Politikani që i çarmatosi shqiptarët me buzëqeshje!

29 Mars 2021, 13:18Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Teksa po pinim kafenë para disa ditësh në zyrën e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçit i bie telefoni celular dhe ai pa e zgjatur, u përgjigj menjëherë gjithë qejf: Po, Zoti Kryeministër! Sapo e uli, e pyeta: Bashkimi? Po më tha dhe vijuam bisedën me natyrshmërinë e dy njerëzve, që e dinim se të gjithë, kështu i drejtoheshim gjithmonë njërit prej njerëzve më të dashur të Partisë Socialiste.

Bashkim Finon e kam njohur nga afër në ditët më të vështira për Shqipërinë, në pranverën e vitit 1997, kur ai nuk kishte shumë që kishte hyrë në zyrën e Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar dhe unë doja ti bëja një intervistë si Kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë”. U miqësuam menjëherë, kur i tregova impresionin e nënës sime, teksa e shihte për herë të parë në ekranin e TVSH.

Nuk ishte e vështirë të kuptoje në atë kohë, se ai kishte qenë impresioni i shumëkujt, për njeriun që erdhi nga Gjirokastra në orët e rënies së shtetit, për ti çarmatosur shqiptarët vetëm me buzëqeshjen e tij. I paqtë, i drejtpërdrejtë dhe hokatar siç ishte, Bashkim Fino nuk të jepte asnjë shans, që ta bëje armik edhe po të doje. Ishte veti e tij e lindur me sa duket, për të patur kiminë e rrallë, që të qetësonte gjakrat tona ballkanike.

E bëri këtë, edhe kur të gjithë kishin marë armët në duar, për të zëvendësuar mungesën e shtetit. Edhe më pas, kur u ringritëm sërisht nga hiri, e iu kthyem jetës sonë normale. Edhe kur PS ishte në mazhorancë. Edhe kur kaloi në opozitë, për tu rikthyer sërisht në pushtet. Edhe tani në ikje, në kulmin e një fushate të pazakontë elektorale në kushtet e pandemisë globale, për zgjedhjet e 25 prillit.

Flamujtë e Shqipërisë janë ulur sot në gjysëm shtizë për nder të tij. Një vendim që është respektuar jo vetëm nga institucionet shtetërore dhe miqtë e tij të panumërt në mazhorancën qeverisëse. Por, edhe Kryetari i Shtetit dhe Kryetari i Opozitës, që po e nderojnë atë si rrallëkënd nga kundërshtarët e tyre politikë.

Edhe më 1997 kur ishte Presidenti i një vendi që e cilësonte atë si shkaktarin e krizës së thellë të firmave mashtruese piramidale, edhe sot në opozitë, Sali Berisha e respektoi Bashkim Finon. Sikundër shumë e shumë opozitarë të tjerë, po e nderojnë si rrallëherë të gjithë njësoj, kujtimin e një politikani atipik për një vend si Shqipëria ku për të qenë i suksesshmë duhet të jesh doemos; o me ne, o kundra nesh!

E ndërsa ngjit shkallët për në katin e tretë të selisë qëndore të PS në Tiranë, përpara se të shkosh diku tjetër, do të dalë përballë shkallëve zyra ku Bashkim Fino mbante gjithmonë derën hapur për ti pritur socialistët dhe miqtë e tij të tjerë të panumërt kudo nëpër Shqipëri e përtej saj.

Skena jonë politike duket edhe më e varfër sot, pa njeriun që i solli asaj, dimensionin e munguar të paqtimit, të pajtimit, të gjetjes së pikave të përbashkëta, të gjetjes së argumentave dhe rrugëve për ti bërë gjërat e mundshme, sëbashku të realizueshme.

Pavarësisht nëse ishte socialist, apo demokrat. I majtë, apo i djathtë. I rreshtuar pro, apo kundër. Kjo kishte pak rëndësi, për njeriun e pajtimit. Sepse më e rëndësishmja për Bashkim Finon, nuk ishte të gjente në çdo gjë sebepin për tu ndarë, por për të zbuluar atje ku ishte fshehur, shkakun për tu bashkuar.

