Konferenca e shtypit e Berishës, si mjet për t'u dhënë zëmër militantëve (dhe pse SPAK tani duhet të reagojë)

21 Maj 2021, 09:59Politika TEMA

Sali Berisha nuk i iu përgjigj pyetjeve kryesore që kishin të bënin me akuzat amerikane ndaj tij se ai ka penguar demokracinë në Shqipëri, ka pasuruar familjen dhe të afërmit e tij në mënyrë nepotike dhe ka penguar drejtësinë të bëjë punën e saj.

Ish- presidenti i vendit dhe ish – kryeministri iu rrëshkiti si gjithmonë pothuajse të gjitha pyetjeve që iu drejtuan. Në fakt më shumë se zotësi e tij, kjo ngjau edhe për dobësi të gazetarëve që i drejtuan pyetjet.  Pyetje të vakëta, të pa mbështetura në fakte dhe argumenta.

Berisha p.sh theksoi se ai ka luftuar kundër drogës në vend ! Por askush nuk e pyeti për lulëzimin dhe forcimin e “Republikës së pavarur të Lazaratit» kur ai ishte kryeministër. Kur dihet që e ka pranuar botërisht se e ka lejuar me ndërgjegje ngritjen e kësaj uzine narkotikësh që furnizonte Europën.

Askush nuk e pyeti po ashtu nëse fshirja e provave të serverve të kamerave që kishin regjistruar vrasjet e 4 të pafajshmëve më 21 janar dhe injorimi nga ana e tij e ekspertizës së FBI-së mund të ishte një shkak më shumë për shpalljen e tij si person i padëshiruar në Amerikë?!

Ndofta gazetarët që morën pjesë në këtë konferencë ishin të impresionuar apo edhe të frikësuar edhe nga më shumë se 20 bodiguardët që Berisha kishte marrë me vete në sallën e Hotel Rognerit.

Pothuajse me krenari Berisha u shpreh sot se e ka hedhur në gjyq ministrin e jashtëm të Amerikës ! Militantëve të tij u gufoi zemra.  Ky ishte Berisha që ata njihnin dhe donin. Që nuk pyeste as për Amerikën!

I ndjeri Ndrek Luca po të ishte gjallë do të thoshte se e gjitha kjo ishte një lojë. Berisha bënte të fortin, sypatremburin dhe patriotin e çartur që për interest e kombit nuk ka burrê ta mbajë. Tê kujtonte në këtë delir të tijin Enver Hoxhën dhe luftën e tij të mullinjve të erës kundêr imperializmit amerikan!

Berisha e di më mire nga të gjithë se asnjë gjykatë franceze nuk është kompetente për të zgjidhur çështjet ndërmjet një ish – kryeministri shqiptar dhe sekretarit amerikan të shtetit.

Dhe ai e di mirë përgjigja e gjykatës franceze do të jetë ajo që ka qënë gjithmonë në raste të tilla.

Ajo nuk është kompetente. Aq më shumë që as shteti francez nuk ka asnjë interes të futet në një “mesele” që nuk i sjell asgjë.

Dhe Berisha i di shumë mirë këto gjëra.

Prandaj konferenca e tij e shtypit, pavarësisht se si përpiqej ta paraqiste politikani shqiptar, nuk kishte aspak si qëllim të merrej me ministrin e jashtëm amerikan. I cili ka shumë mundësi që kur të mësojë se një ish – kryeministër nga Shqipëria e ka hedhur në gjyq në Francë do të vëjë thjesht buzën në gaz.

Konferenca e shtypit e Berishës dhe deklarata “bombë” se ai ka hedhur në gjyq ministrin e jashtëm të fuqisë më të madhe sot në botë kishte si synim të vetëm karikonte militantët e tij të depresuar dhe të çorientuar. “Unë jam gjallë, jam i fortë! Mos kujtoni se kam vdekur” – ky ishte mesazhi që ai u drejtoi mbështetësve të tij. Ndofta edhe Lulzim Bashës.

«As mos mendoni se mund të më bëni ndonjë puç. Unë jam dhe do mbetem këtu ku kam qënë gjithmonë. Prandaj  as nuk  kam ndërmend të jap dorëheqjen»  u kujtoi ai mbështetësve të tij. Të cilët si gjithmonë filluan të brohorisnin Berisha, Berisha!

Tani topi është në fushën e Shqipërisë. Amerika bêri edhe një herë tjetër të pamundurën për kombin shqiptar. I takon tani shtetit shqiptar të provojë ato që  pohoi zyrtari i lartë i DASH-it. Askush nuk duhet të rrijë duarjashtë. As mos të bëjë rolin e sehirxhiut në përplasjen Blinken – Berisha.

Në rast se deri më tani nuk ka pasur asnjë proces, asnjë padi ligjore kundër Sali Berishës, faji bie edhe mbi institucionet shqiptare. Gogoli Berisha dukej se i konvenonte së tepërmi edhe PS-së për të fituar zgjedhjet.

Por tani institucionet e shtetit shqiptar nuk kanë të drejtë dhe nuk duhet të presin që gështenjat nga zjarri tua heqin të tjerët.

Berisha ose është fajtor siç thotë Blinken, ose nuk është siç pohon ai vetë.

Po institucionet shqiptare, prokuroria, ministria e drejtësisë, SHISH-I, SPAK-u çfarë thonë?!

A nuk ka ardhur koha që politikanët, prokurorët, gjyqtarët etj të marrin përgjegjësitë e tyre para vendit, popullit dhe aleatit tonë të madh përtej Atlantikut.

Heshtja dhe shmangia nga përgjegjësia ose qëndrimi si spektator është shërbimi më i keq që mund t’i bëhet demokracisë dhe të ardhmes së vendit.

Përgatitur për “TemA” nga Viron Gjymshana     

4 komente në “Konferenca e shtypit e Berishës, si mjet për t’u dhënë zëmër militantëve (dhe pse SPAK tani duhet të reagojë)”

  1. Lisi says:

    Dakord merushe por me Enverin mos u kruaj seEnveri kishte bicak

  2. Timi says:

    Sakte! Gazetaret pjesemarres ne konferencen e te damkosurit vrases e hajdut, jane zgjedhur nga kazani dhe as nuk mendohej se di dilte ndonje gazetar i vertete te gozhdonte te damkosurin me fakte dhe ti numeronte krimet e vrasjet. Turp te kene!

  3. Beni says:

    Konferenca e djeshme e Saliut ishte si me e dhone konferencen Enver Hoxha ose Ramiz Alija ne 1982-1989,plot me armiq te jashtem,sovranitet,ne bar hame por parimet si shkelim,Amerika imperialiste te shoh punet e veta,ne qeverisim vete etj .Niveli arsyetimit ishte alla stil Sale,primitiv,sikur ishte ul tek kafja e lagjes dhe po tregonte historina.

  4. ts says:

    Ky perbindesh si pun e gungacit qe vetem ne arkivol i drejtohet ! Ky perbindesh i pandreqshem qe vetem kercenon edhe Zotin ! Ky perbindesh antishqiptar ,katastrof e Shqiperis duhet te izolohet ne nje kafaz xhami te pathyshem e te mos i jepet e drejta te dal te flas para shqiptareve ! E ndegjuat kte kellir helmi si justifikon krimet e hajduterin me gjuhen e kercenimit ! E ndegjuat “heroin qe shpetoi Kosoven” e prandaj po denohet ??
    Jeni burracak e te pazot or gazetar te ngordhur qe sdini te perballeni me kte lugat vrases ,qe pranoni te intervistoni kte gjeni te shkaterrimit e krimit pa u pregatitur e sju ka dal akoma frika e hijes se tij ! Nese nuk e coni deri ne fund ate cka Amerika ju fali ,ateher haroni emrin Shqipri ,haroni ke keni votuar , strukuni neper kafene ,ngushellohuni atje mes jush si skllevrit e piramidave ! Ktij perbindeshi dykembesh me ftyr njeriu i duhet dhen mesimi perfundimtar ,qe femijt tan te mos hecinte turperuar e kok ulur perjetesisht sepse historia e turpit nuk te fal …..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje