Ne e përjashtojmë apriori, për arsye të dukshme, “pajën” e Robert Lewandowski, kampion i gjithçkaje me Bayern Munich, lider i bavarezëve në Champions, golashënuesi më i mirë kudo. Përveç bomberit polak, edicioni europian 2020-2021 ka dy protagonistë të mëdhenj: Kylian Mbappé dhe Erling Haaland. Po ashtu ka dy zhgënjime të mëdha: Cristiano Ronaldo dhe Leo Messi.
Ata shkruan historinë e futbollit, duke u bërë ndër më të suksesshmit ndonjëherë me klubet, duke vendosur rekorde absolute të trofeve dhe golave në mijëvjeçarin e ri. Por, për disa kohë, as Cristiano Ronaldo dhe as Messi nuk kanë arritur ta thonë me të madhe zërin e tyre në Europë, në Ligën e Kampionëve.
Luzitani ka zhgënjyer në tri vitet europiane me Juventusin, argjentinasi është mposhtur nga kundërshtarë të panumërt në gjashtë vitet e fundit. Në kthimin e 1/8 finale, zero gola për të parin, një për të dytin, i bukur, por një penallti e gabuar, që shuajti fillin e hollë të shpresave për përmbysje.
Jo vetëm problemet e ekipit për Cristiano Ronaldon dhe Messin, por edhe realizimi: i pari e përfundoi Champions-in 2020-2021 me vetëm katër gola të shënuar. Një më shumë për Messin, i cili arriti të dilte më keq vitin e kaluar, me tre gola, ndërsa ish-ylli i Realit ishte ndalur në katër. Për herë të parë që nga sezoni 2004-2005, asnjëri prej tyre nuk është në çerekfinale të Champions-it.
Mbi të gjitha, ishte e parashikueshme që herët a vonë, megjithëse vazhduan vrapimin për sa iu përket golave dhe rekordeve në turnetë e brendshëm, përkatësisht italianë dhe spanjollë, si Cristiano Ronaldo, edhe Messi do t’ia kalonin stafetën dikujt më të ri se ata. Është e nevojshme të kujtohet, sepse shpesh harrohet, se edhe përballë reputacionit të një kampioni, ne ende flasim për një 36-vjeçar dhe një 34-vjeçar.
Ndryshimi i roleve në “Pallatin Mbretëror” të Champions-it po ndodh dhe historianët e futbollit ka shumë të ngjarë të identifikojnë momentin e saktë midis 9 dhe 10 marsit 2021. Stafeta po kalon nga Messi dhe Ronaldo, në fazat e nokautit të Champions-it, te Haaland dhe Mbappé në çerekfinale.
Ato janë e tashmja dhe e ardhmja, ndoshta “Topat e Artë” të radhës. Sidoqoftë, nga ky këndvështrim, nuk mund ta vësh dorën në zjarr, duke pasur parasysh tekat e votuesve në të gjithë botën, të cilët gjithmonë kanë preferuar Messin dhe Ronaldon edhe përballë eleminimeve përvëluese. Këtë herë, megjithatë, duket vërtet e vështirë t’i imagjinosh ata jo vetëm në tre të parët, por edhe në pesë të parët. Sidomos duke pasur parasysh që kampionët e Bayernit do të përfshihen, pothuajse me siguri.
Haaland është në fakt golashënuesi më i mirë në Champions, me dhjetë gola, i pari që arriti shifra të dyfishta këtë sezon, vdekjeprurës në dërgimin e Borussia Dortmund në çerekfinale. Mbappé ka shkatërruar PSG në “Camp Nou” me një “hat-trick”. Tani është në kuotën e gjashtë golave në sezonin vijues të Champions-it, plus tri asiste. Të dhënat janë të gjitha në anën e tyre. Si ato individuale, ashtu edhe ekipore.
Një 20-vjeçar, Haaland, dhe 21-vjeçar, Mbappé, të destinuar të zhdukin çdo kundërshtar në dekadën e ardhshme. Ai mes tyre ende nuk shihet si një rivalitet i njëjtë me atë të Messi-Ronaldo, vetëm për një arsye: Mungon “El Clasico”, mungon e njëjta ligë, në të cilën do të garonin. Por, duke nisur nga sezoni 2020-2021 i Champions-it, legjenda do të fillojë të ndërtohet rreth tyre.
Gjithashtu, sepse të dy tashmë janë takuar vitin e kaluar. Atëherë ngacmimet e Mbappè dhe shokëve të tij bënë më shumë zhurmë kundër Haaland, pas eliminimit, jo përballja midis dy të rinjve më të rëndësishëm në planet. Një çështje përparësie, klikimesh dhe polemikash. Sidoqoftë, në fushë, ata janë futbolli. Aktualisht, mbi të gjithë. Edhe mbi Messin dhe Ronaldon, pa dyshim…