Kjo ishte magjia e jashtëzakonshme e një politikani normal, që historia e thirri në skenë në çastin e vet më anormal, për të na ndriçuar të gjithëve me buzëqeshjen e tij çarmatosëse, rrugën drejt së ardhmes së përbashkët.

Lamtumirë Kryeminisër!

3 komente në “Politikani që i çarmatosi shqiptarët me buzëqeshje!”

  1. Zyher Beci says:

    Kam punuar nga afer me Z.Bashkim mbasi kam qene disa vite keshilltar i tij ne vitet kur ai ishte i ngarkuar si Minister i Pushtetit Lokal. Pra e njoha nga afer si titullar i nje institucioni te larte te pushtetit. Flasin me shume te drejte shume koleg dhe bashkepuntore te tij madje edhe qytetare te thjeshte per rolin e vecante qe ai ka luajtur ne detyren si Kryeminister ne nje periudhe shume delikate te vitit 1997. Ai dallohej per qytetarine e tij ne marredhenie me njerezit, per qendrimin korrekt ne ushtrimin e funksioneve te tij, frymen demokratike qe ai e pasqyronte ne te gjithe veprimtarine. Me ka bere pershtypje fakti qe ai mbante qendrim shume korrekt me individ qe vinin nga partite opozitare. Kam qene deshmitare kur ai insistonte qe te mbeshtesim pa dallim bashkite apo komunat qe drejtoheshin nga partite e tjera pra jo nga Partia Socialiste. Ishte shume serioz ne pune, i palodhur dhe kerkonte disipline dhe respekt per shtetin dhe njerezit qe punojne per te kontribuar per forcimin e rolit te shtetit, per nje mireqenie sa me te mire te qytetareve. Kerkues korrekt per plotesimin e detyrave nga secili punonjes por edhe mbeshtetes i fuqishem per pune te mira. Ai vleresonte shume njerezit e punes dhe ishte mjaft korrekt ne kritikat ndaj atyre qe nuk kryenin detyren ne kohe apo ne cilesi. Respektonte dhe mbeshteste ne menyre konstruktive specialistet qe vinin dijet e tyre ne sherbim te zhvillimit. .Ishte shume shoqeror me vartesit. Me ata ai ishte kudo jo vetem ne pune por edhe ne kohen e lire duke pire kafe apo edhe aktivitete te tjera shoqerore. Ishte shume bujar, i ndodhej afer vartesve, i komunikueshem. Ai karakterizohej nga ndjenja per te kontribuar ne shoqeri ne jeten private te secilit. Ndoshta ne dukje e parendesishme por eshte e cuditshme se ai ulej shpesh me ne ne kohe te lire per nje kafe por gjithmone do te ishte ai qe do te perballonte shpenzimet dhe nuk pranonte qe te rendonte te tjeret por perkundrazi si te kontribuonte.
    Njerez si Z.Bashkim jane per tu marre shembull ne jeten politike por e theksoj edhesi drejtues i institucioneve te shtetit.
    I kam te pashlyera dhe nuk harrohen kujtimet qe rual per kete njeri fisnik, shtetar i ndershem dhe serioz. te tille do ta kujtoj gjate jetes sime dhe te tilla do te jene mesazhet per kete njeri qe meriton te vleresohet dhe kujtohet me shume respekt.

  2. agim bakiu says:

    Bukur
    E ndjere ne te shkruar
    Per nje njeri qe i meriton te gjitha keto fjale.
    Lamtumire Bashkim. Te qofte dheu i lehte vella

  3. ALBERT MUCA says:

    Fiks me buzeqeshje i carmatosi. E goditur,,, Bashkimi njeri i rralle dhe me vlera dhe keto nuk jane fjale qe thuhen vetem pasi vdes dikush sic ndodh rendomt,,, por jane fjale zemre dhe qe jane thene e do thuhen ne cdo kohe per Bacin qe na la shume parakohe.
    Ngushellimet e mia te perzemerta familjes.
    A.Muca

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje