KLGJ zgjedh katër gjyqtarë për në Gjykatën e Lartë

12 Mars 2021, 18:03Kronika TEMA

Këshilli i Lartë Gjyqësor zgjedh katër gjyqtarët për pozicionet e lira në fushën penale në Gjykatën e Lartë. Katër të përzgjedhurit do t’i propozohen Presidentit të Republikës për t’u vlerësuar dhe për të vendosur emërimin e tyre.

Nga Edmond Hoxha

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGj vendosi të premten t’i propozojë Presidentit emërimin në Gjykatën e Lartë të katër gjyqtarëve për katër pozicionet e lira në fushën e të drejtës penale.

Me vendimet e marra në mbledhjen plenare të zhvilluar pasditen e 12 marsit, Këshilli votoi në mënyrë unanime për t’i propozuar presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë të gjyqtarëve Sokol Binaj, Albana Boksi, Sandër Simoni dhe Klodian Kurushi të cilët u renditën të parët gjatë vlerësimit të kryer në KLGj.

Gjyqtarët Albana Boksi dhe Sokol Binaj shërbejnë aktualisht pranë Gjyaktës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndërsa Kurushi dhe Simoni në shkallën e parë të Gjykatës së Posaçme, ku ky i fundit është në cilësinë e kryetarit.

Në vijim, Këshilli i Lartë Gjyqësor do i përcjellë propozimet për emërim në Gjykatën e Lartë për katër pozicionet e lira në fushën e të drejtës penale Presidentit të Republikës, për të vlerësuar dhe vendosur emërimin e kandidatëve të propozuar.

“Në vijim, Këshilli i Lartë Gjyqësor do i përcjellë propozimet për emërim në Gjykatën e Lartë për katër pozicionet e lira në fushën e të drejtës penale Presidentit të Republikës, për të vlerësuar dhe vendosur emërimin e kandidatëve të propozuar”, citohet në një njoftim të shpërndarë nga KLGj për mediet pas mbledhjes plenare.

Për katër pozicionet në fushën e të drejtës penale në Gjykatën e Lartë kandiduan gjithsej tetë gjyqtarë, mes tyre edhe gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Iliriana Olldashi e cila nuk u rendit në katër të parët.

Kandidatja Nertina Kosova, e cila aktualisht shërben si kryetare e Gjykatës së Posaçme të Apelit është tërhequr nga gara. Po ashtu, u tërhoqën nga gara edhe kandiatet Etleva Temo, gjyqtare në Apelin Korçë dhe Klodiana Gjyzari e Apelit Vlorë, të cilat janë shkarkuar nga detyra prej Komisionit të Pavarur i Kualifikimit.

Aktualisht Gjykata e Lartë funksionon me tre gjyqtarë të emëruar në mars të vitit 2020, Sokol Sadushaj, Ervin Pupe dhe Ilir Panda të cilët u zgjodhën nga rrethi i juristëve të spikatur, pas një procesi të zgjatur vlerësimi në KLGJ.

Pas fillimit të ushtrimit të detyrës së tre gjyqtarëve të rinj; Sadushaj, Pupe dhe Panda është bërë i mundur funksionimi i pjesshëm i Gjykatës së Lartë që qëndronte e bllokuar prej një viti për shkak të shkarkimeve masive nga vetingu.

Në prill të vitit 2020, Gjykata e Lartë Njoftoi se do të niste shqyrtimi i rekurseve të çështjeve të themelit dhe atyre emergjente që mund të shqyrtohen nga kolegje me tre anëtarë.

Mbi 35 mijë rekurse janë në pritje për t’u shqyrtuar nga Gjykata e Lartë. Mbartja e një numri kaq të madh çështjesh ka ardhur si pasojë e një rritje graduale, për shkak se në 10 vitet e fundit, Gjykata e Lartë nuk ka arritur të trajtojë dhe të zgjidhë gjatë secilit vit kalendarik çështjet që paraqiteshin.

Procesi i vetingut e rëndoi edhe më tej situatën me çështjet e mbartura nga viti në vit. Por pavarësisht nga bllokimi i plotë i punës, gati 3500 çështje gjyqësore janë përgatitur dhe bërë gati për shqyrtim.

1 komente në “KLGJ zgjedh katër gjyqtarë për në Gjykatën e Lartë”

  1. trimi says:

    Dhe ju prisni qe likja ti dekretoj? Eshte njesoj qe te shkoj vet ne burg pa luftuar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje