Ky debri mes Tiranës dhe Partizanit do të jetë shumë më i pazakontë se ata të mëparshmit me të cilët jemi mësuar në vitet e fundit dhe kjo jo vetëm për orarin tejet të papërshtatshëm në të cilin është planifikuar sfida, që luhet të shtunën në orën 13:00. Si rrallëherë më parë, atmosfera nuk ndizet as nga tifozeritë, në atë që deri tani ka qenë pragndeshje më e qetë që kujtohet në dekadën e fundit për këtë sfidë.
Partizani u mundua që të nxehte pak atmosferën me një video të postuar në rrjetet sociale dy ditë më parë. Por përgjigja e zakonshme e Tiranës këtë radhë mungoi dhe mes dy klubeve praktikisht u mbyllën thumbimet e zakonshme me video dhe foto që kanë shoqëruar këtë sfidë në të kaluarën.
Njëkohësisht, edhe nga vetë skuadrat ka patur më shumë qetësi dhe janë shmangur të gjithë deklaratat euforike për një ndeshje të tillë. Duke e cilësuar sfidën si “ndeshjen e radhës”, vetë Tirana me Partizanin e kanë kthyer këtë sfidë në një duel të tillë, për të larguar trysninë nga lojtarët për ditën e sfidës dhe për të menduar më shumë për rezultatin e atë që sjell për renditjen, sesa vlerën që ka për tifozeritë e dy ekipeve.
Kësisoj, ai që pritet nga të gjithë të jetë një derbi i ndezur, është kthyer thjesht në përballjen e javës së 24-t të Kategorisë Superiore, duke bërë edhe më të pazakontë këtë derbi në edicionin e çudive në futbollin shqiptar.