Bilushi i Metës entuziast për vizitën e Lulit në Gjirokastër

19 Mars 2021, 18:22Antena TEMA

Ka pasur një sërë lajmesh zhgënjyese për vizitën e Lulit në Gjirokastër, të cilin e pritën disa dhjetëra vetë në “Sheshin e Çerçizit”.

Bilushi i Metës ka këtë shpjegim për situatën dhe është entuziast për vizitën:

“Ka disa arsye përse në shesh në Gjirokastër nuk kishte njerëz.

Sipas skenarit që Luli ka për vizitat në rrethe, kur ai zbret në shesh, njerëzit duhet të bërtasin “ky është kryeministri ynë”.

Sot, për arsye teknike ky skenar dështoi, pasi sapo hymë në rrethin e Tepelenës, Luli pa përballë malet me dëborë.

-Çfarë janë ato male, pyeti? Kush jeton aty?

-Është Kurveleshi, i tha shoqëruesi. Është fshati i Aurelës.

-Mbani makinën të zbres pak  e ta shikoj tamam, tha Luli.

Kjo ndodhi kur, ishim në Memaliaj.

Ne ndaluam makinën dhe ai zbriti.

Ndërkohë që ai shikonte malet e Kurveleshit, mijëra vetë rrethuan makinën dhe filluan të bërtasin “Luli kryeministër”.

Luli u emocionua pa masë.

-Ku jemi këtu, tha?

-Në Memaliaj, tek miniera, i tha shoqëruesi.

Atëhere Luli ju drejtua qytetarëve.

-Edi Rama mbylli të vetmen minierë kromi që kishte Shqipëria dhe ua dha oligarkëve, duke e zhytur Memaliajn në mjerim.

Unë do t’ua kthej minierën.

-Ça thotë ky, tha njëri. Ne mire që shpëtuam nga miniera, ky do të na fusë prapë në minierë.

Ne thamë se do na bëjë ndonjë doganier a tatimor.

Luli vazhdoi.

-Ju e dini që nga kromi nxirret dhe flori.

Edi Rama me oligarkët zhvatin kromin tuaj, heqin floririn, e mbajnë për vete dhe tjetrin e shesin.

-Zoti Basha. Kjo jona ka qenë minierë qymyri, i tha kryetari i PD. Kromi është në veri.

-Edhe qymyrin oligarkët e kanë marrë, tha Basha. Njësoj si kromin.

Pas këtij episodi hipëm në makinë dhe vazhduam rrugën.

Patëm disa debate që ai të mos nxitohej kur fliste, se bënte gafa, dhe ai u mërzit.

Kur shkuam në Gjirokastër, ai kërkoi  të mos nxirrnin njerëz për ta pritur, se ngatërrohej.

-Dua rreth 30 veta, tha.

Aq i nxorrëm. Mezi i mbajtëm demokratët e tjerë.

Pastaj ai shkoi para bustit të Musinesë.

-Musineja ka lindur këtu, është rritur këtu…

-Jo jo, ka lindur në Turqi, shpjegoi ciceroni.

-E di që ka lindur në Turqi, por me mendje e zemër ka qenë këtu.

Ndaj u kthye këtu. Formoi Partinë Socialidemokrate, që sot e kanë marrë banditët e Edi Ramës. Ne do t’ia kthejmë Musinesë…

Pas kësaj u mbyll dhe ky takim.

Mendoj se e gjitha ishte një skenar që të shkonte keq, pasi kështu na bëhet mirë ne si LSI.

Ju e dini që PD ka nja 3 mijë vota tepër në Gjirokastër dhe do digjen kot.

Me këtë rast ato kalojnë tek LSI, e kështu e kapim edhe ne një mandat.

Ndaj them që vizita shkoi mirë. Luli i bën qëllimisht gafat”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje