadrën e Orges Shehit, që duket se ka gjetur stabilitetin në lojë dhe rezultate. Pas atij momenti gri, në radhët e bardhebluve është rikthyer harmonia.

Do të vuajë një boshllëk të madh në vijën e parë, pas largimit të Ernest Muçit, protagonist në sfidat e fundit derbit, por sidoqoftë prania e Taulant Seferit dhe përshtatja e sulmuesit të kombëtares në skemat e kampionëve në fuqi i bën bardheblutë te kenë zgjidhje për fazën sulmuese.

Të motivosh lojtarët në një përballje të tillë është e lehtë, aq më tepër që Tirana, duke qenë se fokusi mediatik tashmë është zhvendosur te tri skuadrat e kreut, ka shansin të punojë në qetësi.

Gati për të përfituar nga momenti. Gati për të marrë tri pikë në derbi dhe te rikthehet jo vetëm në zonën europiane, por edhe në objektivin për të mbrojtur kurorën e kampionit.

Misioni nuk është i thjeshtë, përpara janë shumë pengesa për t’u kaluar, njëra prej tyre është pikërisht dueli me Partizanin.

Nderkohe, kapiteni Alban Hoxha ka dhënë një intervistë për mediat, ku ka pranuar se “të kuqtë” kanë bërë hapa fals në dy ndeshjet e fundit, por theksoi se në Superiore ka një garë të fortë, ku mund të lësh dhe marrësh pikë ndaj kujtdo.

“Na presin ndeshje të vështira, megjithatë kampionati ka treguar se nuk ka ndeshje të lehta. Në dy ndeshjet e fundit kemi lënë 5 pikë, ndërkohë që kishim llogaritur fitore të sigurta. Duhet të përqendrohemi te derbi dhe të japim maksimumin, ashtu si para dy ndeshjeve të fundit”, u shpreh Hoxha.

Këtë fundjavë vjen menjëherë derbi ndaj Tiranës, një sfidë që të motivon vetvetiu, ndërsa kapiteni i “të kuqve” pranon se përballja e të shtunës është një mundësi e mirë që skuadra të bëjë menjëherë kthesën.

“Më vjen mirë që pas dy hapave fals, vjen ndeshja derbi, pasi dihet rëndësia që ka dhe motivimi që sjell te lojtarët. Besoj se këtë ndeshje do të japim më të mirën dhe kjo do të jetë pika jonë e kthesës. Çdo ekip ka momentet e veta të oshilacioneve, por shpresoj që në derbi të vijë kthesa”, tha Hoxha.

Merkatoja e bujshme në janar dhe afrimi ndjeshëm me zonën e kreut mund të ketë sjellë pak eufori te Partizani dhe këtë e pranon edhe kapiteni Hoxha, që gjithsesi bën thirrje që vëmendja të spostohet vetëm te derbi.

“Ndoshta ka pasur edhe pak doza euforie, por kampionati prandaj është i bukur, pasi është i paparashikueshëm. Shpresoj që të jemi ulur me këmbë në tokë dhe të lëmë mënjanë euforinë, pasi duhet të fokusohemi te ndeshjet dhe stërvitjet, për të arritur objektivat”, tha Hoxha.

Sa u përket pretendentëve për titull, kapiteni i Partizanit ka një listë me shumë emra dhe pranon se gara është e hapur, por është i bindur që nëse “të kuqtë” bëjnë mirë punën e tyre, mund t’ia dalin me sukses.

“E kam thënë gjithmonë, që janë disa skuadra, si Laçi, Teuta, Kukësi e Tirana, që janë ngritur në ndeshjet e fundit. Flasim me shokët dhe e dimë që është e vështirë, por nëse ne bëjmë mirë punën tonë, atëherë gjërat do të shkojnë mirë”, u shpreh kapiteni i Partizanit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje