Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim dhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca vizituan sot qytetin e Durrësit, ku panë nga afër ecurinë e procesit të votimit.
Në një prononcim për mediet, ambasadorja amerikane Kim tha se “ kemi parë një pjesëmarrje shumë të lartë në zgjedhje kjo në fakt tregon se qytetarëve shqiptarë u intereson vërtet vendi i tyre “.
“E di që janë raportuar disa incidente, por tashmë është përgjegjësi e autoriteteve për të vazhduar hetimin dhe sikurse jeni në dijeni ne e kemi bërë shumë të qartë u kemi bërë thirrje të gjithë prokurorëve që ti çojnë këto çështje deri në fund”, – tha Kim.
Ambasadorja amerikane u shpreh se “qytetarët janë duke përmbushur detyrën e tyre , autoritetet janë duke bërë detyrën e tyre, tani ka ardhur koha që kandidatët dhe drejtuesit politikë të presin rezultatin, gjykimin e popullit”.
Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca u shpreh se “ka qenë kënaqësi sot që kemi shkuar në vende të ndryshme të Shqipërisë me mikeshën time ambasadoren Kim. Mua më pëlqen shumë kur bisedoj me qytetarët e Shqipërisë, qofshin këta të rinj apo të moshuar, por sot në veçanti në këtë ditë të shënuar për Shqipërinë”.
“Komentet që ne kemi marrë sot kanë qenë të qarta që Shqipëria po shpreh vullnetin e saj duke votuar. Në fakt votimi ka ecur mirë pa probleme pavarësisht disa gjërave të ndryshme që mund të kenë ndodhur, incidenteve, të cilat do të hetohen dhe do procedohen”, – tha Soreca.
Ambasadori Soreca i bëri thirrje qytetarëve të shkojnë të votojnë.
“Ka ende 3 orë kohë kështu që thirrja jonë është që qytetarët e Shqipërisë, që nuk kanë votuar ende, e dimë që sot është një ditë shumë e bukur, moti është i mrekullueshëm, por duhet të vini të votoni. Pas votimit ju lutem prisni me durim se cili do të jetë rezultati dhe për udhëheqësit politikë kini durim se cili do të jetë ky rezultat dhe respektojeni atë”, – tha Soreca.
Më tej Soreca u shpreh se “tashmë edhe tani që po flasim para jush kemi ekipet tona, të cilat janë në të gjithë Shqipërinë, kështu që ne po i ndjekim gjërat nga afër. Prandaj është shumë e rëndësishme që të votoni, të votoni për të ardhmen e Shqipërisë, për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian”